Ndërlidhjet

Pritjet e serbëve nga Avokati i Popullit


Serbët e Kosovës presin që Avokati i Popullit të punojë në mënyrë të pavarur për të mbrojtur të drejtat e pakicave, e veçanërisht asaj serbe. Por, ata janë të ndarë kur flitet për besimin që kanë në Avokatin, që e zgjedhin institucionet e Kosovës.


Kuvendi i Kosovës të enjten ka zgjedhur Sami Kurteshin për Avokat të ri të Popullit. Pas zgjedhjes në këtë post, Kurteshi ka thënë se do të mbrojë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve.

Serbët shpresojnë se Ombudspersoni do të punojë në zgjidhjen e problemeve të komunitetit të tyre. Kurteshi në Kuvendin e Kosovës ka mbajtur fjalim edhe në gjuhën serbe.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partsië së Pavarur Liberale, Bojan Stojanoviq, thotë se nga Kurteshi pret që të krijojë mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
...mendoj se ai mund të bëjë mjaft shumë, natyrisht nëse ne do të dimë se çka dëshirojmë dhe do t’i respektojmë rregullat dhe ligjet që vlejnë këtu...

“Dëshiroj të besoj se ai do të japë maksimumin në zgjidhjen e problemeve të grumbulluara, si për serbët, ashtu edhe për komunitetet tjera, dhe i kemi dhënë mbështetjen zotit Kurteshi. Me fillimin e ngritjes së mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë të pakicave, mendoj se ai mund të bëjë mjaft shumë, natyrisht nëse ne do të dimë se çka dëshirojmë dhe do t’i respektojmë rregullat dhe ligjet që vlejnë këtu”, thotë Stojanoviq.

Megjithatë, disa politikanë tjerë serbë druajnë se Avokati i Popullit do të jetë në të vërtetë i paanshëm.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, thekson se është zgjedhur një njeri që ka referenca të mira. Por, ajo është e brengosur rreth asaj se sa do të
mund të punojë ai si i pavarur.

“Pas rëndësisë që ka gëzuar zoti Novicki, kur kemi pasur vetëm një institucion që është dëgjuar, tash kemi një njeri të ri, të cilin nuk dua ta etiketoj që do të udhëheqë në atë mënyrë që atë institucion t'ua përshtatë orientimeve të komunitetit të vet”,
tha Rada Trajkoviq.

Nga largimi i Ombudspersonit ndërkombëtar, Marek Antoni Novicki, para katër vjetësh, ushtrues detyre ka qenë Hilmi Jashari. Duke vënë në pah skepticizmin, Rada Trajkoviq propozon një zgjidhje tjetër për këtë institucion që mbron të drejtat e njeriut.

Rada Trajkoviq
“Duke marrë parasysh numrin e madh të problemeve që kanë serbët dhe joshqiptarët, por gjithnjë e më shumë edhe shqiptarët, do të dëshiroja që në krye të Ombudspersonit të vihej një përfaqësues ndërkombëtar, i cili do të ishte neutral si ndaj serbëve, ashtu edhe shqiptarëve, apo sikur në Maqedoni, ku Ombudspersoni është shqiptar. Mendoj se do të ishte mirë të kishim një omudsperson serb, i cili nuk do të zgjedhej sipas dëshirës së atyre që nuk duan të zgjidhen gjërat”,
deklaroi Trajkoviq.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, do ta ketë një zëvendës nga komuniteti serb. Sipas Stojanoviqit, zëvendësi duhet të jetë një personalitet i dëshmuar, i cili me qëndrimin e tij do të inkurajojë komunitetin serb që të marrë pjesë në institucione.

Duhet ta gjallërojmë pak komunitetin serb dhe të punojmë në lobim te njerëzit që mund t’i përgjigjen ftesës dhe këtij funksioni. Duhet të kuptojmë se nëse marrim pjesë në procesin e marrjes së vendimeve, atëherë, në mënyrë praktike, mund të ndihmoni komuniteti tuaj”, tha Bojan Stojanoviq.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka deklaruar tashmë se do të ushtrojë funksionin i pavarur dhe se nuk do të ndikohet nga politika, apo nga grupe të interesit. Ai po ashtu ka shprehur bindjen se do ta ketë mbështetjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG