Ndërlidhjet

Përshpejtohet ndarja e 20-përqindëshit


Procesin e privatizimit e ka përcjellë edhe vonesa kronike e pagesës së fondeve që u përkasin punëtorëve - 20 për qind nga vlera e aseteve të shitura. Deri më tani, nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore janë grumbulluar rreth 403 milionë euro, prej të cilave Agjencia Kosovare e Pronës ka mbledhur 18.5 milionë.

Nga kjo shumë, punëtorëve u takojnë pak më shumë se 80 milionë euro. Mirëpo, atyre deri më tani u janë shpërndarë vetëm 18,6 milionë euro, ose diçka më shumë se një e treta e parave që u takojnë.

Anëtari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bahri Shabani, pohon se shpërndarja e mjeteve të 20 përqindëshit mbetet një ndër prioritetet kryesore të agjencisë.

“Ka një përshpejtim të këtij procesi, por ky proces është paksa i komplikuar, pasi që listat, të cilat aprovohen nga bordi i AKP-së, duhet të verifikohen përmes odës së veçantë, kështu që mund të jetë një vonesë reale kur kihet parasysh se është bërë një numër i madh i listave të punëtorëve”, thotë zoti Shabani.

Sipas përfaqësuesve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kjo agjenci ka rritur numrin e punëtorëve që do të punojnë në njësinë e 20 përqindëshit. Sipas tyre, AKP ka krijuar një njësi të veçantë, që do të merret ekskluzivisht me shqyrtimin e ankesave të punëtorëve.

Prioritet tjetër i Agjencisë mbetet edhe nënshkrimi i kontratave dhe transferimi sa më i shpejtë i aseteve dhe pronës tek pronarët e rinj, proces ky i cili thuhet se po shkon me një ritëm shumë dinamik.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ekonomike janë ithtarë të asaj që të aprovohet Ligji mbi Privatizim në Kuvendin e Kosovës, me qëllim që, siç thonë, privatizimi i ndërmarrjeve që kanë mbetur pa privatizuar, të bëhet në një mënyrë më efikase.

Mejdi Bektashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se procesi i përparshëm i privatizimit nuk ka dhënë rezultatet e pritura për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe në aspektin e hapjes së vendeve të reja të punës.

“Ishte një institucion burokratik, kishte për qëllim vetëm transformimin e pronës publike në atë private, pa shikuar ndonjë aspekt ekonomik të ristrukturimit të ndërmarrjeve ekzistuese ose të mbajtjes së vendeve ekzistuese të punës”, u shpreh profesor Bektashi.

Ai thotë se nëse vazhdohet me politikat e vjetra të privatizimit, ekonomia e Kosovës do të rrënohet edhe më tepër. Zoti Bektashi u rekomandon institucioneve kompetente që kjo që ka mbetur pa u privatizuar, të analizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Problemi më i madh ekziston në privatizimin e tokave bujqësore. Nëse i shesim të gjitha tokat, sipërfaqet e të cilave janë përafërsisht 10 për qind të sipërfaqes tokësore që është në sektorin publik, qeveria aktuale dhe qeveritë e ardhshme nuk do të kenë mundësi që investitorët e huaj t’i joshin me tokat që janë në pronësi të qeverisë dhe të kenë stimulim për t’i shfrytëzuar ato toka“, theksoi zoti Bektashi.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, që nga marrja e kompetencave nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ka shpallur katër raunde të privatizimit.
XS
SM
MD
LG