Ndërlidhjet

Obama: Jam i shqetësuar nga dhuna në Iran


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se është thellësisht i shqetësuar nga dhuna pas-zgjedhore në Iran, dhe bëri thirrje për respektim të procesit demokratik dhe lirisë së shprehjes në Republikën Islamike.

“Jam thellë i shqetësuar nga dhuna që kam parë në televizion. Mendoj se procesi demokratik, fjala e lirë dhe mundësia e njerëzve për tubime paqësore, janë vlera universale dhe duhet të respektohen”, tha Obama.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha se Shtetet e Bashkuara e respektojnë sovranitetin e Iranit dhe se Iranit i takon që t’i përcaktojë udhëheqësit e vet. Por, ai tha se do të ishte gabim për të nëse do të mbetej i heshtur pas trazirave të fundit, në të cilat u raportua edhe për të vrarë.

Obama tha se ai nuk e di se kush i fitoi zgjedhjet në Iran, por shtoi se bota sheh dhe është frymëzuar nga protestuesit, të cilët dolën në rrugë, pasi presidenti Mahmud Ahmadinexhad zyrtarisht e shpalli fitoren e tij në zgjedhjet e javës së kaluar.

“Mendoj se do të ishte gabim për mua që të hesht për atë që kemi parë në televizion ditët e fundit. Atyre njerëzve, të cilët vunë aq shpresë, optimizëm dhe energji në procesin politik, do t’u thosha se bota është e frymëzuar nga pjesëmarrja e tyre, pavarësisht rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, tha presidenti Obama.

Ai bëri thirrje që hetimi i parregullsive në zgjedhjet të bëhet në atë mënyrë që të mos çonte në gjakderdhje të re.

Obama gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të synojnë dialogun direkt, por të rreptë, me zyrtarët iranianë.
XS
SM
MD
LG