Ndërlidhjet

“Serbia sfidon Kosovën, 1,400 pasaporta për shqiptarët"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Para se të përfundojë në tavolinën e presidentit dhe kryeministrit, përzgjedhja e kandidatëve për 18 ambasadorët e parë të Kosovës do të shqyrtohet këtë javë nga Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme. Ky komision do të mbajë seanca të mbyllura dëgjimore për të gjithë kandidatët për të vërtetuar se a i plotësojnë kriteret e parapara me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik. Pas kësaj, Komisioni Parlamentar ua raporton rezultatet e dëgjimeve të tij, në konfidencë, presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Raporti i Komisionit nuk përmban rekomandime lidhur me kandidatët. Kur të përfundojë kjo procedurë, presidenti Sejdiu, pas konsultimit me kryeministrin Thaçi dhe ministrin Hyseni, vendos për 18 emrat, të cilët duhet të dërgohen në qeveritë përkatëse për t’u marrë pëlqimi. Çdo shtet ka të drejtë të refuzojë të nominuarin, madje pa dhënë asnjë sqarim...

ZËRI

Një miliard euro edhe më tutje vazhdojnë të mos jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. pavarësisht premtimeve të shumta, ende nuk është hartuar ndonjë strategji për futjen në funksion të këtyre mjeteve. Ekspertët e ekonomisë disa herë kanë përsëritur se më shumë se 400 milionë euro të grumbulluara nga procesi i privatizimit, rreth 300 milionë euro kontribute për pensione në Trust dhe 300 milionë euro të tjera – mjete të grumbulluara të Post-Telekomit të Kosovës, përbëjnë pothuajse një buxhet vjetor të Kosovës, i cili edhe më tutje qëndron i ngrirë. Ndonëse gjatë fushatës së fundit zgjedhore ka pasur premtime të shumta nga subjekte të ndryshme politike se këto mjete do të futen në funksion të zhvillimit ekonomik, pasi që ato janë nxjerrë nga ekonomia e vendit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur...

BOTA SOT
Shtyrja e datës së zgjedhjeve, sipas Partisë së Drejtësisë, paraqet një goditje të rëndë për proceset demokratike në Kosovë. Sipas kryetarit të kësaj partie, Ferid Agani, çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve lokale është e paarsyeshme dhe ngrit tensione tek disa parti politike, por edhe në shoqëri. “PD-ja konsideron se çfarëdo shtyrjeje e zgjedhjeve lokale, jashtë afateve të përcaktuara me kornizën juridike të vendit, paraqet goditje të rëndë për proceset demokratike në vend. Përkitazi me këtë, shprehim shqetësimin për ngecjen e procesit të konsultimeve të iniciuar nga presidenti i Kosovës”, tha Agani, të dielën, në një konferencë me gazetarë. Gjithashtu ai foli edhe për aktualitetet e tjera, si gjendja e rëndë në shëndetësi dhe, sipas tij, për këtë gjendje të rëndë fajtor kryesor është mosemërimi i Sekretarit të Përhershëm, ndërsa, në anën tjetër, lavdëroi punëtorët shëndetësorë për punën e tyre të palodhshme, më kushte të këqija pune...

EPOKA E RE
I ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, nuk do të lejohet ta vizitojë Kosovën. Mediat serbe kanë njoftuar se Bogdanoviq do të marrë pjesë sot (e hënë) në përurimin e një shkolle në Leposaviq. I kontaktuar nga gazeta, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë se Bogdanoviq mund ta vizitojë Kosovën vetëm si qytetar i thjeshtë, assesi si zyrtar. “Si qytetar i thjeshtë, ai mund të vijë, por jo edhe si ministër i shtetit serb, pasi këto vizita janë duke ndikuar në ngritjen e tensioneve ndëretnike”, ka thënë Kuçi, duke shtuar se, edhe nëse Bogdanoviq do të bënte kërkesë për vizitën e tij, kjo do të refuzohej, pasi ai atë vizitë mund ta keqpërdorë. Kuçi ka thënë se kërkesat e zyrtarëve serbë për ta vizituar Kosovën, vijnë në Qeverinë e Kosovës nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar...

