Ndërlidhjet

"Sarkozi: Pavarësia e pakthyeshme"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
22 ose 29 nëntori i këtij viti, sipas të gjitha gjasave, janë bërë tani data të preferuara të kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, për mbajtjen e rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, të parat në shtetin e pavarur të Kosovës. Burimet diplomatike i kanë deklaruar gazetës “Zëri” që organizimi eventual i zgjedhjeve për pushtetin komunal në këto data nuk lidhet fare me pjesëmarrjen eventuale të komunitetit serb në këto votime, sepse aktualisht nuk ka shenja që qytetarët serbë të Kosovës do të mund të marrin pjesë masivisht në këto votime – për shkaqe të njohura që lidhen me kundërshtimin e ashpër të Beogradit zyrtar të Propozimit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari. Një diplomat perëndimor deklaroi për “Zërin”, me kushte anonimiteti, që, sipas të gjitha gjasave, Beogradi do ta lujaë lojën e vjetër, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në këto zgjedhje, duke lënë zvarrë gjithçka, por duke hequr dorë prej tyre, pos nëse ato do të organizoheshin me rregullativën e vejtur të UNMIK-ut, e jo me atë të renë të Kosovës, që bazohet mbi Pakon e Ahtisarit...

BOTA SOT

Drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë, në një konferencë shtypi, prezantuan raportin e punës së prokurorive publike të Republikës së Kosovës për vitin 2008. Këtë raport e ka përgatitur Zyra e Statistikës dhe Analitikës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, e vlerësoi lart punën e Zyrës së Statistikës dhe Analitikës për punën e bërë. Gjithashtu, ajo tha se ky raport pasqyron punën e prokurorive në vitin 2008, pra vetë prezantimi i këtij raporti, sipas ministres Kelmendi, tregon për transparencën e Ministrisë së Drejtësisë. “Ky raport reflekton punën e prokurorive të bërë gjatë vitit 2008. Raporti pasqyron punën nga aspekti i lëndëve dhe përfshin vetëm segmentin kualitativ dhe kuantitativ. Raporti nuk përfshin ndonjë analizë tjetër, e cila nuk bie në fushëveprimin e tij, përkatësisht ajo analizë bie në fushëveprimin e Agjencisë Anti-Korrupsion”, tha Ministrja Kelmendi. Ministrja Kelmendi, ndër të tjera, tha se Ministria e Drejtësisë është në fazën e fillimit të reformave të gjyqësisë dhe prokurorisë, konkretisht për krijimin e infrastrukturës ligjore...

EPOKA E RE
Është i bindur se zgjedhjet lokale do të mbahen këtë vit. Premton se shumë shpejt do të bëhet publike edhe data e zgjedhjeve, në të cilat i fton edhe serbët të marrin pjesë. Ndërkaq, pavarësisht anashkalimeve që i janë bërë Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi, ka shprehur përkushtimin për fqinjësi të mirë. Është shprehur se Kosovën do ta njohin edhe shumë shtete të tjera, e sidomos nga Amerika Latine dhe Konferenca Islamike. Sipas tij, të gjithë mund të kontribuojnë në lobimin për njohje, por nuk mund të anashkalohen kompetentët. Ka deklaruar se do ta vizitojë pjesën më problematike të vendit, veriun e Kosovës. sigurinë në vend e ka vlerësuar stabile, ndërkaq është shprehur se dikë po e pengojnë të arriturat në Kosovë... Ekskluzivisht për “Epokën e re” flet presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu...

LAJM
Pas intervistimit të dhjetë të “ngarkuarve me punë”, Komisioni parlamentar për punë të jashtme, këtë të mërkurë, do t’i intervistojë dhe kandidatët tjerë, të cilët kanë hyr ënë listën e ngushtë të konkurrentëve për ambasadorë të Kosovës në botë. Për secilin post vakant në 18 misione diplomatike janë përzgjedhur nga tre kandidatë... Ministria e Punëve të Jashtme në konfidencë i ka dorëzuar, të premten, listën e kandidatëve të përzgjedhur vetëm kryetarit të Komisionit për punë të jashtme të Kuvendit të Republikës së Ksoovës, Sabri Hamiti, ndërsa dhjetë anëtarëve të Komisionit jo, për shkak të, siç thuhet, konfidencialitetit. “Listën e ka marrë veç kryetari i Komisionit, ne e marrim të mërkurën dhe fillojmë t’i intervistojmë po atë ditë kandidatët, në fakt mbajmë seanca dëgjimore për kandidatët e përzgjedhur dhe japim preferenca...”, tha Ibrahim Gashi, anëtar i Komisionit për punë të jashtme në Kuvendin e Kosovës...

