Ndërlidhjet

10 vjet të NATO-s dhe lirisë së Kosovës


Trupat britanike të NATO-s duke hyrë në Kosovë, qershor '09

Trupat britanike të NATO-s duke hyrë në Kosovë, qershor '09

12 Qershori i vitit 1999, dita kur NATO ka hyrë në Kosovë, paraqet njërën prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës, vlerësojnë zyrtarët kosovarë. Sipas tyre, ndërhyrja e NATO-s paraqet kurorëzimin e aspiratave shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi.


Ndërhyrja e NATO-s dhe shtrirja e trupave të KFOR-it kanë bërë që Kosova sot të jetë e lirë dhe e pavarur, vlerësojnë udhëheqësit dhe përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Sipas tyre, trupat e NATO-s i duhen Kosovës edhe sot, kur ajo është një shtet i pavarur.

Kjo prani vlerësohet të jetë në funksion të stabilitetit rajonal dhe në harmoni me ambiciet e Kosovës për të qenë pjesë e Aleancës Veri-atlantike.

Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se nga data 12 qershor e vitit 1999, konflikti dhe eksodi mbeten kujtime dhe histori e së kaluarës.

“Shohim një Kosovë ashtu si e kemi dashur ne, por që e duam ende më të zhvilluar, dhe e them një Kosovë që nuk mendon më për konfliktet, eksodin, për shumëçka; ato mbeten vetëm në kujtesën e dhimbshme”.

“Një Kosovë që ka hapur perspektivën e saj të zhvillimit me miq të shumtë dhe është mirë që ky proces i shtimit të punëve tona do të thellohet edhe më tepër, dhe natyrisht, po të njëjtën kohë, të mbajmë seriozitetin tonë në qeverisje të mirë dhe bashkëpunim me partnerët, them me miqtë e Kosovës”,
tha Sejdiu.

Mars '99.
Me ndërhyrjen e NATO-s, filloi liria e Kosovës, thotë kryeministri Hashim Thaçi, duke rikujtuar se sot, Kosova, bashkë me dhjetëvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, feston edhe njëvjetorin e fuqizimit të Kushtetutës së shtetit të Kosovës.

“Është 10-vjetor shumë i rëndësishëm për Kosovën, por edhe për rajonin, kur për herë të parë, NATO, shumë e bashkuar, ndërhyri në Kosovë për ta larguar Serbinë, për t’i përkrahur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri. Ajo ndërhyrje shënon fillimin e lirisë së Kosovës, fillimin e tranzicionit demokratik”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se nëse shikohet Kosova sot, dhjetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, shihen shumë të arritura kapitale të saj, filluar nga pavarësia, si një e arritur më e madhe e këtij vendi.

“Konsiderojmë se ndërhyrja e NATO-s dhe futja e trupave drejtpërdrejt në territorin e Kosovës më 12 qershor, janë kapitalizim i gjithë mundit, sakrificës dhe luftës që ka bërë populli ynë me shekuj për të qenë i lirë”, theksoi Isufi.

Ndërsa kontributi i NATO-s për çlirimin e Kosovës konsiderohet si një prej momenteve më të rëndësishme të historisë, zyrtarët kosovarë shprehen mjaft kritikë karshi arritjeve të Kosovës si shtet.

Trupat e NATO-s duke hyrë në Kosovë, qershor 1999.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi, thotë se 12 Qershori paraqet ndryshimin e historisë së Kosovës. Mirëpo, ai vlerëson se dhjetë vjet pas, pritjet ishin më të mëdha krahasuar me atë që kosovarët kanë arritur.

“Prej intervenimit e këtej po kalojnë dhjetë vjet, por unë kam pritur shumë; pritshmëria ime ka qenë shumë më e lartë, sesa të arriturat që i ka Kosova sot".

"Unë shpesh po e krahasoj këtë sikurse kur të fitosh në bingo, edhe ti ndonjëherë sillesh si batakçi dhe ato shanse që i kemi pasur, ne nuk i kemi shfrytëzuar. Me fjalë tjera, ne të gjithë po deklarojmë se kemi shtet, mirëpo ky shtet është larg nga funksionimi i tij në mënyrën më të mirëfilltë”,
thotë Bukoshi.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, thotë se pajtohet me ata që mendojnë se ky është një shekull i shqiptarëve, marrë parasysh ngjarjet e dhjetë vjetëve të fundit. Por, Gaxherri vlerëson se Kosova me kapacitetet e saj ka nevojë për prani ndërkombëtare, sidomos atë ushtarake.

“KFOR-i është shumë i mirëseardhur në Kosovë dhe duhet ta falënderojmë. Ndoshta i vetmi institucion ndërkombëtar që vërtet ka kryer detyrën në nivel. Duke pasur parasysh proceset nëpër të cilat po kalojmë për integrim edhe në NATO, duhet të përgatitemi edhe në këtë drejtim dhe pastaj edhe përgatitjen e FSK-së unë e shoh sikur është pjesë e KFOR-it”, thekson Gaxherri.

Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mendojnë se pavarësisht ndaljes së konfliktit, problemet ende nuk janë zgjidhur. Rangjel Nojkiq, kryetar i Rezistencës Serbe, thotë se paqja e qëndrueshme në Kosovë arrihet kur të zgjidhen problemet, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të serbëve.

Kosova feston pavarësinë, 17 shkurt 2008.
“Problemi i Kosovës dhe problemi i serbëve në këtë mjedis nuk do të zgjidhen edhe për shumë vite”,
thekson Nojkiq, duke rikujtuar se sot në Kosovë ka një liri lëvizjeje dhe siguri më të madhe, por, sipas tij, nuk është zgjidhur ende çështja e pronave, kthimi i të zhvendosurve, gjendja ekonomike, që janë larg normalizimit.


Pas fushatës ajrore të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, pasoi nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës dhe ndërhyrja e trupave të KFOR-it më 12 qershor të vitit 1999, me çka Serbia u detyrua t’i largonte trupat e saj nga Kosova.

Andaj, 12 Qershori për kosovarët nënkupton edhe Ditën e Çlirimit të Kosovës, që më pas rezultoi me administrimin e saj nga Kombet e Bashkuara, ngritjen e institucioneve vendase e deri te shpallja e pavarësisë dhe njohja e saj ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG