Ndërlidhjet

logo-print

Pozita dhe opozita ndajnë mendime të ndryshme lidhur me përgatitjet për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Partitë në pushtet thonë se nuk ka zvarritje, por ato opozitare konsiderojnë se mosshpallja e datës po tregon shenja për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.


Partitë politike thonë se kanë marrë sinjale nga presidenca se data e zgjedhjeve lokale do të shpallet pas shënimit të njëvjetorit të fuqizimit të Kushtetutës, përkatësisht pas datës 15 qershor.

Ndonëse ishte paralajmëruar se kjo datë do të kumtohet nga presidenti Fatmir Sejdiu, javën e kaluar, megjithatë kjo nuk kishte ndodhur, pasi që Sejdiut i ishin dashur edhe disa konsultime shtesë.

Partitë në pushtet thonë se gjithçka është ende në harmoni me ligjin dhe nuk ka nevojë për shqetësime. Por, opozita konsideron se këto janë shenja të qarta se procesi zgjedhor po zvarritet.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, mendon se presidenti, ashtu siç është deklaruar, do ta shpallë datën e zgjedhjeve mbi bazën e konsensusit me të gjitha partitë politike.

Ligjvënësit kosovarë
“Për PDK-në është e rëndësishme që data e mbajtjes së zgjedhjeve të jetë datë që do të jetë fryt i qëndrimeve konsensuale në mes partive politike dhe besojmë se e tërë energjia, potenciali, të gjitha orientimet e partive politike duhet të jenë të drejtuara kah procesi dhe të mos jemi të fiksuar pas datave”,
tha Stavileci.

Ngjashëm me PDK-në, edhe partia partnere e saj në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se nuk ka arsye për shqetësime.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se data e zgjedhjeve nuk do të shtyhet. Duke iu përgjigjur disa shqetësimeve se Sejdiu mund të shtyjë për pjesën e dytë të nëntorit datën e zgjedhjeve, për shkak të presioneve ndërkombëtare që deri atëherë të binden për pjesëmarrje edhe serbët e Kosovës, Manaj thotë se ka bisedime, por jo edhe trysni ndërkombëtare.
Nuk ka shtyrje të caktimit të datës. Gjithçka është brenda afateve ligjore dhe kjo do të ndodhë...

“Nuk ka shtyrje të caktimit të datës. Gjithçka është brenda afateve ligjore dhe kjo do të ndodhë. Askush nuk mund të ofrojë kurrfarë garancie që shtyrja eventuale do të siguronte pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje. Nuk ka trysni ndërkombëtare, sigurisht ka pasur biseda, ndërrim mendimesh, por jo trysni”, theksoi Manaj.

Në anën tjetër, opozita mban pozicionin e njëjtë, sipas të cilit, zgjedhjet duhet të mbahen në tetor. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se mbajtja eventuale e zgjedhjeve në nëntor nënkupton se balotazhi do të mbahet në dhjetor dhe pa vëzhgues ndërkombëtarë.

Po ashtu, e metë tjetër e zgjedhjeve në këtë muaj, sipas tij, mund të jetë moti i ftohtë, i cili do të mund të ndikojë në daljen jomasive të votuesve në zgjedhje.
Po përflitet tashmë që ka mundësi që zgjedhjet të shtyhen deri në fund të muajit nëntor, që është në kundërshtim me kërkesat e shumicës së partive politike...

“Tashmë ekziston vullneti i shumicës së subjekteve politike që zgjedhjet të mbahen në pjesën e dytë të tetorit. Po përflitet tashmë që ka mundësi që zgjedhjet të shtyhen deri në fund të muajit nëntor, që është në kundërshtim me kërkesat e shumicës së partive politike, kurse arsyet janë të paqëndrueshme”, tha Makolli.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nëse do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve për pjesën e dytë të muajit nëntor, kjo do të nënkuptonte injorim të partive politike nga ana e presidentit.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, thotë se shumica e partive politike e kanë preferuar tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se çdo injorim i tyre nënkupton se herëve të tjera partitë politike nuk e kanë për obligim t’i përgjigjen fare presidentit për konsultime, nëse ato nuk përfillen kësaj radhe.

“Pse presidenti i vendit ka zhvilluar konsultime me partitë politike, a është vetëm për ego dhe për kredo të tij, apo me të vërtetë është konsultuar sa për të thënë? Kjo është një goditje edhe e procesit zgjedhor dhe, së dyti, shtrohet çështja se a ia vlen që herëve të tjera t’i përgjigjet ndonjë subjekt politik, që nuk është qeveritar, ftesës së presidentit. Presidenti nuk po e luan rolin e faktorit unifikues të vendit”,
tha Arifi.

Fillimisht ishte paralajmëruar shpallja e datës së zgjedhjeve gjatë javës së kaluar. Kurse sot, partitë politike thonë se kanë marrë sinjale nga presidenca se data e zgjedhjeve do të shpallet pas 15 qershorit, pas kremtimit të 1 vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, edhe sot ka pohuar se Sejdiu do ta shpallë datën brenda afatit ligjor dhe, sipas tij, nuk do të ketë shtyrje të procesit zgjedhor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG