Ndërlidhjet

WP: “Zgjedhjet në Iran, as të lira e as të drejta”


“Washington Post”


Askush jashtë rrethit të brendshëm të strukturës së pushtetit në Iran nuk mund të dijë se kush i fitoi zgjedhjet presidenciale.

Është e mundur që shumica votuan për Mahmud Ahmadinexhadin, siç pohon ai. Gjithashtu është e mundur, siç besojnë shumica e kundërshtarëve të tij, që zgjedhjet u vodhën.

Por, ajo që mund të thuhet me siguri, është se zgjedhjet nuk ishin as të lira e as të drejta.

Kur një regjim paraprakisht i zgjedh kandidatët që do të garojnë, i mbyll gazetat, ueb-faqet dhe byrotë e televizioneve, i hesht mesazhet e celularëve dhe kritikët i hedh në burg, atëherë një regjim i tillë nuk duhet të presë që deklarimet e tij për zgjedhjet të fitojnë ndonjë respekt.

Si hap të parë, administrata Obama duhet të ketë kujdes që të mos shfaqë më tepër respekt, sesa meritojnë rezultatet.

Zyrtarët e administratës kanë të drejtë kur përgjigjen me kujdes dhe e lënë procesin të rrjedhë. Por, ka edhe parime, të cilat administrata duhet t’i mbrojë edhe në këtë kohë, duke e mbështetur sundimin e ligjit dhe shprehjes demokratike në Iran.

Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë të qartë se nëse një qeveri do që të merret seriozisht nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë nuk duhet të përdorë forcën kundër protestuesve paqësorë, t’i arrestojë liderët e opozitës dhe ithtarët e tyre, t’i mbyllë transmetimet radiofonike apo të bllokojë internetin.

Në qoftë se Ahmadinexhad e konsolidon fitoren e pretenduar, do të ketë mjaft kohë për të ndërtuar strategji.

Presidenti Barak Obama e ka bërë të qartë se janë të papranueshme ambiciet e Iranit për armë bërthamore.

Ai, gjithashtu, me të drejtë e ka bërë të qartë se Perëndimi duhet t’i eksplorojë të gjitha mundësitë diplomatike përpara se të ndjekë rrugën e shtrëngimit të sanksioneve apo eksionin ushtarak.

Një është e vërtetë: Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme të bisedojnë për kontrollin e armëve dhe fushat tjera me interes kombëtar me udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatolah Ali Hamnei, dhe cilindo që flet për politikën e jashtme të vendit.

Por, gjithashtu është e pamohueshme se shumë, shumë iranianë brenda dhe jashtë vendit, e hedhin poshtë regjimin e Ahmadinexhadit dhe atë për të cilën ai qëndron.

Fushata presidenciale zbuloi një mospajtim të thellë për politikat sociale, ekonomike dhe të jashtme të Iranit, përfshirë dhe shtypjen e gruas.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vështirë se do të mund të lulëzojnë nëse kaq shumë zëra mbeten të shtypur.

Por, siç e tha edhe presidenti Obama në fjalimin e tij në Kajro, Shtetet e Bashkuara duhet ta gjejnë mënyrën për të folur me popullin iranian dhe me udhëheqësit, të cilët pretendojnë se e përfaqësojnë.
XS
SM
MD
LG