Ndërlidhjet

Përpjekjet për zgjidhjen e proceseve gjyqësore


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Zyrtarë nga EULEX-i dhe ICO-ja, gjatë një debati në Çagllavicë, kërkuan bashkëpunim më të mirë në mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë, me qëllim të krijimit të një sistemi të drejtësisë që do të funksiononte drejt.


Zyrtarë të EULEX-it dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare garantuan përfaqësuesit kosovarë dhe ata serbë se janë të gatshëm të ndihmojnë drejtësinë kosovare, që të jetë transparente dhe efektive.

Në debatin me temën “Gjyqësori dhe qytetarët e Kosovës”, që u mbajt në Çagllavicë, u tha se sektori kosovar i drejtësisë mbetet akoma fushë problematike në rrafshin e përgjithshëm të zhvillimeve në Kosovë.

Përfaqësuesi i komponentit të drejtësisë nga EULEX-i, Alberto Perduka, pohon se EULEX-i është duke punuar ngushtë me shqiptarët dhe serbët, që sa më parë të hapet edhe Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës dhe të jetë efektive në punën e vet.

“Mandati ynë si EULEX është i shtrirë në gjithë Kosovën. Në mënyrë konstante, që nga dita e parë, EULEX-i ka vendosur që të dislokojë disa gjykatës dhe prokurorë edhe në Gjykatën e Mitrovicës, siç kemi bërë edhe me gjykatat tjera. Ne, si edhe ju, e dimë se gjendja në gjykatën e Mitrovicës nuk është e njëjtë me gjendjet që kemi në gjykatat tjera”.

“Nuk mund ta harrojmë se kjo gjykatë ishte braktisur që 10 muaj më herët. E dimë se 4 gjykatës ndërkombëtarë dhe 2 prokurorë nga EULEX-i nuk janë të mjaftueshëm dhe kërkohet që edhe stafi i të gjitha komuniteteve të fillojë të punojë në këtë gjykatë. Ky është qëllimi ynë, që të gjejmë zgjidhje praktike për funksionimin e kësaj gjykate”, tha përfaqësuesi i EULEX-it, zoti Perduka.

Ai ka sugjeruar të dyja palët, atë serbe dhe shqiptare, që të punojnë në zgjidhjen e proceseve gjyqësore dhe tha se kanë propozuar që të fillohet me rastet më urgjente, të cilat presin me muaj e vite që të shqyrtohen.

Ndërkaq, përfaqësuesi i ICO-së, Stiven Hill, konsideron se sistemi i jurispodencës është i vetmi çelës ku qytetarët mund të sigurohen që të drejtat e tyre janë të mbrojtura dhe se janë të bazuara në mbizotërimin e ligjit.

“Kanë ndodhur shumë ndryshime në sistemin e drejtësisë, të cilat janë të dizajnuara që ta përmirësojnë këtë sistem, si dhe të sigurojnë qytetarët që mund të marrin pjesë në këtë sistem dhe ta shfrytëzojnë atë për realizimin e të drejtave të tyre. Kjo nënkupton një sistem ku zbatohet rendi dhe ligji”,
deklaroi zoti Hill.

Ai u shpreh i kënaqur me përparimin e bërë në drejtësinë kosovare, por jo edhe për bashkëpunimin kosovar-serb. Sipas zotit Hill, Kosova ka nevojë për një drejtësi efikase dhe për zgjidhje të rasteve më shpejt.

Ndërkaq, avokati serb, Zhivojin Jokanoviq, kërkoi nga institucionet kosovare që t’i hapin dyert për gjyqtarët dhe prokurorët serbë, me qëllim që edhe ata të inkuadrohen në ndarjen e drejtësisë në Kosovë.

“Duhet që t’i kemi jo vetëm gjyqet, por edhe organet tjera që ndikojnë në të drejtat dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve”, u shpreh avokati Jokanoviq.

Misioni për forcimin e sundimit të ligjit i Bashkimit Evropian, EULEX, që nga data 9 dhjetor ka marrë mbi vete përgjegjësinë për t’i asistuar, këshilluar dhe monitoruar institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG