Ndërlidhjet

BE: Pesimizmi për të ardhmen


Grafiku tregon rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Grafiku tregon rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Partitë e qendrës së djathtë kanë arritur fitore kundër partive të majta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që përfunduan të dielën. Në zgjedhje u pa edhe një sukses i partive të ekstremit të djathë dhe anti-imigrimit, në Britani, Holandë, Austri, Danimarkë, Sllovaki dhe Norvegji. Megjithatë, dalja në këto zgjedhje duket se ishte e nivelit rekord të ultë; në zgjedhje dolën 43% nga 375 milionë njerëz me të drejtë vote, në 27 vende të Bashkimit Evropian.


Në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, me disa përjashtime, votuesit kaluan fundjavën me familjet e tyre. Pavarësisht rënies ekonomike, qendra e djathtë doli fituese e ditës, kurse socialistët dhe liberalët humbën në terren. Grupe të partive të së djathtës ekstreme gjithashtu fituan disa ulëse.

Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve, në emër të Komisionit Evropian, Xhoakin Almunia, tha:

“Mendoj se rezultati tregon se Parlamenti Evropian do të ketë një përbërje të ngjashme, një kategorizim të ngjashëm të grupeve politike dhe të rëndësisë politike të familjeve të ndryshme politike në Evropë”, tha Almunia.

Në Evropën perëndimore, votuesit dukeshin të kënaqur me status quo-në, pavarësisht ndikimit të madh të krizës ekonomike. Në Gjermani, Francë dhe Itali, partitë në pushtet të qendrës së djathtë lehtësisht fituan në votime.

Në Spanjë, partia konservative popullore, tani në opozitë, mundi socialistët në pushtet.

Fushata elektorale në këto shtete u dominua nga shqetësimet në lidhje me globalizimin dhe zgjerimin, ku pjesë qendrore ishin çështjet në lidhje me emigracionin dhe krimin.

Në Holandë, ku minoriteti mysliman është i gjerë, dhe në Austri, e cila është e pavendosur rreth qasjes së BE-së në Ballkan, partitë e së djathtës ekstreme përfituan nga këto shqetësime dhe morën një pjesë të madhe të votave.

Në Britani, ku skandali mbi shpenzimet e parlamentit ka goditur institucionet politike, Partia Kombëtare, si pjesë e së djathtës kundër imigracionit britanik, fitoi për herë të parë dy ulëse.

Në Evropën Lindore, ku për herë të dytë po mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, votuesit dukeshin më të dezorientuar. Në vendet më të prekura nga kriza ekonomike, si Estonia, Letonia, Lituania, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, kishte tendenca për të ndëshkuar partitë në pushtet.

Në përgjithësi, pjesëmarrja në zgjedhje prej 43 %, paraqet rënien më të madhe të BE-së që nga viti 1979, kur Parlamenti Evropian u zgjodh në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Zëvendëspresidentja në largim për Komunikim dhe Strategji në Komisionin Evropian, Margot Vallstrom, shprehu keqardhje për pjesëmarrjen e ultë në zgjedhje.

“Kjo është shumë zhgënjyese dhe duhet të jetë zhgënjyese për Parlamentin Evropian, i cili ka investuar shumë në fushatën për këto zgjedhje, me qëllim të mobilizimit të votuesve. Mendoj se arsyeja kryesore për këtë, ishte mënyra e zhvillimit të debatit, i cili ishte kombëtar dhe do të duhej të fitonte një karakter evropian”, u shpreh Vallstrom.

Për të arritur këtë, pasardhësi i Vallstromit do të ballafaqohet me dy sfida: e para, Parlamenti Evropian, nga votuesit, me të drejtë perceptohet si organ që nuk ka shumë fuqi.

Edhe pse 80 për qind e këtij parlamenti merret me çështje si standardet e brendshme tregtare, të drejtat e konsumatorëve dhe normat ambientale, çështjet si politikat e jashtme, ato të shtetësisë, politikat kyçe të migrimit, politikat buxhetore dhe të tjera, mbesin në juridiksionin e qeverive të 27 shteteve anëtare.

Sfida e dytë është mungesa e një unifikimit të BE-së në fushën politike.
XS
SM
MD
LG