Ndërlidhjet

“NATO vendos për reduktimin e trupave në Kosovë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të mbledhur në Bruksel, kanë marrë të enjten vendimin për reduktimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Ministrat kanë rënë dakord që reduktimi të bëhet në tri faza, duke u bazuar në përmbushjen e kushteve politike të duhura në terren, si dhe duke pasur parasysh rekomandimet ushtarake. Burimet e NATO-s kanë thënë për “Lajm” se pas vendimit të marrë nga ministrat e Mbrojtjes, do të jetë Këshilli i Përhershëm i Atlantikut të Veriut (NAC), që gjatë takimit të korrikut do të kthejë në automatik vendimin për reduktimin e KFOR-it në Kosovë. “Faza e parë e reduktimit do të fillojë në 2010 me reduktimin e rreth 5000 trupave, që do t’i çojë trupat e KFOR-it nga 15 mijë në 10 mijë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha për gazetën “Lajm” një zyrtar i NATO-s me kusht anonimiteti...

KOHA DITORE
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, të enjten ka deklaruar se është thellësisht i interesuar që niveli i përgjegjësisë për skandalin që ka ndodhur më 25 prill në Policinë e Kosovës, kur është vjedhur një sasi e madhe e drogës dhe e materialeve të ndryshme në dhomën e dëshmive, të kërkohet në nivelet e larta menaxhuese të Policisë. Pa dashur ta përjashtojë veten nga përgjegjësia, Pajaziti ka thënë në Kuvendin e Kosovës se është Ligji mbi policinë ai që i specifikon përgjegjësitë dhe kompetencat e niveleve menaxhuese në Policinë e Kosovës. “Unë kam kërkuar përgjegjësinë menaxheriale. Ka pasur disa raste të shkarkimeve në Polici dhe me gjithë insistimin tim që përgjegjësia të shkojë deri në fund, kemi konsideruar që, tash për tash, t’u lëmë hapësirë hetimeve”, ka deklaruar ministri Pajaziti...

INFOPRESS
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka mbajtur edhe takimin e fundit të përbashkët me përfaqësuesit e partive politike, para se të marrë vendimin për datën e zgjedhjeve. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si lider i PDK-së, parti kjo që nuk ka propozuar asnjë datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, por është shprehur e gatshme të pajtohet me çfarëdo vendimi të presidentit. Para përfaqësuesve të partive politike dhe para medieve, Sejdiu është zotuar se në javën e ardhshme do të bëjë publike datën e mbajtjes së zgjedhjeve. “Përfundova konsultat me të gjithë udhëheqësit apo përfaqësuesit e partive politike. Të gjithë përfaqësuesit e partive politike që janë të certifikuara, ishin prezentë, dhe mua më vjen mirë, sepse të pranishme ishin edhe partitë politike të komunitetit shumicë, por edhe të komunitetit pakicë”, ka deklaruar Sejdiu...

KOSOVA SOT
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, në raportin e tij më të ri për Kosovën, që përfshin periudhën nga 10 marsi deri në fund të majit, thekson se autoritetet në Kosovë kanë vazhduar të veprojnë mbi bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe se kanë deklaruar dhe kërkuar publikisht përfundimin e misionit të UNMIK-ut, duke nënvizuar se Rezoluta 1244 nuk ishte më relevante dhe ata nuk i obligonte ligjërisht. Numri një i kësaj organizate, Ban Ki Mun, njoftoi ambasadorët e vendeve anëtare të KS-së, që autoritetet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit të kaluar, kanë kërkuar përfundimin e mandatit të misionit të KB-së në Kosovë...

