Ndërlidhjet

Shefer: Nuk ka vendim për reduktim të KFOR-it


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, deklaroi se “do të shqyrtohet e ardhmja e KFOR-it”, por ka theksuar se ende nuk ka kurrfarë vendimi për zvogëlimin e trupave të aleancës në Kosovë dhe për këtë arsye, sipas tij, “të gjitha spekulimet janë të parakohshme”.

Këto komente ai i bëri mbrëmë në Bruksel, lidhur me deklaratat e një zyrtari amerikan, i cili tha se KFOR-i, deri në fund të vitit, do ta zvogëlojë numrin e ushtarëve prej 15 mijë, sa ka tash, në 10 mijë.

“Nëse do të ketë ndonjë vendim, ai do të jetë rezultat i analizës së plotë të situatës politike dhe ushtarake në Kosovë", tha zoti Shefer.

Lidhur me raportet për zvogëlimin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturai, tha se “kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të ministrave të mbrojtjes”, duke theksuar se “nuk është marrë vendim lidhur me çfarëdo ndryshimi në KFOR”.

Duke i komentuar raportet për reduktim të trupave të KFOR-it, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha në Paris se “nuk shohim asgjë dramatike në këtë reduktim të forcave ushtarake të NATO-s”.

Më tutje, ai u tha reporterëve se “ky është fakt që tregon në favor të klimës së stabilitetit që ka ardhur në Kosovë”.
XS
SM
MD
LG