Ndërlidhjet

Ahtisari: Plani, absolutisht i paprekshëm


Marti Ahtisari

Marti Ahtisari

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo është bërë e qartë edhe nga njohjet ndërkombëtare”, tha, në Prishtinë, ish-kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.



Nuk ka rishikim të Planit Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, ka thënë arkitekti i këtij plani, Marti Ahtisari. Këto komente, Ahtisari i bëri në Prishtinë, pas një takimi të përbashkët me liderët kosovarë dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare.

I shoqëruar dhe nga zëvendësi i tij gjatë procesit negociator për statusin e Kosovës, Albert Rohan, presidenti Ahtisari ka marrë pjesë në shënimin e njëvjetorit të Kushtetutës së Kosovës.

Ai tha se ndihej i lumtur që shumë të arritura në Kosovë po ecnin pikërisht mbi bazën e planit për statusin, që njihet edhe si Pakoja e Ahtisarit.

Duke u ndërlidhur me problemet në veri të Kosovës dhe mospranimin e këtij dokumenti nga serbët, Ahtisari tha se shpresonte që serbët ta kuptojnë rëndësinë e integrimit dhe bashkëpunimit, por e përjashtoi çdo mundësi që plani i tij të rishikohet.

Ai tha se plani ofron mundësi për integrim, por kjo varet edhe nga vetë serbët, të cilët duhet të bashkëpunojnë.

Që të krijosh një shoqëri shumetnike, është njësoj si në rastin kur nevojiten dy veta që të luash tango. Mund të luash edhe vetë tango, por nëse ke partner, është ndryshe. Kjo tregon se pse bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për një shoqëri shumetnike”, tha Ahtisari.

Ai u bëri thirrje liderëve të Kosovës që të bashkohen rreth pikave kryesore që duhet t’i përmbushë shteti i Kosovës. Gjatë fjalimit para Kuvendit të Kosovës, Ahtisari tha se kosovarët duhet të ndihen krenarë me shtetin dhe Kushtetutën e tyre.
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme... Pranimi i këtij realiteti do të krijonte stabilitet për rajonin dhe Evropën.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kjo është bërë e qartë edhe nga njohjet ndërkombëtare. Kurse, pranimi i këtij realiteti do të krijonte stabilitet për rajonin dhe Evropën”, u shpreh Ahtisari.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që punët po shkojnë në harmoni me planin të cilin e kemi hartuar së bashku dhe shohim se një përparim i madh është arritur”,
tha Ahtisari.

Por, njëherësh, ai kërkoi që institucionet e Kosovës të jenë edhe më shumë funksionale, të rritet zhvillimi ekonomik dhe të shtohen përpjekjet për njohje të reja.

Ahtisari i kërkoi edhe Beogradit që ta njohë Kosovën e pavarur, për t’i hapur kështu rrugën bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve fqinje. Ndërkaq, nga BE-ja kërkoi ndihmën e nevojshme për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës.

Nga presidenti Fatmir Sejdiu, Ahtisari u nderua me Medaljen e Artë të Lirisë për kontributin e dhënë.

“Kosova gjithmonë do të ketë një vend të posaçëm në zemrën time dhe unë jam i lumtur ta ndaj këtë ditë me ju”, tha me këtë rast Ahtisari.

Kuvendi i Kosovës (foto arkiv)
Ndërkaq, presidenti Sejdiu tha se me Ahtisarin kishin rastin të kujtonin negociatat 120-ditëshe, por edhe të dëgjonte pikëpamjet e tij për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

“Viti i dytë i pavarësisë dhe i hyrjes në fuqi të Kushtetutës sonë na gjen me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila, dita-ditës, po formësohet sipas standardeve të parapara nga NATO-ja".

"Po kështu, u konstituua Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila këto ditë është kompletuar edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët, bashkë me gjykatësit vendës, do të jenë garantues të respektimit dhe të zbatimit të Kushtetutës në të gjitha fushat e jetës”,
deklaroi Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar Ahtisarin dhe ekipin e tij që udhëhoqën negociatat, të cilat e sollën Kosovën deri te deklarata e pavarësisë dhe u zotua se qeveria e tij po e zbaton me kujdes Planin e Ahtisarit, mbi bazat e të cilit është mbështetur edhe Kushtetuta moderne e Kosovës.

“Kushtetuta jonë deklaron qartë se Republika e Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit. Ajo flet dhe respekton të drejtën e pronës, mosdiskriminimin, mbrojtjen e mjedisit, drejtësinë sociale, lirinë e medies, pluralizmin”, theksoi Thaçi.

Po sot, Ahtisari ka marrë pjesë edhe në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, ku zakonisht shqyrtohen të arriturat në Kosovë, si dhe në aktivitetet tjera që janë shënuar me rastin e ditës së Kushtetutës.

I ftuar në këtë shënim ka qenë dhe ish - i dërguari amerikan, Frank Uisner, por, sipas njoftimeve nga Ambasada Amerikane, ai nuk ka mundur të vijë në Kosovë për shkak të problemeve shëndetësore.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG