Ndërlidhjet

Sarkozi: Pavarësia e Kosovës e pakthyeshme


Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, e ka përsëritur mbështetjen e Francës për pavarësinë e Kosovës dhe ndihmën për integrim në BE, pas takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Paris, njoftoi Presidenca franceze.

“Shefi i shtetit i ka përsëritur kryeministrit Thaçi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, thuhet në njoftim.

Më tutje, presidenti Sarkozi ka thënë se “Franca do t’i ndihmojë Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian”.

Më tutje, në kumtesë thuhet se “ashtu siç e ka inkurajuar presidentin Tadiq, presidenti Sarkozi e ka inkurajuar edhe kryeministrtin e Qeverisë së Kosovës që të gjendet një modus vivendi me serbët”, duke theksuar se “është e nevojshme që të dyja vendet së bashku ta gjejnë një mënyrë për punë drejt kapërcimit të problemeve nga e kaluara”.

Presidenti Sarkozi dhe kryeministri Thaçi po ashtu kanë diskutuar edhe për shtimin e përpjekjeve, në mënyrë që kompanitë franceze të investojnë në Kosovë.

Kjo është vizita e parë e kryeministrit Thaçi në Francë, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, raporton AFP.
XS
SM
MD
LG