EXPRESS
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shtruar një darkë për kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Ramën, të mërkurën në qytetin e Prizrenit, pa ndonjë ceremoni zyrtare dhe me pak media. Gjithçka është pretenduar të mbetet në suaza të një takimi miqësor... Takimi mes kryeministrit të Kosovës dhe liderit të së Majtës së Shqipërisë ndodhi vetëm disa ditë pasi që Hashim Thaçi u shfaq në Tunelin e Kalimashit, duke e përqafuar homologun e tij, Sali Berishën. Atë ditë, kryeministri i Shqipërisë kishte mbushur bjeshkët me flamujt e PD-së dhe prania e Thaçit në ceremoni mund të shihej si interferim edhe në zgjedhjet e 28 Qershorit. Por, kryeministri aktual i Kosovës - i cili konsiderohet si i afërt me të Majtën shqiptare - duket se ka provuar të balancojë situatën, të mërkurën. Zyrtarisht, kryeministri Thaçi ka dhënë një version tjetër. “Ne kishim një darkë prej miqsh këtu në Prizren. Është mirë që është krijuar kjo mundësi e lëvizjeve të shpejta nga Tirana në Prizren, prej Prizreni në Tiranë e në Durrës”, ka thënë Thaçi, para gazetarëve. Kryeministri ka çmuar rolin e Ramës në politikë...

ZËRI
Presidenti Fatmir Sejdiu paralajmëron se do ta shpallë përfundimisht datën e zgjedhjeve lokale gjatë javës së ardhshme. Sejdiu ka ftuar dje sërish në konsultime të gjitha partitë politike të certifikuara... Burime nga takimi thonë se ishte LDK-ja ajo që më zëshëm kishte kundërshtuar muajin tetor si kohë të mbajtjes së zgjedhjeve, duke potencuar vazhdimisht se zgjedhjet e fundit janë mbajtur në nëntor,. Po ashtu, edhe presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, e kanë përjashtuar argumentin e motit për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, argument ky që mbështetet nga opozita, që e kërkon tetorin dhe jo nëntorin. Burim Ramadani, i cili bashkë me Blerim Shalën prezantuan AAK-në në këtë takim, thotë se kishte përshtypjen që Sejdiu tashmë ka vendosur që ta zgjedhë nëntorin si muaj të mbajtjes së zgjedhjeve...

BOTA SOT
Universiteti i Prishtinës zgjodhi 17 dekanët e ri dhe u konstituua përbërja e re e Senatit të UP-së. Para se të fillonte votimi, rektori në përfundim të mandatit, Enver Hasani, urdhëroi senatorët që t’i dorëzojnë telefonat e tyre, në mënyrë që të evitohej ndërhyrja e drejtpërdrejtë apo presioni në procesin e votimit. Pas votimit të parë për zgjedhjen e kryesuesit të Senatit, prof.dr. Fejzullah Krasniqin, profesor i Fakultetit Teknik, rektori Hasani e liroi sallën dhe senatorët vazhduan votimin për dekanët e fakulteteve. Me votat e 43 senatorëve të UP-së, të enjten u zgjodhën 17 dekanët e fakulteteve të UP-së. Ndërkohë që edhe pse zgjedhjet në UP u vlerësuan si transparente, prapë lanë vend për dyshime, madje këtë vet e tha edhe kryesuesi i senatit Fejzullah Krasniqi, pavarësisht që procesin e votimit e vlerësoi si transparent...

EPOKA E RE
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën e së enjtes, e kanë miratuar në parim Projektligjin për kontrollin, deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Ky projektligj në parim është përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare, por kanë rekomanduar që ai të amendamentohet me plotësimin e kapitullit të tretë, që flet për prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka vlerësuar se ky projektligj është me rëndësi të veçantë dhe bazë ligjore për ta luftuar korrupsionin dhe dukuritë e tjera në vend. “Ky ligj e kompleton infrastrukturën ligjore për luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera. Me anë të këtij projektligji synohet deklarimi i pasurisë së të gjithë zyrtarëve të lartë, si masë ndihmëse për përmirësimin e gjendjes ekzistuese...”, ka thënë Kelmendi...
XS
SM
MD
LG