LAJM
Mungesa e një profilizimi standard politik e ka shndërruar në një mishmash të vërtetë skenën politike të Kosovës. Përderisa në prononcime zyrtare, individë të caktuar të partive deklarojnë se janë të djathtë, të qendrës apo të majtë a liberalë, të paktën të gjitha partitë politike në koalicionin aktual, në krye me Partinë Demokratike të Kosovës, kanë ngatërresa profilizimi në të gjitha aspektet. Në koalicionin aktual që e përbën shumicën në Kuvend bashkëjetojnë parti të djathta, të qendrës, socialiste, socialdemokrate, liberale dhe minoritare. Ky koktej brenda koalicionit tregon më së miri se çfarë profilizimi kanë aktualisht partitë politike. Emrash Xhemajli, kryetar i Partisë Socialiste, duke komentuar se si mund të bashkëjetojnë dy parti në koalicion, kur njëra quhet demokratike e tjetra socialiste, tha se është krijuar një perceptim nga qytetarët për PDK-në si parti e djathtë, por, siç tha ai, një gjë e tillë zyrtarisht nuk është...

KOHA DITORE
Me gjithë faktin se Kosova ka filluar dhënien e pasaportave të saj, shqiptarët ende presin në radhë për të ndërruar pasaportat e vjetra të Jugosllavisë me ato të rejat, pasaportat biometrike të Serbisë që jepen për herë të parë. Këto pasaporta mundësojnë regjistrimin më të lehtë të qytetarëve, por për Serbinë janë një element që shqiptarët e Kosovës janë ende qytetarë të Serbisë. Zyrtarët serbë, por edhe opozita, kanë deklaruar se shqipraët e Kosovës që duan të marrin pasaporta serbe, mund ta bëjnë këtë çdo herë si qytetarë të barabartë të Serbisë. Një pjesë e tyre kanë thënë se duhet shikuar që ata që marrin pasaportat serbe, të mos kenë dy pasaporta, por kjo nuk përbën problem të madh pasi Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vesna Vasileviq, ka thënë për gazetën “Koha ditore” se shqiptarët e Kosovës nuk do të kenë probleme në marrjen e pasaportave të reja serbe...

INFOPRESS
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në letër çmimoren e shërbimeve qysh në vitin 2008, për të gjitha institucionet publike shëndetësore të Kosovës. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, është premtuar se që nga janari i vitit 2009, çmimorja do të shqyrtohet nga personeli shëndetësor i departamenteve shëndetësore në Kosovë, përfshirë edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe ajo do të fillojë të zbatohet në praktikë, mirëpo ka kaluar gjysma e vitit dhe kjo nuk është realizuar. Edhe përkundër kësaj, akoma mbetet e koklavitur çështja se si në realitet do të shkojë zbatimi i çmimores në praktikë. Një burim anonim ka thënë për gazetën se çmimoren po vazhdojnë ta studiojnë mjekët për hesapin dhe leverdinë e tyre. “Ka disa mjekë që mundohen që ta zbërthejnë atë në favorin e tyre. Ata po kalkulojnë idetë se si çmimet të jenë më të larta në QKUK, sesa në klinikat e tyre private”, tha burimi anonim...

KOSOVA SOT
Institucionet e larta të vendit kanë siguruar se zgjedhjet për pushtet lokal do të mbahen brenda afatit të përcaktuar ligjor. Këto reagime kanë ardhur pas hedhjes së mëdyshjes së forcave opozitare, të cilat thonë se vendimi për datën e zgjedhjeve është duke u shtyrë pa arsye. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vazhdon konsultat me forcat politike të vendit, ku përmes një procesi koncesual do të vendosë për caktimin e datës së zgjedhjeve. Ditë më parë, disa nga segmentet e opozitës kanë kritikuar për vonesat në caktimin e datës, duke e cilësuar këtë si një shtyrje të panevojshme. Mirëpo, në këtë është përgjigjur zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, i cili ka sqaruar se shtyrja e shpalljes së datës së zgjedhjeve nuk duhet perceptuar si shtyrje të zgjedhjeve lokale... Zëdhënësi i Qeverisë, meli Krasniqi, thotë se qeveria nuk vendos për zgjedhje, duke rikujtuar për takimet që ka zhvilluar presidenti dhe deklarimet e partive politike, të cilat kanë shprehur interesimin për mbajtjen e zgjedhjeve...
XS
SM
MD
LG