KOHA DITORE
Republika e Francës vazhdon të mbështesë Republikën e Kosovës. këtë garanci e ka marrë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e tij me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi, të hënën, në Paris. Franca, po ashtu, ka mbështetur dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Presidenti i ka thënë kryeministrit Thaçi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kosova ka një të ardhme, sikur edhe pjesa tjetër e Ballkanit, në Bashkimin Evropian”, ka thënë një burim nga Zyra e presidentit francez, pas takimit... Në takimin Sarkozi-Thaçi, i cili zgjati rreth 20 minuta, përveç përkrahjes franceze për shtetin e Kosovës dhe procesin e integrimit në BE, është diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, si dhe për pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, bëri të ditur Zyra e kryeministrit të Kosovës, përmes një komunikate për media...

INFOPRESS
Parlamentarët kroatë kanë premtuar të hënën në Prishtinë se do të ndihmojnë Parlamentin e Kosovës në gati secilin aspekt. Deputetët kroatë, Nevenka Marinoviq dhe Goran Beus Richembergh, kanë takuar të hënën kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi, ku dhe ia kanë shprehur këtë përkrahje. “Kemi ardhur këtu për të diskutuar shumë çështje me interes të përbashkët dhe për të nxitur bashkëpunim të mëtejmë ndërparlamentar. Të gjitha komisionet e Parlamentit të Kroacisë janë të gatshme për këmbim përvojash dhe thellim të bashkëpunimit të mëtejmë”, ka thënë gjatë takimit me Krasniqin, Marinoviq. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kosova i është mirënjohëse Kroacisë për ndihmën që po jep, ndërkaq ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm...

KOSOVA SOT
Nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve dhe për këtë nuk ka nevojë për shqetësim. Zëdhënësi i presidentit Fatmir Sejdiu, Xhavit Beqiri, ka hedhur poshtë spekulimet se sivjet nuk do të mbahen zgjedhjet lokale. Ai ka thënë të hënën për “Kosova sot” se zgjedhjet do të mbahen sipas afateve të parapara ligjore dhe kushtetuese. “S’ka shtyrje të mbajtjes së zgjedhjeve, s’ka nevojë për shqetësim dhe zgjedhjet sigurt do të mbahen këtë vit, në afatin e paraparë ligjor dhe kushtetues”, ka thënë Beqiri. Megjithatë, Beqiri nuk ishte në gjendje të thotë se kur presidenti Sejdiu do t’i thërrasë për konsultime partitë politike, siç kishte premtuar më herët. “Krejt çka mundem t’ju them është se zgjedhjet do të mbahen gjithsesi këtë vjeshtë”, është shprehur ai...

EXPRESS
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë të hënën se ministri serb, Goran Bogdanoviq, i cili u bëri thirrje komunave veriore të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe t’i shmangen dhunës, kishte hyrë të premten në territorin e vendit në cilësinë e banorit të Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka thënë për “Express” se zoti Bogdanoviq kishte hyrë në Kosovë të premten, përmes portës 1. “Ai është banor i Leposaviqit, shtetas i Kosovës. Ka hyrë në cilësinë e qytetarit”, ka thënë Beka. Zoti Bogdanoviq ishte ndaluar në një seri orvatjesh të futej në territorin e Kosovës nga organet kosovare të rendit. Këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Fisnik Rexhepi, i ka thënë “Expressit” se Bogdanoviq do të merrte të njëjtën përgjigje po qe se do të kërkonte edhe kësaj radhe vizitë zyrtare. “Por, i ashtuquajturi ministër për Kosovën është edhe shtetas i Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të ndalojmë asnjë shtetas të vendit tonë që të hyjë në Kosovë”, ka thënë Rexhepi. Sipas tij, megjithatë, Bogdanoviq ka tejkaluar natyrën e vizitës së tij...
XS
SM
MD
LG