Ndërlidhjet

Iran: Ndalohet tubimi protestues për zgjedhjet


Autoritetet e Iranit e kanë ndaluar protestën e përkrahësve të kandidatit presidencial, Mir Hosein Musavi.

Ministria e Brendshme tha se tubimi i caktuar për sot pasdite është planifikuar nga “elementë kryengritës”.

Që nga e shtuna, në Iran ka pasur trazira, kur rezultatet zyrtare treguan se presidenti Mahmud Ahmadinexhad e ka mundur rivalin Musavi.

Reformatori Musavi ka kërkuar që rezultatet të anulohen, duke pretenduar për parregullsi të shumta.

Ahmadinexhad tha se fitorja e tij në zgjedhje ishte e drejtë dhe e vërtetë.

Komisionerja për Marrëdhënie me Jashtë e Bashkimit Evropian, Benita Ferrero-Waldner, i bëri thirrje Iranit të mos përdorë dhunë kundër protestuesve dhe i ftoi autoritetet që t’i shqyrtojnë të gjitha ankesat për parregullsi.

Në Uashington, nënpresidenti Xho Bajden shprehu dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve, por tha se për momentin Uashingtoni mban qëndrim të rezervuar.

Gjermania e ka thirrur ambasadorin e Iranit për t’i shpjeguar ngjarjet që pasuan zgjedhjet presidenciale.
XS
SM
MD
LG