Ndërlidhjet

Kallëzim penal kundër Ivanoviqit dhe Jakshiqit


Stacioni policor në Prishtinë

Stacioni policor në Prishtinë

Policia e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal kundër dy liderëve të Këshillit Kombëtar Serb, Millan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq, për, siç thuhet, thirrjet publike për djegien e vendkalimeve 1 dhe 31 në veri të Kosovës.


Policia e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal dhe ia ka dërguar atë Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë kundër dy politikanëve serbë të veriut, Marko Jakshiq dhe Millan Ivanoviq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se i mbetet Prokurorisë së Qarkut, e cila edhe ka kërkuar zhvillimin e hetimeve, që t’i nisë ose jo procedurat penale kundër Jakshiqit dhe Ivanoviqit.

Kallëzimi penal është bërë pas thirrjes publike që të dy kanë bërë në një tubim në Mitrovicë, në shkurt të këtij viti, për shkatërrimin e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

“Policia ka tentuar që t’i zhvillojë rrethanat në lidhje me këtë rast. Ne kemi thirrur për intervistë zotin Jakshiq dhe Ivanoviq. Të njëjtit kanë refuzuar dhe nuk janë paraqitur në organet hetimore të Policisë së Kosovës”.

“Ndërsa, Policia e Kosovës, shënimet e mbledhura me këtë rast, ia ka dërguar përsëri për inicimin e procedurës penale Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë. Tash i mbetet prokurorisë, nëse ka prova të mjaftueshme, për të ngritur procedurë penale ndaj këtyre dy përfaqësuesve politikë”, tha Hoti.

Politikanët Millan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq, të dy udhëheqës të Këshillit Kombëtar Serb, kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka bazë mbi të cilën do të iniciohej kallëzimi penal.

“E tërë kjo është gënjeshtër. Është presion mbi serbët, që t’i frikësojnë ata për të vazhduar kështu spastrimi etnik nga institucionet e Kosovës dhe nga Shërbimi Policor i Kosovës”, thotë Millan Ivanoviq.

Ndërsa, Jakshiq ka thënë se ky është presion mbi njerëzit që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

“Është presion ndaj njerëzve që angazhohen për ruajtjen e territorit të Kosovës në përbërje të shtetit serb”, tha Jakshiq, duke i quajtur akuzat si të pabaza.

Pika kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.
Serbët, vitin e kaluar, patën djegur pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinë dhe Zubin Potok, në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë. Një thirrje publike për shkatërrim të ngjashëm të këtyre pikave, sipas Policisë së Kosovës, është bërë nga Jakshiq dhe Ivanoviq, në një protestë të mbajtur para pak kohësh.


Serbët lokalë vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen e doganave në këto dy pika kufitare. Ata edhe sot (të martën) kanë protestuar, duke kërkuar që nëse do të duhej të ketë zhdoganim të mallrave, ato para të shkojnë në Beograd dhe jo në Prishtinë.

Në të vërtetë, këto dy vendkalime kanë qenë jashtë funksionit për muaj të tërë, duke i shkaktuar kështu humbje të mëdha buxhetit të Kosovës, për shkak të rritjes së kontrabandës.

Për t’i evituar këto humbje, kohët e fundit, misioni evropian për sundimin e ligjit (EULEX) ka nisur regjistrimin e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Serbët lokalë kanë kërkuar nga EULEX-i që ta ndalojë këtë aktivitet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG