Ndërlidhjet


Agjencia Kosovare e Privatizimit, në valët e fundit të privatizimit, nuk ka tenderuar asnjë ndërmarrje të madhe shoqërore dhe nuk dihet se kur do të paraqiten në tender. Kështu tha Zana Haxha, zyrtare për informim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke shtuar se një ndër arsyet e këtij vendimi, është kriza globale financiare.

“Kriza globale mund të konsiderohet si arsye pse në raundet e fundit të privatizimit, tenderohen pjesë të ndërmarrjeve shoqërore më periferike apo më të vogla. Të gjitha ndërmarrjet që e kanë statusin e definuar si ndërmarrje shoqërore, do të jenë subjekt i privatizimit. Vënia e ndërmarrjeve në tenderim varet edhe nga përfitimi i dokumentacionit, që përkrah definimin e statusit të ndërmarrjes”, tha Haxha.

Mostenderimi i ndërmarrjeve të mëdha shoqërore për privatizim do të zbehë imazhin e këtij procesi tek investitorët e huaj dhe në këtë mënyrë do të dëmtohet i tërë procesi i privatizimit, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se kriza globale nuk mund të ketë ndikim në procesin e privatizimit.

“Nuk mund të them se pasojë e një vendimi të tillë është kriza globale; me siguri është një parapërgatitje e tyre për qëllime të caktuara. Por, sidoqoftë, një hap i tillë, nga këndvështrimi im profesional, është një dëm i procesit të privatizimit. Dhe, në këtë mënyrë, do të ketë një deinkurajim për investitorët potencialë, sepse e tëra kjo lanson një mesazh se çka është duke ndodhur, apo për kë është duke u përgatitur ky proces”, thotë Gërxhaliu.

Por, Zana Haxha pohon se Agjencia Kosovare e Privatizimit është e interesuar që vlera e ndërmarrjeve shoqërore dhe interesimi i investitorëve të huaj të jetë sa më i lartë.

“Është synim i Agjencisë që të ofrohen çmime optimale për ndërmarrjet që vihen në tenderim dhe që janë me interes të veçantë kombëtar. Në planin strategjik parashihet që të fillohet me transaksione të mëdha brenda dy vjetëve të ardhshëm",
tha Haxha.

Megjithatë, Safet Gërxhaliu thotë se interesimi i investitorëve të huaj nuk mungon, nëse ka politika të favorshme për ta.

“Nëse ata e gjejnë interesin e vet, nëse ekziston një politikë e mirëfilltë e promovimit të tyre, nëse ka transparencë dhe jokorrupsion, atëherë interesimi do të ishte ai. Duhet të analizohet situata jo vetëm në kontestin e këndvështrimit kosovar, por dhe global. Edhe pse është krizë, ndodhin transaksione të ndryshme, shitblerje të shumta dhe ndoshta mu dikush në këtë moment ka dëshirë që të shfrytëzojë që të jetë prezent në treg”, u shpreh Gërxhaliu.

Ndryshe, që nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tash, janë privatizuar afër 500 ndërmarrje, 24 prej të cilave janë ndërmarrje me interes të veçantë kombëtar, që janë privatizuar me metodën e spin-off - it special.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 9,000 investitorë vendorë dhe të jashtëm kanë marrë pjesë në procesin e privatizimit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG