Ndërlidhjet

Kritika për strategjitë e sigurisë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Institucionet e Kosovës po vonojnë në hartimin e strategjive të rëndësishme për vendin, thonë përfaqësues të opozitës. Sipas tyre, Qeveria nuk ka dëshmuar se është duke hartuar apo zbatuar ndonjë strategji të interesit nacional. Zyrtarë të MPB-së pohojnë të kundërtën.


Përfaqësuesit e partive opozitare shprehen kritikë sa i përket angazhimit të Qeverisë rreth hartimit të strategjive nacionale për sigurinë e vendit. Ata madje thonë se edhe ato strategji që janë hartuar, kanë mbetur vetëm në letër.

Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se institucionet kosovare nuk kanë treguar asnjë dëshmi rreth implementimit të strategjive të domosdoshme për vendin.

“Qeveria e Kosovës është duke treguar një vonesë enorme në nxjerrjen e strategjive dhe më pas hartimit të strategjive, e sigurisht edhe në implementimin e tyre. Ne, deri më tash, kemi qenë dëshmitarë të shumë kritikave nga institucionet ndërkombëtare, sikurse dhe nga Komisioni Evropian, për vonesat e institucioneve të Kosovës në hartimin dhe implementimin e strategjive të ndryshme, e mbi të gjitha, strategjive që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare”.

“Ne, fatkeqësisht, kemi parë njoftimin nga Qeveria për hartimin e pak strategjive dhe deri më tash nuk kemi parë planet e veprimit”,
tha Ramadani.

Sipas tij, mos-hartimi i strategjive dhe moszbatimi i atyre që tashmë janë miratuar nga Qeveria, vjen si pasojë e joseriozitetit të duhur.

“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës ka qasje joserioze ndaj temave të rëndësishme të vendit, sikur që është krimi i organizuar, terrorizmi, kontrolli i kufijve, lufta kundër korrupsionit, kontrabandës dhe elementeve të tjera”.

“Kjo mund të jetë arsye kryesore pse Qeveria e Kosovës nuk po mobilizon kapacitetet që ka në institucionet e Kosovës, që janë brenda shërbimit civil, dhe ekspertë të ndryshëm nga organizma dhe organizata ndërkombëtare, që mund të ndihmojnë në hartimin dhe implementimin e këtyre strategjive”,
u shpreh Ramadani.

Por, këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, i hedh poshtë këto deklarata, duke pohuar se MPB-ja, në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, është duke punuar intensivisht në zbatimin dhe hartimin e strategjive.

“Ministria e Punëve të Brendshme është mandatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe nga plani i veprimit për partneritet evropian, që të hartojë dokumente strategjike, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar, të terrorizmit, luftimit të trafikimit me narkotikë, pastaj trafikimit me njerëz...”, deklaroi Rexhepi.

Sipas zotit Rexhepi, një numër i strategjive veç po implementohen, ndërkaq të tjerat, shton ai, do të përfundojnë shumë shpejt.

“Shumica prej tyre tashmë janë finalizuar dhe ka filluar implementimi i tyre. Ne jemi të kënaqur jo vetëm me cilësinë e dokumentit, por edhe me atë se si po implementohen këto strategji”.

“Kjo nuk do të thotë që Policia e Kosovës nuk ka luftuar krimin e organizuar. Përkundrazi, ju keni parë aktivitete të shtuara të Policisë së Kosovës në drejtim të luftimit të krimit të organizuar, mirëpo tanimë që i kemi dhe këto strategji, do ta kemi më të lehtë”,
u shpreh Rexhepi.

Por, Burim Ramadani, nga AAK-ja, thotë se qeverisjes aktuale i mungon vullneti politik, dija në menaxhim të institucioneve dhe një qasje më serioze në këtë drejtim.

“Këto tre elemente i mungojnë Qeverisë së Kosovës dhe për këtë kemi një gjendje të rëndë sa i përket krimit të organizuar, sa i përket mundësisë së infiltrimit dhe aktiviteteve të organizatave të ndryshme, të dyshuara për terrorizëm, ashtu siç e ka thënë edhe raporti i Departamentit të shtetit amerikan”, tha Ramadani.

Në bazë të planit të veprimit për partneritet evropian, Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar që deri në tremujorin e fundit të vitit 2009, të bëjë hartimin e strategjisë për luftën kundër substancave narkotike, si dhe strategjisë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
XS
SM
MD
LG