Ndërlidhjet

Jakshiq: Kallëzimi penal i nxitur nga Beogradi


Marko Jakshiq

Marko Jakshiq

Lideri serb i Mitrovicës, Marko Jakshiq, akuzon qarqe në Beograd se kanë nxitur kallëzimin penal kundër tij dhe Millan Ivanoviqit. Ndërkohë që Policia e Kosovës i hedh poshtë këto pohime.




Njëri nga liderët serbë të Këshillit Kombëtar Serb, Marko Jakshiq, thotë se ngritja e kallëzimit penal kundër tij dhe politikanit tjetër, Millan Ivanoviq, është nxitur nga Beogradi.

Bëhet fjalë për akuzat që rëndojnë mbi Ivanoviqin dhe Jakshiqin se në shkurt të këtij viti kanë bërë thirrje publike për djegien e pikave kufitare në veri të vendit, nëse atje do të vendoseshin doganat e EULEX-it.
Nga sinjalet që ne i kemi marrë, shihet se iniciativa për kallëzimet penale vjen prej një qarku të bashkuar në Beograd.

“Nga sinjalet që ne i kemi marrë, shihet se iniciativa për kallëzimet penale vjen prej një qarku të bashkuar në Beograd, në fakt nga ata që angazhohen për jetësimin e planit të Ahtisaarit”, tha Jakshiq, duke mos saktësuar se për çfarë qarku e ka fjalën.

“Kurrë, kurrfarë kallëzimi penal nuk do të na frikësojë që të mos bëjmë këtë që po bëjmë tash. Qëllimi kryesor për ne është se kjo është pjesë e territorit të shtetit të Serbisë, se kjo është Serbi dhe ne presim që shteti serb të angazhohet politikisht kundër ngritjes së një shteti tjetër shqiptar në Ballkan”, tha Marko Jakshiq, nga Këshilli Kombëtar Serb.

Në anën tjetër, pohimet se Beogradi ka nxitur ngritjen e kallëzimit penal ndaj këtyre dy liderëve, janë hedhur poshtë nga Policia e Kosovës, e cila, pasi ka zhvilluar hetimet, i ka dërguar provat në prokurori.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se kallëzimi penal është bërë duke marrë për bazë raportet në media.

“Absolutisht nuk ka sinjale tjera, përveç se raportet që janë marrë nga mediumet brenda në Kosovë; kam fjalën kryesisht për mediumet kosovare”, deklaroi Hoti.

Policia tashmë ka kryer hetimet në lidhje me këtë rast. As Jakshiq e as Ivanoviq nuk kanë pranuar që të intervistohen nga policia. Provat e mbledhura thuhet se i ka marrë prokuroria e EULEX-it. Por, nga ky mision thonë se lënda nuk ka arritur ende tek ta.
Prokurorët e EULEX-it nuk e kanë marrë ende lëndën, por mund të them se jemi duke e shqyrtuar.

“Prokurorët e EULEX-it nuk e kanë marrë ende lëndën, por mund të them se jemi duke e shqyrtuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e komponentit për drejtësi e EULEX-it, Kristina Herodes.

Në anën tjetër, ngjashëm siç kishin bërë në ditët më parë në pikën kufitare Jarinë, qindra serbë kanë bllokuar sot për një orë vendkalimin kufitar 31, afër Zubin Potokut, në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të EULEX-it për t’i vendosur shërbimet doganore në veriun e Kosovës.

Nga atje është dërguar porosia që serbët nuk do të lejojnë kurrë që të ketë kufi mes veriut të Kosovës dhe Serbisë. Protestuesit kanë kërcënuar se nëse EULEX-i nuk ndal aktivitetet e tij në pikat doganore, protestat do të radikalizohen.

Serbët, vitin e kaluar, patën djegur pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinë dhe Zubin Potok, në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë. Një thirrje publike për shkatërrim të ngjashëm të këtyre pikave, sipas Policisë së Kosovës, është bërë nga Jakshiq dhe Ivanoviq, në protestën e mbajtur më 10 shkurt të këtij viti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG