Ndërlidhjet

“Kosovarët pa viza në BE vetëm si shtetas të Serbisë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë sot në Luksemburg për situatën në Ballkan dhe procesin e avancimit të këtij rajoni drejt afrimit me BE-në. Sapo kalon koha, Kosova po bëhet gjithnjë e më e përjashtuar jo vetëm nga proceset e integrimeve rajonale, por edhe të atyre të BE-së, e madje edhe mungon nga debati... Por, tema që më së shumti ka preokupuar kurreshtjen dhe interesin e qytetarëve në Ballkan, njësoj në Beograd, Tiranë, Shkup, Podgoricë e Sarajevë, është procesi i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian ka përgatitur raportet për këto shtete, të cilat kanë arritur implementim jo të njëjtë në përmbushjen e kritereve me Maqedoninë, si shteti që i ka përmbushur të gjitha kushtet, Malin e zi dhe Serbinë si vende që janë shumë afër për t’i përmbushur kriteret, dhe Shqipërinë e Bosnjë Hercegovinën, të cilat nuk kanë bërë sa duhet për t’i përmbushur në këtë moment të gjitha kushtet për heqjen e vizave... Kosova ka munguar dhe do të mungojë edhe në të ardhmen edhe nga ky debat dhe proces...

INFOPRESS
Me një raport të zakonshëm neutral për Kosovën, sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, do të paraqesë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 17 qershor, të arriturat dhe ecurinë e proceseve në Kosovë, për periudhën mars-maj të vitit 2009... E kontaktuar nga “Infopress”, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova ka shumëçka të prezantojë para anëtarëve të KS-së për të arriturat e saj në tre muajt e fundit. Sipas saj, Republika e Kosovës ka për të dhënë lajme të mira rreth anëtarësimit në dy organizata të rëndësishme financiare dhe rritjes së numrit të njohjeve. “Gjatë këtyre tre muajve, Kosova ka vazhduar kompletimin e kapaciteteve shtetërore, ka forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar me anëtarësim në Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka rritur numrin e njohjeve”, ka thënë Çitaku...

KOSOVA SOT
Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, më 15 qershor, fillon një fazë e re e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të tërësishëm të institucioneve të reja, disa prej të cilave kanë qenë të udhëhequra nga misioni i UNMIK-ut. Kushtetuta e Kosovës ka bazën në propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës të ish-kryenegociatorit Ahtisari... Diplomati Austriak, Albert Rohan, në një intervistë për mediet e jashtme, tha se Kushtetuta e Kosovës është një kushtetutë me standarde evropiane, e cila është miratuar nga Parlamenti i Kosovës... Mirëpo, një nga problemet kryesore mbetet shtrirja e autoriteteve të drejtësisë në pjesën veriore, që po pengohet nga strukturat paralele, të udhëhequra nga segmente të veçanta të përfaqësuesve politikë serbë...

EXPRESS
Njëri nga tre anëtarët e Treshes në bisedimet shtesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ambasadori gjerman Volfgang Ishinger, ka shprehur kënaqësi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka nxitur dhunë dhe zhvillime tjera negative, siç parashikohej në qarqe të ndryshme ndërkombëtare. Ishinger është i pari nga ndërmjetësit ndërkombëtarë që ka ardhur në Prishtinë, i ftuar nga institucionet vendore me rastin e shënimit të njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Të dielën pasdite është pritur nga krerët shtetërorë, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. “Para një viti e gjysmë, në përfundim të procesit të Treshes, para shpalljes së pavarësisë, janë shprehur shumë shqetësime. Është thënë se pavarësia do të çojë në ripërtëritje të dhunës, në vështirësi të mëdha. Duke qenë pjesë e procesit të Treshes dhe si pjesëmarrës i këtij procesi historik gjatë disa viteve të fundit, jam shumë i kënaqur që asnjë nga parashikimet negative nuk dolën të vërteta”, ka thënë Ishinger, në një konferencë të përbashkët shtypi me liderët kosovarë...

ZËRI
Katërshja negociatore e prirë nga Marti Ahtisari, zëvendësi i tij, Albert Rohan, përfaqësuesi i SHBA-së në procesin e statusit, Frenk Uisner, dhe ai i BE-së, Volfgang Ishinger, janë mysafirët ndërkombëtarë që shënojnë njëvjetorin e fuqizimit të Kushtetutës bashkë me institucionet e shtetit më të ri, të cilin, në njëfarë forme, vetë e projektuan. Me një seancë solemne, pritet që të shënohet njëvjetori i parë i Kushtetutës, ku një fjalim para deputetëve dhe popullit të Kosovës është paralajmëruar se do ta mbajë edhe Marti Ahtiasari, arkitekti i statusit aktual të Kosovës. ish-kryenegociator për statusin e Kosovës, novelisti Ahtisari do të vijë në Kuvend gjatë pasdites. Fjalimi para Kuvendit të Kosovës nuk është agjenda e vetme e tij, pasi që Ahtisari dhe ish-ekipi i tij do të marrin pjesë edhe në takimin e radhës së Grupit Ndërkombëtare për Kosovën që mbahet në zyrat e ICO-së në Prishtinë, nën drejtimin e Piter Feithit...

BOTA SOT
PTK-ja dhe KEK-u nuk duhet të privatizohen të paktën jo pa kaluar kriza ekonomike botërore. Ekspertët e ekonomisë thonë se së pari duhet të bëhet një hulumtim i metodave për shitje, duhet bërë vlerësim shumë serioz i tyre dhe pastaj të dilet me një çmim, në mënyrë që të mos të ketë humbje në privatizim. Opozita e kundërshton në mënyrë kategorike shitjen e këtyre dy gjigantëve të mëdhenj publikë, pa krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore. Sipas një dokumenti qeveritar, vlera aktuale nëse ato do të privatizoheshin tani, PTK-ja dhe një pjesë e KEK-ut, nuk do të duhej të ishte nën 550 milionë euro, 500 nga të cilat vlerësohet të jetë PTK-ja. Kryetarja e Komisionit Kuvendar për Ekonomi, Myzejene Selmani (AKR), thotë se ende nuk është kryer fizibiliteti i kompanive publike, proces i cili është kërkuar nga komisioni, që ajo e drejton. Sipas saj, fillimisht duhet të bëhet korporatizimi dhe të dihet vlera e aseteve të tyre...

EPOKA E RE
Kryetari i Komunës së Deçanit, Musa Berisha, ka paralajmëruar të dielën ngritje të padisë kundër kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me deklaratën e 12 qershorit në Kuvendin e Kosovës. “Ne në ditët e ardhshme do të bëjmë padi, sepse bëhet fjalë për të pavërteta”, ka thënë Berisha në një konferencë për media, të cilin e ka shoqëruar sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, e jo Ramush Haradinaj, siç ishte paralajmëruar. I pari i Komunës së Deçanit i ka përgënjeshtruar pohimet e kryeministrit Thaçi për mosbashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria dhe ministritë janë ato që nuk po bashkëpunojnë me Komunën e Deçanit dhe për këtë, sipas tij, qytetarët ndjehen të shqetësuar...

LAJM
Kushtetuta e Republikës, një vit pas hyrjes në fuqi, po përballet me vështirësi dhe pengesa në zbatim, në disa raste, ndërkaq është tejkaluar dhe shkelur nga vetë institucionet qendrore, qoftë me veprim apo mosveprim. Presidenti ende i mban dy poste, disa institucione janë formuar, por akoma nuk janë kompletuar dhe konsoliduar, Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka mbetur vetëm me drejtor, përderisa zëvendësdrejtorët dhe pjesa tjetër e stafit ende nuk është zgjedhur, në anën tjetër – anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ende e presin caktimin e datës kur do të japin betimin para presidentit të Republikës. Ndërkohë, ajo që ka mbetur dhe mbetet sfidë e pakapërcyeshme për institucionet e Republikës është shtrirja e autoritetit të plotë në veri të vendit dhe në disa enklava serbe, gjë që nga opozita konsiderohet si dështimi më i madh në funksionalizimin e Kushtetutës...
XS
SM
MD
LG