Ndërlidhjet

Data e regjistrimit – këtë javë (?)


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Këtë javë mund të dihet data e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare. Përfaqësues të Ministrisë së Shërbimeve Publike thonë se përgatitjet tashmë janë kryer dhe se pritet vetëm vendimi për shpalljen e datës nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës.

Javën e ardhshme do të dihet nëse edhe më tej do të zvarritet procesi i regjistrimit të popullsisë apo do të shpallet data e tij.

Zëvendësministri i Shërbimeve Publike, Rifat Blaku, thotë se të gjitha përgatitjet tashmë kanë përfunduar. Sipas tij, tani pritet një vendim politik nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës.

“Pritet që në kuadër të bashkëpunimit me Zyrën Civile Ndërkombëtare, kryeministri dhe shefi i Zyrës Civile, Piter Feith, të merren vesh dhe ta bëjnë zyrtarizimin e datës. Besoj se javën që vjen, 15-16 qershor, një vit pas fuqizimit të Kushtetutës, ashtu siç e ka paraparë pikërisht Pakoja e Ahtisarit; domethënë, pritet më së largu deri më datën 17, 18 – 20 e ndoshta dhe më shpejt”, tha Blaku.

Zëvendësministri Blaku thotë gjithashtu se data e regjistrimit të popullsisë do të korrespondojë edhe me regjistrimin e vendeve evropiane, që bëhet çdo 10 vjet.

“Termini i regjistrimit me gjasë do të korrespondojë edhe me mbajtjen e regjistrimeve të shteteve të tjera të Evropës, për t’iu përshtatur një kontinuiteti, një krahasueshmërie dhe një cikli që mbahet çdo dhjetë vjet, sipas kritereve të Eurostatit”,
deklaroi Blaku.

Por, ish-ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se Qeveria e Kosovës po humb shumë kohë në përcaktimin e datës për regjistrimin e popullsisë.

Ajo thotë se regjistrimi i popullsisë mund të rrezikohet, për shkak të procesit të decentralizimit.

“Ka qenë një lloj neglizhence, ta quaj ashtu, e Qeverisë, për t’u marrë më seriozisht me çështjen e regjistrimit të popullsisë, një projekt ky madhor për vendin. Ka dhe një problem, për mendimin tim, që është krejtësisht politik, e që lidhet me decentralizimin”.

“Sipas shumë vlerësimeve dhe po ashtu siç mendoj, ka shumë mundësi që kjo çështje, për arsye të decentralizimit, të mos realizohet dhe thjesht, në njëfarë mënyre, Kosova të mbetet peng për të mos realizuar regjistrimin e popullsisë, për disa arsye të tjera, që Qeveria apo dhe faktori ndërkombëtar pret t’i realizojë në Kosovë”,
u shpreh Tërmkolli.

Ajo mendon gjithashtu se një prej pengesave në vonesën e regjistrimit të popullsisë, është mospjesëmarrja e serbëve. Zonja Tërmkolli konsideron se kjo çështje është politizuar.

“Përfaqësuesit e Qeverisë nuk po e thonë shumë, por arsyeja kryesore mendoj se ka të bëjë me çështje të politikës. Thjesht, për të mos thënë se është politizuar ky proces, por janë arsye politike që, e thash dhe një herë, lidhen me decentralizimin dhe po ashtu pjesërisht lidhen edhe me pjesëmarrjen e serbëve në regjistrim”.

“Kjo, unë mendoj se nuk do të duhej të ishte kusht në asnjë mënyrë, sepse, e kam thënë dhe më herët, Kosova nuk mund të jetë peng i tekeve dhe as i instrumentalizimit të askujt, për të realizuar një proces kaq të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për Kosovën”,
tha Tërmkolli.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, datën duhet ta propozojë Komisioni Qendror i Regjistrimit. Më pas, atë duhet ta miratojë Qeveria dhe ta dërgojë në Parlament për miratimin përfundimtar.

Por, për datën e regjistrimit të popullsisë në Kosovë duhet të merret edhe pëlqimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, që është mbikëqyrëse e zbatimit të Pakos së Ahtisarit.
XS
SM
MD
LG