Ndërlidhjet

logo-print

Amnesty International, në 10-vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë, ka kritikuar Serbinë dhe Kosovën për dështim në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Prishtina zyrtare thotë se balancimi është i gabueshëm.


Në një raport me rastin e 10 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, Organizata për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, i thekson dështimet e vazhdueshme të Serbisë dhe Kosovës për t’i hetuar zhdukjet e dhunshme dhe rrëmbimet, si dhe për t’i sjellë autorët para drejtësisë.
Një dekadë pas përfundimit të luftës, rreth 1.900 familje në Kosovë dhe Serbi ende nuk kanë të dhëna për fatin e familjarëve të zhdukur të tyre, thotë Amnesty International.

“Gjatë 10 vjetëve të fundit ka pasur dështim konzistent nga ana e autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë për të adresuar pasojat e krimeve të luftës që ndodhën në Kosovë në vitin 1999”, thotë Sian Xhons, ekspert për Ballkanin në Amnesty International.
Dështimi i tyre për të nxitur hetime të thella dhe të paanshme, qoftë në Serbi ose në Kosovë, ka krijuar një kulturë të pandëshkueshmërisë dhe ka dështuar t’ua ofrojë drejtësinë familjarëve...

“Dështimi i tyre për të nxitur hetime të thella dhe të paanshme, qoftë në Serbi ose në Kosovë, ka krijuar një kulturë të pandëshkueshmërisë dhe ka dështuar t’ua ofrojë drejtësinë familjarëve të shqiptarëve që janë zhdukur nga forcat serbe, dhe familjarëve të serbëve të rrëmbyer nga UÇK”, thuhet mes tjerash në raportin e Amnesty International.

Në Serbi, për shembull, është hequr dorë nga hetimet për pretendimet se në maj të vitit 1999, kufomat e shqiptarëve civilë janë djegur dhe shkrumbuar në një kompleks për prodhimin e aluminit afër qytetit Surdulica.

Shkrumbimi i kufomave ka qenë pjesë e një operacioni masovik, në të cilin mbi 900 kufoma të shqiptarëve janë transferuar dhe janë varrosur në varreza masive.

Në Kosovë ka pasur pak përndjekje të shqiptarëve etnikë, përgjegjës për rrëmbimin e serbëve, pohon organizata me seli në Londër, duke vazhduar se hetuesit e UNMIK-ut dështuan të bëjnë hetime të thella e të paanshme.

Amnesty International u bën thirrje autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë, përfshirë misionin EULEX, që të bashkëpunojnë në rastet, në mënyrë që familjarët të informohen për fatin e të afërmve të tyre, ndërsa autorët të sillen para drejtësisë.

"Si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë, ka të atillë, të cilët do të preferonin që zhdukjet dhe rrëmbimet të mbeten të varrosura në të kaluarën. Amnesty International beson se Kosova dhe Serbia duhet t’i adresojnë pasojat e konfliktit të armatosur, gjë që mund të bëhet me zbulimin e plotë të lokacioneve të varrezave masive, me dhënien fund të ndërhyrjes së politikës në hetimet dhe me hetime të pavarura, efektive dhe të paanshme të krimeve të luftës”, thotë Sian Xhons, nga Amnesty International.

* * * * * * * * * *

Dështimi i zbardhjes së fatit të më se 1900 të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, ka bërë Organizatën për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, që të hedhë kritika si mbi Beogradin, ashtu edhe mbi Prishtinën.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës mendojnë se nuk është korrekte që, siç thuhet, të futet në një thes edhe Beogradi, edhe Prishtina.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se krahasimi është i gabueshëm.

“Kosova ka qenë jashtëzakonisht bashkëpunuese në këtë drejtim dhe balancimi nuk mendoj se është i drejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur dihet se Serbia ka pasur sistem të organizuar dhe politikë shtetërore për një gjë të tillë. Ne gjithmonë i respektojmë raportet që vijnë nga këto organizata, shqyrtojmë gjendjen reale se si është në Kosovë. Por, balancimet në rastin konkret nuk i bëjnë mirë as vetë raporteve Kosovë-Serbi, e as prestigjit që ka ajo organizatë”,
u shpreh Kuçi.

Por, në anën tjetër, vijnë ankesa nga politikanët serbë të Kosovës, të cilët thonë se më shumë është bërë për të zbardhur fatin e shqiptarëve të zhdukur, sesa të serbeve.

Shumica dërrmuese nga 1900 të zhdukurit janë shqiptarë, ndërsa nga ky numër thuhet se mbi 400 janë serbë.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, nuk është i kënaqur me rezultatet e hetimeve ne lidhje me zbardhjen e fatit të serbëve të zhdukur.

“Është shumë me rëndësi që të zbardhet fati i të zhdukurve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Por, nëse shikohet me përqindje, sa i përket serbëve, të cilët janë rrëmbyer para dhe pas ardhjes së misionit të OKB-së, mund të thuhet se 90 për qind nuk janë gjetur, ndërsa sa i përket shqiptarëve, ajo përqindje është krejtësisht e kundërta. Prandaj, kjo nuk mund të barazohet”, thotë Veliq.

Amnesty International ka thënë se gjatë 10 vjetëve të fundit ka pasur dështim të vazhdueshëm nga ana e autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë për t’i adresuar pasojat e krimeve të luftës, që ndodhën në Kosovë në vitin 1999.

Në këtë kuadër është kritikuar edhe misioni i OKB-së në Kosovë për, siç thuhet, dështimin për të bërë hetime të thella dhe të paanshme.

Por, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, nuk pajtohet me këtë vlerësim.

“Në përgjithësi, ne nuk i komentojmë raportet e OJQ-ve, por mund t’ju them se ekziston grupi punues për personat e zhdukur, që udhëhiqet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Ne jemi pjesë e atij grupi. Së fundi, kemi pasur një takim në Beograd. Është bërë mjaft punë për këtë çështje tragjike dhe të dhimbshme”, u shpreh Ivanko.

Në anën tjetër, Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, thotë se Beogradi zyrtar ka përgjegjësinë më të madhe për të treguar se çfarë ka ndodhur me viktimat e rrëmbyera gjatë luftës së ’99-ës.

Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.
Ai mendon se edhe qeveria aktuale ka informacione, pavarësisht se në kohën kur kanë ndodhur krimet, ekzistonte regjim tjetër.

“Nëse janë ndërruar strukturat e qeverisë, disa kanë mbetur. Në polici, në ushtri kanë mbetur dhe mendoj se ata mbajnë sekrete në këtë drejtim. Madje, këto çështje përcillen dhe koordinohen edhe me struktura të reja përgjegjëse politike, që gjenden në Serbi”, tha Gjetaj.

Ai thotë se për aq sa ka informacione, Prishtina zyrtare gjithnjë ka qenë e gatshme që të punojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Aq sa kemi informacione, vazhdojmë të hulumtojmë për çdo vend të dyshimtë, si varrezë individuale apo masive; menjëherë zhvillohen procedurat për hapjen, gjegjësisht ekshumimin e tyre”, theksoi Gjetaj.

Për zbardhjen e fatit të të pagjeturve janë mbajtur një sërë takimesh të grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Si rezultat, është arritur që qindra mbetje mortore të gjetura në varrezat masive në Serbi, të kthehen në Kosovë.

Por, edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka kritikuar shpesh si Beogradin, ashtu edhe Prishtinën, se po politizojnë këtë çështje, e cila do të duhej të trajtohej vetëm si humanitare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG