Ndërlidhjet

Nga Guantanamo në gjykatën e SHBA-ve


Guantanamo Bay
Guantanamo Bay

Pa pranga në duar, Ahmed Ghailani, më 9 qershor, është paraqitur në Dhomën e Gjykatës Federale në Nju Jork. Gjykatësit i kishte thënë se nuk ishte fajtor për akte terroriste, për të cilat Shtetet e Bashkuara thonë se ai i ka kryer.

Me paraqitjen e tij historike në gjykatë, Ghailani është bërë pjesë e planit të Shtëpisë së Bardhë për të mbyllur burgun në Kubë dhe për t’i gjykuar të dyshuarit në gjykatat e Shteteve të Bashkuara, me gjithë kritikat e disa ligjvënësve se sjellja e të dyshuarve për terrorizëm në Amerikë, do të rrezikojë opinionin.

Ghailani kishte fluturuar fshehurazi, në orët e hershme të 9 qershorit, nga baza detare e Shteteve të Bashkuara në Kubë për në Nju Jork, për të filluar procedurat gjyqësore në lidhje me sulmet e Al Kaidës, në vitin 1998, të cilat kishin lënë të vrarë 224 njerëz në ambasadat amerikane në Tanzania dhe Kenia.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Tanzanianin për sulme me bomba, për falsifikim të dokumenteve dhe si ndihmës të udhëheqësit të Al Kaidës, Osama Bin Laden.

Ai akuzohet për 286 krime, që do të thotë një akuzë për vrasjen e secilës viktimë, si dhe për bashkëveprim me Bin Ladenin dhe anëtarët e tjerë të Al Kaidës, për të vrarë amerikanë nëpër botë.

Nëse shpallet fajtor, do të mund të përballet me ndëshkimin me vdekje.

* * * * * * * * * *

Më herët, Ghailani i kishte thënë panelit ushtarak në Guantanamo se nuk e kishte ditur që kutitë e TNT-së dhe pajisjet e tjera, të cilat i kishte çuar në Tanzani, ishin për sulme me bomba. Ai i kishte kërkuar dhe falje Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, duke thënë se ka ndjekur disa stërvitje ushtarake në një kamp të Al Kaidës, sepse ai i donte ato për vetëmbrojtje.

Paraqitja e Ghailanit në gjykatën e Shteteve të Bashkuara shënon rastin e parë të transferimit të të arrestuarve për terrorizëm nga burgu kontrovers i qeverisë në sistemin e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët thonë se avokatët mbrojtës do të fokusohen në rrethanat e kapjes së Ghailanit, në arrestimin e tij dhe trajtimin gjatë këtyre viteve.

Por, Ghailani thuhet se paraqet një test të rëndësishëm dhe për presidentin Barak Obama, i cili planifikon mbylljen e burgut në Guantanmo Bej brenda shtatë muajsh. Që ta bëjë atë, thuhet se së paku disa prej të burgosurve do të gjykohen në gjykatat e Shteteve të Bashkuara.

Obama ka hasur në kundërshtime të forta për këtë plan si nga republikanët, ashtu dhe nga demokratët në Kongres, të cilët thonë se transferimi i të dyshuarve për terrorizëm në Shtetet e Bashkuara, paraqet kërcënim për sigurinë publike.

Muajin e kaluar, vetë presidenti Obama ka argumentuar se sistemi gjyqësor i Shteteve të Bashkuara është treguar i aftë për t’i gjykuar dhe dënuar terroristët.

Disa i kanë përbuzur gjykatat tona federale si të paafta për t’u marrë me gjykimin e terroristëve. Ata e kanë gabim. Gjykatat tona dhe drejtësia jonë, qytetarët tanë, janë mjaft të fortë për t’i dënuar terroristët. Faktet e bëjnë të qartë këtë. Ramsei Jusef ka provuar të hedhë në ajër Qendrën Tregtare Botërore. Ai është dënuar nga gjykatat tona dhe po vuan dënimin në burgjet e Shteteve të Bashkuara”, kishte deklaruar Obama.

Përderisa Shtëpia e Bardhë shpreson që gjykimi i Ghailanit do të kalojë pa incidente dhe se do të mbarojë me dënim që do t’i qetësojë kritikët dhe do ta lehtësojë rrugën për gjykime të tjera, lideri i opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Boener, tha:

“Administrata ka marrë vendim që të fillojë transferimin e këtyre terroristëve në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht kundërshtimeve të panumërta të popullit amerikan dhe dyshimeve serioze nga anëtarët e të dyja partive në kongres”.

Boener tha po ashtu se partia e tij po projekton një legjislacion të ri, të quajtur “Mbani terroristët jashtë Amerikës”, që do t’i kufizojë zotësitë e Obamës për të transferuar të burgosur të tjerë nga Guantanamo Bej.

Ndërkaq, anketat tregojnë se shumica e amerikanëve duan që burgu në Kubë të mbetet i hapur.

Aktualisht, Ahmed Ghailani po mbahet në Qendrën Korrektuese në Manhatan, deri në paraqitjen e tij të radhës në gjykatë, që është caktuar të jetë më 16 qershor.

Inside Guantanamo
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00
XS
SM
MD
LG