Ndërlidhjet

Një vit pas fuqizimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekspertë për çështje ekonomike thonë se moszbatimi i saj në gjithë territorin e Kosovës ka penguar zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, zyrtarë qeveritarë pohojnë sukseset e arritura.


Moszbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në gjithë territorin e vendit ka ndikuar edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Ndërkaq, zyrtarë qeveritarë pohojnë se një vit pas fuqizimit të Kushtetutës, ekonomia kosovare ka shënuar rritje.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se Kosova ka formuar një qëndrueshmëri ekonomike dhe fiskale, që, sipas tij, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Konsideroj se, pa marrë parasysh sfidat, me të cilat jemi ballafaquar deri më tani, falë përkushtimit pa kompromis të të gjithë udhëheqësve në Kosovë, një strukture të mirë të politikave dhe lehtësimit të saktë të prioriteteve, ekonomia e Kosovës do të qëndrojë në trende pozitive edhe në të ardhmen”, thotë ministri Shala.

Më një vlerësim të tillë nuk pajtohet Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës. Ai thotë se zbatimi i Kushtetutës po sfidohet në pjesën veriore të Kosovës. Një vit pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, thotë Keqa, dy pikat doganore, të quajtura porta 1 dhe 31, nuk funksionojnë në mënyrë të duhur.

Mosfunksionimi i këtyre pikave, sipas tij, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar një humbje disa miliona eurosh. Kjo për faktin se në këtë pjesë të vendit është zhvilluar kontrabandë e madhe me mallra, që, sipas tij, ka penguar tregun legal të Kosovës.

“Përpos ekonomisë joformale, e cila nuk i nënshtrohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paraqiten edhe probleme apo dukuri të tjera kriminale, të cilat ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen qoftë politike, qoftë ekonomike të shtetit të ri të Kosovës”, tha Keqa.

Por, ministri Shala thotë se në gjashtë muajit e fundit ka përmirësime në pikat doganore në kufi me Serbinë.

“Edhe pse kufijtë e Kosovës, në aspektin doganor, ende nuk kontrollohen qind për qind nga Doganat e Kosovës, ne kemi zvogëluar për mbi 80 për qind mundësinë e kontrabandimit. Tashmë, me EULEX-in jemi në një bashkëpunim gjithnjë më të efektshëm për mënyrat e vënies në kontroll, qind për qind, të të gjitha pjesëve të Kosovës”, pohon Shala.

Megjithatë, problem tjetër në këtë segment, Flamur Keqa thotë se është moszbatimi i ligjeve, të cilat rregullojnë fushën e investimeve të huaja në Kosovë. Në bazë të Kushtetutës, Republika e Kosovës siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme.

“Investitorët e huaj, zakonisht gjatë studimit të fizibilitetit, me rastin e marrjes së vendimeve të tyre për të investuar në ndonjë shtet, vlerësojnë në rend të parë se sa funksion ligji, sa është efikas dhe sa mund të sigurojnë që ai ligj do të funksionojë në baza të mira dhe të shëndosha. Do të thotë, edhe ky segment është një hendikep shumë i madh për një zhvillim më stabil ekonomik të vendit dhe normalisht për tërheqjen e investitorëve të huaj”, deklaron Keqa.

Por, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se zbatueshmëria e ligjeve është sfidë për të gjitha vendet në tranzicion. Ai pohon se institucionet vendore janë duke punuar në përmirësimin dhe zbatimin e ligjeve në sferën ekonomike.

“Unë konsideroj se të gjitha ligjet, sidomos në fushën e ekonomisë, janë ligje mjaft moderne. Janë konstatime të të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare; sigurisht që nuk ka fund shterja e përmirësimit të ligjeve. Por, zbatueshmëria e ligjeve natyrisht është një sfidë për shtetet në tranzicion. Ne konsiderojmë se jemi në rrugë të mirë për ngritjen e zbatueshmërisë së ligjit”, theksoi Shala.

Një vit pas fuqizimit të saj, Kushtetuta e Kosovës, sipas ekspertëve, mbetet sfidë për pjesën veriore të vendit, ku institucionet vendore nuk po arrijnë ta shtrijnë pushtetin e plotë, për shkak të, siç thuhet, funksionimit të strukturave paralele serbe, të mbështetura nga Beogradi.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG