Ndërlidhjet

Përfundon misioni i OKB-së në Gjeorgji


Misioni vëzhgues i Kombeve të Bashkuara në Gjeorgji (UNOMIG) zyrtarisht ka përfunduar mëngjesin e sotëm, pas vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit ndaj draft-rezolutës, e cila kërkonte zgjatjen e mandatit të misionit 16-vjeçar.

150 anëtarët e misionit vëzhgues ushtarak, të cilët e mbikëqyrnin armëpushimin ndërmjet Gjeorgjisë dhe rajonit separatist të Abhazisë, tash duhet ta lënë punën dhe të largohen.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin, e përdori veton e Moskës si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se draft-rezoluta nuk e përfill njohjen e pavarësisë që Moska i ka bërë Abhazisë.

Moska njohu Abhazinë dhe rajonin tjetër separatist, Osetinë e Jugut, pas luftës së vitit të kaluar ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Kroacia shprehën keqardhje për veton e Rusisë dhe e riafirmuan mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë.
XS
SM
MD
LG