Ndërlidhjet

SHPK: Serbët e arrestuar kanë ofruar para për dëshmi të rreme


Policia e Kosovës tha se tre të arrestuarit e djeshëm në Çagllavicë, janë arestuar nën dyshimin se u kanë ofruar sasi të mëdha të parave njerëzve, të cilët do të dëshmonin rrejshëm për trafikimin e organeve të serbëve në Kosovë.

“Të dyshuarit kanë kryer vepra kriminale, duke premtuar para dhe të mira tjera materiale të paktën një njeriu, që të dëshmojnë rrejshëm se kanë qenë viktima të transplantimit të organeve gjatë luftës në Kosovë”, tha zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka.

“Tre të arrestuarit, dhe njëri që është në arrati, kanë vepruar bashkë duke ofruar deri 100 mijë euro për njeriun, i cili do të ishte i gatshëm të japë deklarata të rreme, kurse kanë dhënë edhe premtime tjera, si banesa, automjete dhe punësim”, tha Beka.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës tha se të dyshuarit kanë ofruar shpërblime të mëdha deri në 10 mijë euro, për ndërmjetësuesit që do të siguronin “dëshmitarë” të tillë.

Beka tha se të arestuarit janë Igor Juçinac nga Shtërpca, deri në vitin 2007 pjesëtar i Policisë së Kosovës, si dhe Millutin Radanoviq dhe Predrag Zhelkoviq, shtetas të Serbisë.

Zëdhënësi tha se atyre u është konfiskuar një automjet i tipit Hundai, me targa të Novi Sadit.

Beka tha se për arrestimet e djeshme Policia e Kosovës i ka informuar institucionet e Serbisë.
XS
SM
MD
LG