Ndërlidhjet

CT: "Obama i nderoi viktimat e zbarkimit"


"Chicago Tribune"


Duke qëndruar në bregdetin historik të zbarkimit në Omaha Beach, presidenti Barak Obama i nderoi mijëra ushtarë, që e dhanë jetën e tyre në invadimin e Ditës-D, para 65 vjetësh dhe e shprehu inspirimin e tij për sfidat e së sotmes.

Presidenti Obama e përkujtoi zjarrin gjerman, që atë ditë goditi trupat, derisa ata po e merrnin bregdetin në Normandi, duke e quajtur “tregim i Amerikës”.

“Është tregim që asnjëherë nuk ishte i lehtë, por ishte i tillë që çdoherë na dha shpresë”, tha Barak Obama, në fjalimin e tij para shumë veteranëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Ai, më tutje, tha se nga këto momente historike “duhet të merret forcë”.

Përvjetori i 6 qershorit të vitit 1944 u shënua në periudhën kur presidenti i ri amerikan po punon për ndërtimin e aleancave globale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Afganistan dhe Pakistan, respektimin e moszgjerimit të armatimit bërthamor dhe mbështetjen e përpjekjeve për paqe në Lindjen e Mesme.

Së bashku me presidentin Obama, në ceremonitë në Normandi ishin edhe liderët e aleatëve të kohës së luftës, Franca, Kanadaja dhe Britania.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e krahasoi luftën kundër nazizmit dhe fashizmit me sfidat aktuale.

“Ne e dimë se sa larg duhet të shkojmë. Ne e dimë se është rrugë e gjatë dhe e vështirë, por ne po ashtu e dimë se sa shumë mund të arrijë Evropa e bashkuar dhe një Amerikë që u mbetet besnike vlerave të veta”, tha presidenti Sarkozi.

Për shekuj, asnjë invadues nuk ka qenë në gjendje të hyjë në Normandi nga kanali anlez dhe asnjëherë nuk ishte më vështirë për ta bërë këtë se që ishte atë ditë të vitit 1944.

Adolf Hitleri kishte urdhëruar frortifikimin e Murit atlantik kundër një invadimi nga deti dhe secili shkëmb nga Norvegjia për në jug të Francës, ishte i mbushur me armatim dhe artileri, ndërsa bregdeti mishte i minuar.

Aleatët sulmuan në agim. Një brigadë ajrore britanike ishte përpjekur të sulmonte, ndërsa parashutistët zbarkuan prapa linjave të armikut, por koha e keqe i pengoi sulmet dhe parashutistët nuk i arritën pozicionet e kërkuara.

Kjo ndikoi që trupat e zbarkuara në bregdetin Omaha u ballafaquan me rezistencë të madhe dhe shumë humbën jetën para se të zbritnin nga anijet.

Megjithatë, trupat arritën ta marrin bregdetin në vendet që ata i quanin Omaha, Utah, Juno, Gold dhe Sword.

Paratrupat bënë rigrupim, ndërsa renxherët depërtuan në shkëmbinj.

Aty kah fundi i asaj dite, siç tha edhe presidenti Obama, “toka, në të cilën ne po qëndrojmë, ishte edhe një herë e lirë”.

Në ceremeoni ishte edhe Sjuzën Ajzenhauer, e mbesa e gjeneralit Dvajt Ajzenhauer, i cili e filloi misionin në Normandi me një komandë të thjeshtë, “OK, shkojmë”.

Aty ishte edhe ish-senatori amerikan, Bob Dol, veteran i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa afër tij ishte i ulur artisti Tom Henks, që ka luajtur në një film ku paraqiten vështirësitë e mëdha gjatë invadimit.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe i afërmi i presidentit Obama, 84-vjeçari Çarls Pejn, që ishte i përfshirë në divizionin e parë amerikan, që arriti i pari dhe e çliroi kampin nazist të koncentrimit në Buhenvald në Gjermani.
XS
SM
MD
LG