Ndërlidhjet

WSJ: “Krimet e Kremlinit”


“Wall Street Journal”

Derisa demokracitë evropiane po e festojnë 20 vjetorin e çlirimit të tyre nga komunizmi dhe sovjetët, Moska po synon ta ripërtërijë dominimin e saj ndaj ish-satelitëve. Rishkrimi i historisë së Rusisë është pjesë e këtij plani.

Ideja putiniste e sistemit progresiv sovjetik në të kaluarën, është e përpiluar ta arsyetojë qëndrimin e fortë aktual të Rusisë në rajon.

Le të merret parada vjetore në Moskë më 9 maj, me të cilën u festua “fitorja ndaj fashizmit” në përvjetorin e dorëzimit të Gjermanisë naziste tek aleatët.

I gjithë manifestimi është i bazuar në iluzionin monumental kombëtar, i ushqyer nga Kremlini.

Megjithëqë Rusia ishte njëra nga fuqitë fituese në fund të Luftës së Dytë Botërore, Moska vazhdon ta fshehë faktin historik se vetë Bashkimi Sovjetik e pati ndihmuar fillimin e luftës në aleancë të ngushtë me Gjermaninë naziste.

Nëpërmjet marrëveshjes Ribentrop – Molotov, Stalini kishte bërë plane me Hitlerin për copëtimin e Evropës Lindore.

Aktualisht, Rusia e ka intensifikuar fushatën e saj revizioniste, duke pretenduar se vullnetarisht është tërhequr nga komunizmi dhe nga Bashkimi Sovjetik dhe se Lufta e Ftohtë ka përfunduar në marrëveshje me Perëndimin.

Propaganduesit shtetërorë të Rusisë mbajnë qëndrimin se Bashkimi Sovjetik kurrë nuk i kishte okupuar shtetet fqinje, pas Luftës së Dytë Botërore, por i kishte çliruar ato nga tirania.

Ata e minimizojnë imponimin e sistemit totalitar të Kremlinit në rajon, që e ndali progresin e tyre politik dhe ekonomik pothuajse për gjysmë shekulli.

Ndryshe nga Gjermania e pasluftës, Moska kurrë nuk ka paguar reparacione për krimet sovjetike dhe shpronësime në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Moska po ashtu e fsheh faktin se Stalini ka vrarë më shumë rusë dhe shtetas të tjerë sovjetikë, sesa Gjermania naziste.

Të dhënat e saj zyrtare prej 27 milionë të vrarëve përfshijnë disa milionë viktima të Stalinit, gjatë deportimeve sovjetike të civilëve dhe spastrimeve ushtarake.

Në vend që të pranojë se ishte autore e një politike oportuniste në shkatërrimin e Evropës, Rusia si shtet, që doli nga Bashkimi Sovjetik, e përshkruan vetveten si viktimë dhe si fituese.

Rusia ka ndërmarrë edhe një hap tjetër për rishqyrtim të historisë së saj, kur ka formuar një komision presidencial për promovimin e versionit sovjetik të historisë dhe, siç thuhet, për ta kundërshtuar propagandën “anti-ruse”, që e dëmton imazhin ndërkombëtar të këtij vendi.

Derisa Rusia i jep shkëlqim të rrejshëm të së kaluarës së saj të errët dhe i tregon muskujt e vet, ekziston frika se ata që e rishkruajnë historinë, mbase mund të jenë të përkushtuar për ta përsëritur atë.
XS
SM
MD
LG