Ndërlidhjet

logo-print

Opozita bashkohet rreth datës së zgjedhjeve


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Partitë opozitare nënshkruan një marrëveshje, me të cilën kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Nga Presidenca e Kosovës edhe sot u tha se presidenti Sejdiu do ta shpallë datën e zgjedhjeve pas konsultimeve shtesë.


Partitë opozitare në Kosovë kanë nënshkruar sot (e marte) një marrëveshje, me të cilën i kërkohet presidentit Fatmir Sejdiu që të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale gjatë gjysmës së dytë të tetorit.

Tri partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës janë mbështetur edhe nga tri parti jashtë Parlamentit.

Në marrëveshjen e përbashkët të këtyre gjashtë subjekteve politike shprehet shqetësimi me zvarritjet evidente në procesin e përgatitjes për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat thuhet se janë shfaqur në trajtë të shtyrjes se konsultimeve të presidentit Sejdiu me partitë politike dhe të shpalljes së datës së këtyre zgjedhjeve.

Marrëveshja është lexuar nga Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re.
Ne, nënshkruesit e kësaj Marrëveshjeje, jemi të bindur që kjo është koha më e mirë për organizimin e zgjedhjeve lokale, për shkak se në këtë mënyrë do të mundësohet një dalje më e madhe e votuesve në zgjedhje.

“Shpallim këtë marrëveshje; AKR, LDD, AAK, ORA, PD dhe PSD propozojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, gjë që është plotësisht në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet Lokale”.

“Ne, nënshkruesit e kësaj Marrëveshjeje, jemi të bindur që kjo është koha më e mirë për organizimin e zgjedhjeve lokale, për shkak se në këtë mënyrë do të mundësohet një dalje më e madhe e votuesve në zgjedhje, gjë që është interes i përbashkët i të gjitha partive politike”,
tha Makolli.

Marrëveshja e opozitës për zgjedhjet u tha se do t’i procedohet presidentit të Kosovës, si autoriteti kompetent për shpalljen e datës së zgjedhjeve të lira.

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, rikujtoi trendin në rritje të daljes së ultë të votuesve në zgjedhje, çka, sipas tij, është reflektuar edhe në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Kurse Kosova, shtoi Shala, tashmë ka një praktikë të daljes së ultë të votuesve ditën e zgjedhjeve.

“Evropa po shqetësohet, alamet Evrope, me gjithë atë bagazh demokratik, që kanë dalë vetëm 43 për qind e votuesve, e ne në Kosovë nuk po shqetësohemi se në vitin 2007 na kanë dalë vetëm 42 për qind e votuesve. Ky është synimi i këtyre gjashtë partive politike”.

“Ne absolutisht nuk e dimë se cili është votimi i qytetarëve që do të dalin në votime. Ata ndoshta do të votojnë për ne, ndoshta votojnë për partitë që janë në koalicion, por dëshira jonë është që të kemi një dalje sa më të madhe, sepse në këtë mënyrë do të legjitimohet pushteti i parë lokal në Republikën e pavarur të Kosovës”,
tha Shala.

Ndërkohë, Lulëzim Zeneli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, tha se Kosova duhet të dëshmojë funksionimin e saj si shtet përmes institucioneve demokratike, kurse kushti i parë për këtë është mbajtja e zgjedhjeve sipas kritereve demokratike.

Mbajtja e zgjedhjeve do të adresonte edhe një çështje që ka të bëjë me kredibilitetin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Nëse kjo normë respektohet, atëherë ne si shtet i pavarur e kemi dhënë një provim, i cili është thelbësor për vazhdimësinë e ecjes së shtetit të pavarur të Kosovës”, theksoi Zeneli.

Duke iu përgjigjur kërkesave të opozitës, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, tha se presidenti Fatmir Sejdiu do ta caktojë datën e zgjedhjeve pas një raundi të ri konsultimesh me partitë politike dhe me KQZ-në.
Presidenti Sejdiu do ta caktojë datën e zgjedhjeve pas një takimi që do ta ketë me drejtuesit e të gjitha subjekteve politike që janë të regjistruara në KQZ dhe pas konsultimeve që do t’i ketë me vetë KQZ-në...

Presidenti Sejdiu do ta caktojë datën e zgjedhjeve pas një takimi që do ta ketë me drejtuesit e të gjitha subjekteve politike që janë të regjistruara në KQZ dhe pas konsultimeve që do t’i ketë me vetë KQZ-në, gjithmonë duke i respektuar afatet ligjore”.

“Partitë opozitare, tashmë të gjitha, i kanë deponuar propozimet e tyre me shkrim te presidenti Sejdiu, në takime që i ka zhvilluar me udhëheqësit e këtyre subjekteve politike”,
tha Beqiri.

