Ndërlidhjet

logo-print

Në gjyqësorin e Kosovës problemet mbesin të njëjta. Deri më tash, sipas zyrtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë rreth 300 mijë lëndë që presin zgjidhje. Ata thonë se faktorët që shkaktojnë një gjë të tillë, janë nga më të ndryshmit.


Numri i lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës vazhdon të jetë shumë i madh. Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës thonë se numri i lëndëve që presin zgjidhje, është rreth 300 mijë. Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj Berisha, shpjegon:

“Lëndët e pazgjidhura janë problem që preokupon gjyqësorin e Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Është një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjyqësorin e Kosovës. Ky numër, domethënë, është në tremujorin e parë të vitit 2009; në të gjitha gjykatat e rregullta dhe në gjykatat komunale për kundërvajtje janë 263 mijë e 406 lëndë të pazgjidhura. Ky është numri i fiksuar i lëndëve të pazgjidhura në tërë gjyqësorin e Kosovës”, tha zonja Berisha.

Në numrin kaq të madh të lëndëve të pazgjidhura, në përgjithësi në gjyqësorin e Kosovës, kanë ndikuar shumë faktorë, pohon ajo.

"Mosefikasiteti i organeve dhe institucioneve shtetërore në përmbushjen e detyrave nga kompetenca e tyre; numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve për të përballuar zgjidhjen me kohë të lëndëve në gjykatë; shpërndarja joadekuate e gjyqtarëve në disa gjykata”.

“Pastaj, numri i pamjaftueshëm i prokurorëve; kushtet e punës (mungesa e hapësirës, numri i pamjaftueshëm i automjeteve për terren, mungesa e teknologjisë informative, stimulimi material i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës etj.); numri i vogël i bashkëpunëtorëve dhe praktikantëve; numri i vogël i ekzekutueseve; çështja e adresave, çështja e dëshmitarëve; pasoja e luftës etj.”,
tha zonja Berisha.

Në anën tjetër, juristët nuk parashohin zgjidhje të shpejtë të problemit. Musa Dragusha, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, përmend po ashtu disa nga problemet e shumta me gjyqësorin e Kosovës, që paraqesin problem në mbarëvajtjen dhe numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura

“Problem që çon te azhuriteti nëpër gjykata, janë edhe pagat e vogla. Pastaj, natyra primitive e sistemit të administratës gjyqësore, në veçanti mungesa e rrjeteve kompjuterike dhe internetit; mungesa e sistemit elektronik të menaxhimit të lëndëve; mungesa e aparaturës teknike për përcjelljen e gjykimeve, një sistem i avancuar i përgatitjes së vazhdueshme profesionale për prokuror, gjyqtar e avokat, me programe të veçanta të praktikimit të ligjeve”.

“Duhet ditur që shumica e njerëzve që janë bartës të funksioneve gjyqësore, nuk kanë pasur më parë përgatitje ligjore, standarde moderne, demokratike dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”,
u shpreh zoti Dragusha.

Gjykatat komunale, sipas zyrtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë ato që prijnë me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura.

Sipas zotit Dragusha, e gjithë kjo situatë në sistemin e drejtësisë po shkaktohet nga mosmenaxhimi i duhur.

“Në fakt, pengesat kryesore janë në menaxhim. Paaftësia e vazhdueshme e kosovarëve që të menaxhojnë me sistemin e drejtësisë, është problemi kyç. Kjo paaftësi rezulton me faktin që që katër vjet nuk është përkushtimi të nxirren këto ligjet sistemore, me të cilat do të reformohej sistemi i drejtësisë”, tha zoti Dragusha.

Edhe njohës të tjerë të drejtësisë mendojnë se një nga mënyrat më të mira që mund të çojë kah zgjidhja e problemit të numrit të madh të lëndëve gjyqësore, është miratimi i infrastrukturës ligjore, që besohet se do të çojë në reformim të sistemit të drejtësisë.

Ndërsa, në disa hulumtime të fundit të organizatave ndërkombëtare thuhet se vonesat në zgjidhjen e çështjeve gjyqësore dhe juridike zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG