Ndërlidhjet

logo-print

Brenda qershorit, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të japin betimin, pas të cilit akt zyrtarisht do të mund të ushtrojnë detyrën e gjykatësit. Ndërkohë, disa nga anëtarët e Gjykatës premtojnë se do jenë roje e Kushtetutës.


Të hënën bëhet një vit nga fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës, por gjykata që duhet ta mbrojë dhe interpretojë atë, ende nuk është plotësisht funksionale.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka dekretuar të premten 9 gjykatësit vendës dhe të huaj, menjëherë pasi që Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Piter Faith, emëroi tre gjyqtarët ndërkombëtarë.

Por, nuk është caktuar ende data e ceremonisë së betimit, çka edhe do të shënonte fillimin e punës së gjyqtarëve. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se betimi do të jepet gjatë qershorit.

Njëri nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, porosit që edhe ky veprim formal të kryhet më shpejt.

“Besoj që nuk duhet të zgjatet, sepse ajo është një çështje formale, që është e përcaktuar me Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka obligim kushtetues që ta bëjë këtë betim. Unë besoj që nuk do të zgjatet shumë”,
shprehet Kryeziu.

Ndërkohë, ende pa nisur punën mirë, janë disa lëndë që presin të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese. Gjyljeta Mushkolaj, një tjetër gjyqtare e Kushtetueses, thotë se gjyqtarët nuk janë në dijeni për këto lëndë, meqë s’kanë mandat t’i shqyrtojnë ato pa dhënë betimin.

“Ne si gjyqtarë jemi dekretuar dje, por nuk e kemi bërë betimin. Deri atëherë, nuk jemi gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Puna e parë që duhet ta bëjmë, është që t’i miratojmë rregullat dhe procedurat e punës së Gjykatës Kushtetuese”.

“Pa këto rregulla, nuk ka mundësi që të funksionojë si duhet Gjykata Kushtetuese. Kështu që për çdo gjë që ka lidhje me lëndët, ne si gjyqtarë të ardhshëm nuk jemi të njoftuar, sepse nuk kemi qenë edhe kompetentë”,
tha Mushkolaj.

Gjyqtarët e Kushtetueses thonë të jenë të vetëdijshëm se përpara kanë sfida dhe vështirësi të mëdha. Për shkak të kundërshtimit serb, Kushtetuta e Kosovës vazhdon të mos zbatohet në tërë vendin, ndërkohë që mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 duket se do të sjellë probleme.
Ne do të jemi koshientë ndaj punës dhe do të vendosim në mënyrë profesionale për ankesat e parashtresat që do të vijnë në Gjykatë.

“Është shumë e vërtetë se edhe në dispozitat kalimtare, Kushtetuta parasheh pushtetin ushtarak që e ka KFOR-i dhe pushtetin civil që e ka ICO. Ne duhet të bashkëpunojmë me këto dy subjekte ndërkombëtare dhe të shohim se si po rrjedh situata”.

“Ne do të jemi koshientë ndaj punës dhe do të vendosim në mënyrë profesionale për ankesat e parashtresat që do të vijnë në Gjykatë”,
vlerëson Kadri Kryeziu.

Në anën tjetër, Gjyljeta Mushkolaj thotë se prania e tri femrave në gjykatën më të lartë të vendit, duhet të shërbejë si model edhe për institucionet tjera.

“Jam shumë e nderuar dhe kam kënaqësinë që në këtë Gjykatë Kushtetuese, Kuvendi dhe presidenti e kanë respektuar parimin e përfaqësimit të duhur gjinor, gjë që është bërë edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Është model i mirë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Mushkolaj.

Gjyqtarët vendës kanë përshëndetur emërimin e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë nga Piter Feith. Pas konsultimit me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Feith kompletoi Gjykatën Kushtetuese duke emëruar si gjyqtarë ndërkombëtarë Snezhana Botusharova-Doiçeva nga Bullgaria, Robert Karolan nga SHBA-të dhe Almiro Simoes Rodrigues nga Portugalia.

* * * * * * * * * *

Bazuar në përvojën e tyre, të tre gjykatësit ndërkombëtarë duket të kenë njohuri për Kosovën dhe rajonin.

Robert Karolan ka shërbyer si gjykatës ndërkombëtar në UNMIK nga dhjetori i vitit 2002 deri në maj të vitit 2003, dhe pastaj nga tetori i vitit 2004 deri në prill të vitit 2005 ka shërbyer si Kryesues i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës. Ai ka qenë gjykatës dhe në Bosnjë.

Snezhana Botusharova-Doiçeva aktualisht është gjykatëse ndërkombëtare në Dhomën për Krime të Luftës të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës.

Edhe portugezi Rodrigues ka qenë i përfshirë në rajon, meqë ka shërbyer si gjykatës në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi (1997-2001), si dhe në Dhomën për Krime të Luftës të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës(2005- 2009).

Anëtarët vendorë të Gjykatës Kushtetuese janë: Enver Hasani, Iliriana Islami, Kadri Kryeziu, Gjyljeta Mushkolaj, Ivan Çukalloviq dhe Altay Suroy.

Pas emërimit edhe të gjykatësve ndërkombëtarë, Piter Feith ka shprehur bindjen se të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do ta përbëjnë një ekip të vetëm dhe, para së gjithash, do të jenë roje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG