Ndërlidhjet

Racizmi në ish-vendet komuniste


Ndërsa Evropa Lindore përgatitet ta shënojë 20-vjetorin e rënies së komunizmit, shumë vende nga ish-blloku komunist e kanë gjetur veten të mbërthyer në spiralen e dhunës raciste.


Në vitet e fundit, grupet ultra-nacionaliste në rajon kanë marrë hov dhe është shtuar dukshëm numri i viktimave.

Një nate vjeshte, pothuaj para 12-vjetësh, i riu Dushan Jovanoviq doli nga shtëpia e tij në Beograd, për të blerë një pije freskuese. Ai kurrë nuk arriti në shitore.
Babai e gjeti trupin e pajetë të djalit të vet, të rrahur për vdekje nga një grup të rinjsh, vetëm disa minuta më vonë, në afërsi të shtëpisë së tij.

Dushani ishte romi i parë në Serbi, i cili vdiq nga një sulm me motiv racist.

Që nga vrasja e tij, sulmet drejtuar minoriteteve etnike, veçanërisht romëve, si një ndër grupet më të viktimizuara në Serbi, kanë vazhduar pa u ndalur.

Një rom tregon se si është sulmuar nga serbët vitin e kaluar.

“Më sulmuan pa arsye dhe më rrahën në mënyrë brutale. U rrezova përtokë dhe mezi arrita të kthehem në shtëpi”, thotë ai.

Serbia nuk është i vetmi vend ku ndodhin gjëra të tilla.

Gjate dekadës së kaluar, shtetet e ish-bllokut komunist kanë shërbyer si tokë pjellore për ultra-nacionalizëm dhe dhunë raciste.

Në Rusi, gjatë këtij viti është raportuar për 30 vrasje që u kryen nga motive të urrejtjes. Ky numër është relativisht i ulët në krahasim me 66 viktimat, për të cilat u raportua gjatë pesë muajve të parë të vitit 2008.

Por, përqindja e sulmeve raciste dhe të neo-nacistëve, për të cilat është raportuar në 20 rajone të Rusisë, është ende tmerrësisht e lartë.

Raste të ngjashme janë regjistruar, në një shkallë më të ulët, në Ukrainë, Bjellorusi dhe vende të tjera.

Ksenofobia manifestohet në mënyra të ndryshme dhe me intensitet të ndryshëm në secilin shtet.

Por, nga vendi në vend, në rajonet post-komuniste, ndjenjat ksenofobike duket se kanë burimin e njëjtë, thotë kryetari i Qendrës për Studime Etnologjike dhe antropologjike në Moskë, Emil Pejn.

“Arsyeja kryesore është kriza e identitetit: sistemi i vjetër ka kaluar dhe një sistem i ri ka filluar të krijohet. Të gjitha këto shtete janë duke kaluar nëpër procese kombëtare. Kjo mund të shihet si një fenomen negativ, por duhet të kuptojmë se ai shfaqet në shoqëritë post-imperiale dhe post-totalitare”, thotë Pejn.

Modeli i komunizmit, pohon Pejn, ka prodhuar gjithashtu një kulturë të përgjithshme të jotolerancës, të cilën vendet post-komuniste duhet ta zhveshin.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë në Beograd, Millosh Teodoroviq, ishte bashkautor i filmit “Gjaku i nxehtë”, që flet për një grup ultra-nacionalist, të quajtur “Nacionalni Stroj”.

Qëllimi fillestar i filmit ishte të analizohet detajisht ky grup - atëherë një organizatë e margjinalizuar, por pastaj Teodoroviq dokumentoi rritjen e këtij grupi - një rritje që, sipas tij, u fuqizua nga mbështetja politike e Beogradit.

“Në atë vit Kosova shpalli pavarësinë dhe shumë gjëra të tjera ndodhën, si për shembull arrestimi i ish-liderit të serbëve në Bosnjë, Radovan Karaxhiq. Gjatë kësaj periudhe, kjo organizatë e vogël u bë shumë e fuqishme dhe shumë e zëshme".

"Përshtypja ime është se kjo nuk ndodhi rastësisht, por e kishte mbështetjen e disa partive të forta, përfshirë Partinë Demokratike të Vojisllav Koshtunicës, i cili si kryeministër i atëhershëm donte t’ia transmetonte Bashkimit Evropian se Serbia nuk pranon një Kosovë të pavarur. Ai e përdori këtë organizate për të dërguar mesazhin e tij”,
tha Teodoroviq.

Në Serbi ka pasur relativisht pak vdekje me motive raciste, për shkak se sulmuesit kanë pushuar së rrahuri viktimat pak para vdekjes.

Por, në Ballkanin akoma të mbështjellë nga pasojat e një lufte të përgjakshme ndëretnike, ultra-nacionalizmi ka një potencial shpërthyes.

Fitorja në zgjedhjet presidenciale të shkurtit të 2008-ës e reformatorit Boris Tadiq, i cili premtoi se do të shtypë ultra-nacionalizmin, ka qetësuar dhunën ksenofobike, duke i ilustruar kështu lidhjet e ngushta ndërmjet strukturave të pushtetit dhe ksenofobisë.
XS
SM
MD
LG