Organizimi i zgjedhjeve në muajin tetor, sipas opozitës, do të mundësonte praninë monitoruese ndërkombëtare, që zgjedhjet t’i përmbushin kriteret për të qenë të lira dhe demokratike.

Po ashtu, në marrëveshje thuhet se rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave do të mbahej në gjysmën e nëntorit, kurse konstituimi i qeverisjes lokale do të bëhej në pjesën e parë të muajit dhjetor, apo para përfundimit të vitit.

* * * * * * * * * *

Analistët politikë në Kosovë konsiderojnë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhje, zvarritja e përcaktimit të datës së zgjedhjeve nuk është e arsyeshme. Një zvarritje të tillë, ata e vlerësojnë si mesazh jo të mirë për votuesit.

Analisti Driton Lajçi thotë se nuk sheh ndonjë arsye që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të vonojë publikimin e datës.

“Kjo zvarritje shpërndan mesazh jo të mirë për pjesëmarrësit në zgjedhjet lokale, për monitoruesit e zgjedhjeve lokale, si dhe në përgjithësi për elektoratin në Kosovë. Nuk ka arsye të zvarritjes së datës”.

“Është obligim kushtetues i presidentit të Kosovës në kuadër të mandatit zgjedhor, që brenda vitit 2009 të shpallë datën e zgjedhjeve. Nuk është oportune, profesionale që ajo të shtyhet”,
u shpreh Lajçi.

Ngjashëm pohon dhe analisti Ramush Tahiri. Ai thotë se nuk ka ndonjë faktor që mund të ndikojë në moscaktimin e datës së zgjedhjeve, duke shtuar se ato duhet mbajtur në përputhje me Kushtetutën, e jo, siç thotë ai, sipas dëshirave partiake.

Pamje në Prishtinë
“Data e zgjedhjeve nuk varet prej dëshirave partiake, sepse kjo është miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicën e votave - mbetet që presidenti, pas konsultimeve, nëse ka ndonjë arsye të jashtëzakonshme ose jo për të shtyrë zgjedhjet, ose për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme përpara...”


“Tash nuk ekziston asnjë faktor që zgjedhjet të shtyhen ose të ketë nevojë të mbahen një muaj përpara, por duhet të mbahen në kohën e përcaktuar me Kushtetutë”,
tha Tahiri.

Javën që shkoi qe paralajmëruar të caktohet data e zgjedhjeve lokale, por nga Zyra e presidentit Sejdiu ishte bërë e ditur se vetë presidenti ka ende nevojë për konsultime me partitë politike dhe institucionet tjera.

Madje, së fundi është thënë se përfaqësuesit e institucioneve po presin që edhe serbët e Kosovës të binden për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Por, për analistin Tahiri një veprim i tillë nga ana e institucioneve është i paarsyeshëm.

“Ne kishim shtyrje në mandatin e kaluar, për arsye të caktuara që ndërlidheshin me statusin e Kosovës dhe me shpalljen e pavarësisë. Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendim që zgjedhjet të shtyhen, nëse konsideron se serbët kanë shprehur dëshirë të marrin pjesë në zgjedhjet komunale në Kosovë dhe ky është faktori kryesor për t’u shtyrë zgjedhjet - atëherë mund të marrin një vendim të tillë”.

“Por, unë nuk konsideroj që është faktor i mjaftueshëm, sepse është obligim kushtetues dhe ne duhet të mësohemi të respektojmë Kushtetutën dhe ligjshmërinë”,
u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, analisti Lajçi, përpjekjet për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, i konsideron humbje kohe, pasi që, siç thotë ai, është Beogradi ai që vendos për pjesëmarrjen e tyre ose jo në këto zgjedhje.
Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale tashmë është në Beogradin zyrtar, aty është qendra e vendosjes së pjesëmarrjes së tyre apo jo....

“Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale tashmë është në Beogradin zyrtar, aty është qendra e vendosjes së pjesëmarrjes së tyre apo jo. Institucionet e Kosovës nuk kanë aq fuqi, ndikim, që ta detyrojnë Beogradin që t’i ftojë serbët lokalë që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë”.

“Institucionet e Kosovës duhet të punojnë paralelisht në përgatitjet teknike, juridike, politike për mbajtjen e zgjedhjeve dhe, në anën tjetër, vazhdimisht të ftojnë elektoratin serb dhe partitë serbe që të marrin pjesë në zgjedhje. Pra, unë e shoh ketë angazhim në dy binarë, pa ndonjë arsye për shtyrjen e tyre”,
pohoi Lajçi.

Aktualisht thuhet se ka një pajtim të gjerë në mes të partive politike, që zgjedhjet lokale të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Por, dallimet qëndrojnë tek data e zgjedhjeve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG