Ndërlidhjet

KFOR-i, i domosdoshëm në Kosovë


Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicë...

Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicë...

Prania ushtarake e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, do të jetë e domosdoshme për Kosovën dhe për një kohë të gjatë, thonë ekspertët e çështjeve të sigurisë. Sipas tyre, KFOR-i i duhet Kosovës për një siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.


Edhe pas dhjetë vjetësh të hyrjes së trupave të NATO-s, përkatësisht KFOR-it, Kosova ka ende nevojë për këtë prani ushtarake, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të sigurisë.

Sipas tyre, nuk janë vetëm rrethanat e brendshme që e kushtëzojnë praninë ushtarake të KFOR-it edhe në të ardhmen, por edhe rrethanat ekzistuese në rajon, marrë parasysh pozicionin dhe raportet e Serbisë ndaj Kosovës.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se gjendja e sigurisë në Kosovë, dhjetë vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, është e kënaqshme, por jo edhe tërësisht stabile. Ai numëron disa faktorë që ndikojnë në vazhdimin e një gjendjeje të brishtë.

Paqeruajtësit belgë të KFOR-it...
“Së pari, një pjesë e territorit tonë, përkatësisht ajo (pjesa) veriore nuk kontrollohet nga qeveria jonë. Së dyti, strukturat paralele serbe janë ende duke vepruar dhe nuk kemi arritur që t’i kundërvihemi politikës destruktive të Beogradit zyrtar. Mandej, veprojnë mjaft shërbime të ndryshme të huaja të inteligjencës, sidomos shërbimi serb”,
thotë Qehaja.

Ndërsa numëron disa faktorë që vazhdojnë ta kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Qehaja përmend edhe ngritjen e ngadalshme të strukturave vendase të sigurisë.

“Nuk kemi arritur të kemi një forcë vetanake të sigurisë; ajo është e paoperacionalizuar dhe në fazën fillestare të formësimit të saj. Mandej, agjencia e inteligjencës ende nuk ka arritur të formohet, si dhe Policia e Kosovës nuk ka filluar të riorganizohet, sepse ka ende mjaft shumë dobësi në policinë aktuale”, thekson Qehaja.

Ndërkohë, analisti tjetër i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, thotë se intervenimi i NATO-s dhe vendeve të tjera që përfaqësohen në KFOR, ishte i domosdoshëm për lirinë e Kosovës, kurse prania e këtyre trupave edhe tani është e domosdoshme për një gjendje normale, marrë parasysh kapacitetet vendase.
Ushtrinë nuk e kemi dhe për një kohë të gjatë... Duke iu falënderuar po këtyre forcave që ndërhynë në Kosovë, gjendja e sigurisë mbahet ende në gjendje normale.

“Ushtrinë nuk e kemi dhe për një kohë të gjatë, sigurisht edhe për një dekadë. Shërbimin informativ nuk e kemi ende, e kemi vetëm drejtorin. Duke iu falënderuar po këtyre forcave që ndërhynë në Kosovë, gjendja e sigurisë mbahet ende në gjendje normale”, thotë Musliu.

Sipas analistit Musliu, pakënaqësitë sociale paraqesin një kërcënim për stabilitetin e brendshëm, ndërkaq kërcënimet që mund të vijnë nga jashtë, sot janë shumë më të zbehta, sesa dhjet vjet më parë.

“Ndonjë kërcënim të madh për Kosovën, siç pretendon dikush, nuk mund të ketë, ajo është një storie e kryer, e harruar dhe kurrë më nuk mund të përsëritet, pikërisht edhe për shkak të prezencës dhe gatishmërisë së shteteve të NATO-s, që Kosovën ta çojnë drejt integrimeve evropiane dhe botërore”, thekson Musliu.

Në anën tjetër, analisti Ramadan Qehaja konsideron se mbajtja e numrit aktual të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, është mjaft esenciale edhe për një periudhë kohore, marrë parasysh gjendjen e përgjithshme në rajon dhe raportet e Serbisë ndaj Kosovës dhe tërësisë së saj territoriale.
Nuk do të duhej të ndodhë ndonjë zvogëlim drastik i forcave të KFOR-it, tani për tani...

“Nuk do të duhej të ndodhë ndonjë zvogëlim drastik i forcave të KFOR-it, tani për tani, për këto shkaqe: nën një, jemi në një rrethim, ku jemi në raport me Serbinë dhe pretendimeve të saj të vazhdueshme territoriale ndaj Kosovës apo një pjese të saj; së dyti, për shkak të veprimeve të strukturave paralele serbe, dhe së treti, mangësitë dhe vonesat që kemi në formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Shërbimit të Inteligjencës”, vlerëson Qehaja.

Praninë e KFOR-it në Kosovë e sheh si të domosdoshme edhe analisti Agim Musliu. Ai thotë se për një gjendje të qëndrueshme dhe stabile, prania e KFOR-it duhet të jetë afatgjate.

“Politika vendore është tepër e ngushtë dhe nuk ka vizion të sferës së sigurisë. Janë mbyllur në sfera klanore, miqësore dhe familjare. Për atë arsye edhe nuk mund të ecim përpara”.

“Pa siguri të kompletuar në Kosovë, nuk ka as përparim industrial, as investitorë të huaj, por as përparime politike. Unë do të thosha - minimum edhe një pesëmbëdhjetëvjeçar sigurisht do të kalojë dhe forcat e KFOR-it do t’i kemi në Kosovë”,
deklaron Musliu.

Në dhjetëvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, komandanti i KFOR-it, Xhuzepe Emilio Gaj, ka deklaruar se kjo forcë paqeruajtëse do të vazhdojë të funksionojë në pajtim me mandatin operacional dhe të mbështesë zhvillimin e një Kosove stabile, demokratike, shumëkombëshe dhe paqësore.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG