Ndërlidhjet

Punësimi sezonal - peng i krizës globale


Zyrtarët kosovarë premtojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Por, sa i përket punësimit sezonal të kosovarëve në vendet perëndimore, ata nuk japin shpresa të mëdha, duke pohuar se kriza globale po reflekton negativisht në këtë proces.


Qeveria e Kosovës vazhdimisht është duke bërë përpjekje për uljen e papunësisë, e cila në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, është 40 për qind.

Zbutjen e papunësisë, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është duke e ndihmuar edhe punësimi sezonal, i cili tani ka filluar në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, pohon se një problem mjaft serioz po parqet kriza ekonomike globale, e cila, sipas tij, ka përfshirë pikërisht vendet ku Kosova ka synuar të dërgojë punëtorë sezonalë.

“Kalimi i krizës jep mundësinë edhe të relaksimit të situatës. Jemi në presion të vazhdueshëm nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ta zbusim çështjen e papunësisë në Kosovë, e cila është enorme dhe e cila po ndikon në çështjet e varfërisë”,
thotë zoti Dedaj.

Ai bën të ditur se gjatë kësaj jave do të udhëtojë në Konferencën Ndërkombëtare të Punës, e cila do të mbahet në Gjenevë dhe se atje do të kërkohet nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vendet e tjera, që në një të ardhme të mundësohet punësimi sezonal i kosovarëve në këto vende.

“Ministria e Punës, si dizajnuese e politikave të punësimit, do të bëjë përpjeke të vazhdueshme që të ndërtojë marrëveshje bashkëpunimi me ministritë homologe dhe me qeveritë e vendeve të ndryshme në aspektin e punësimit dhe të çështjeve sociale”, deklaroi zoti Dedaj.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës thonë se prioritet do ta kenë punësimin e qytetarëve të aftë për punë dhe krijimin e kushteve më të mira socio-ekonomike. Ata pohojnë se do të punojnë që qytetarët e aftë për punë të vihen nën kontroll dhe të punësohen, në mënyrë që, sipas tyre, të ndërtohet një strategji për të tejkaluar këtë situatë.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ekonomike, punësimin sezonal e shohin si një ndihmesë afatshkurtër, që do të mund të gëzojë disa familje, porse, siç thuhet, s’do të mundësojë dhe daljen nga varfëria.

Isa Tahiri, ekspert për çështje ekonomike, thotë se marrëveshjet, të cilat do të mund të nënshkruhen me vendet e Ballkanit, do të ndihmonin në përmirësimin e standardit jetësor të kosovarëve.

“Të gjitha këto të ardhura, të cilat do të mund të fitohen nga punësimi sezonal, do të ndikojnë në GDP-në e Kosovës dhe në zbutjen e krizës ekonomike sociale. Por, nuk do të jenë afatgjate, ato mund të zbusin vetëm anën individuale të ndonjë familjeje”, shprehet profesor Tahiri.

Ai sugjeron Qeverinë e Kosovës që të punojë në nënshkrimin e marrëveshjeve për liberalizimin e tërësishëm të vizave me vendet e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, sipas raportit të fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për punën dhe punësimin në vitin 2008, rreth 335 mijë persona janë të regjistruar si të papunë në shërbimet publike të punësimit në Kosovë. Shumica prej tyre janë shqiptarë të pakualifikuar.

Gjatë vitit 2008 nuk kanë munguar as vendet e punës, porse për një vend të lirë thuhet se është dashur të konkurrojnë brenda muajit 581 të papunë.
XS
SM
MD
LG