Ndërlidhjet

"GDN: Integrimi i serbëve - objektiv kyç për Kosovën"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Arkitekti i pavarësisë së Kosovës, ish-presidenti Marti Ahtisari, ka thënë të hënën në Prishtinë, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se pakoja që e ka përpiluar ai, mbi të cilën edhe është shpallur pavarësia, nuk do të hyjë kurrë në rishqyrtim. Këto deklarime Ahtisari i ka bërë gjatë vizitës që i ka bërë shtetit më të ri në botë, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Ai ka vlerësuar se është bërë mjaft në një vit e diçka që nga shpallja e pavarësisë, por ka shtuar se duhet ende punë. Ahtisari u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pasi, sipas tij, ato janë për të mirën e tyre...

KOSOVA SOT
Në një vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit më të ri në botë, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne... Kryeparlamentari Jakup Krasniqi u ka dëshiruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës të gjithë diplomatëve që morën pjesë në festimin e njëvjetorit të Kushtetutës së Kosovës, me të cilën është krijuar barazia qytetare për të gjithë. “Janë hapur perspektiva dhe mundësi të mëdha për çdo qytetar të çdo etnie dhe feje që shikon nga e ardhmja e vet dhe e fëmijëve të vet. E drejta për gjuhë dhe trashëgimi kulturore e fetare ka marrë dimensione të reja. Të drejtat e njeriut, fjala e lirë dhe lëvizja kanë fituar hapësira të reja në këtë shtet evropian”, tha Krasniqi, duke nënvizuar se qëllimi i Kosovës është integrimi në BE. “Më duhet të them me dhembje që, edhe pas një viti të hyrjes në fuqi, Kushtetuta nuk po zbatohet në tërë territorin e Kosovës, për shkak të ndërhyrjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Po ky fakt nuk e vë aspak në dyshim vendosmërinë tonë për shtetin integral, të lirë dhe sovran të Kosovës”, tha kryekuvendari Krasniqi...

EXPRESS

Projekti për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë – Guci me vite ka mbetur pezull. Më herët, Ministria e Transportit kishte ndarë një pjesë të buxhetit për fillimin e ndërtimit të saj, por pengesë kryesore ishte Manastiri i Deçanit. Këta të fundit nuk lejojnë fillimin punëve me arsyetim se rruga ndërtohet në pronën e Manastirit, si zonë e mbrojtur. Se fundi, të përçarë rreth saj janë vetë kosovarët. Qeveria në njërën anë dhe Kuvendi Komunal i Deçanit akuzojnë njëri-tjetrin për neglizhencë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e fundit të Parlamentit akuzoi udhëheqësit e Deçanit dhe kryetarin e tij për neglizhencë rreth projekteve, siç është rruga Deçan – Plavë... Ndërsa, kryetari i KK të Deçanit, Musa Berisha, thotë se projekti ekziston që nga viti 1980, të cilin e ka bërë një institut nga Sarajeva. Ai është cilësuar si një ndër projektet me të mira. Ai thotë se ka qenë në Ministrinë e Transportit, ku e ka dorëzuar projektin. “Ne kemi qenë në Ministrinë e Transportit, kemi dorëzuar projektin, është shpallur oferta dhe e ka fituar një kompani për ndërtimin e 4 kilometrave rrugë, por të huajt nuk kanë lejuar që të fillojë puna”, tha Berisha... Ndërsa Ilhami Gashi, këshilltar në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, tha se projekti për ketë rrugë në Ministri qëndron që nga viti 2004. Ai tha se projekti ka ngecur për shkak të problemeve pronësore...

ZËRI
Derisa shumica e vendeve të rajonit kanë hyrë në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe llogaritet që nga viti 2010 qytetarët e shumicës së këtyre vendeve do të hyjnë në BE pa viza, Kosova rrezikon që të mbetet i vetmi vend në Ballkan që të mos ketë liberalizim të vizave. Zyrtarë nga ekzekutivi i vendit, duke mos dashur të hyjnë në afate kohore se kur mund të ndodhë heqja e regjimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës, kanë thënë se janë duke bërë punën e tyre ashtu si duhet. Opozita, ndërkaq, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mungesë strategjie sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave... Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk është diskriminim çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe, sipas tij, institucionet e Kosovës po bëjnë çfarë është e mundur që të ketë sa më parë liberalizim të vizave...

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, ka dekretuar emërimin e eprorëve të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Dekretimi është bërë duke u bazuar në kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës Presidentit të Republikës, si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe në përputhje me Nenin 84, pika 12, dhe me nenin 5, pika 3(b) dhe nenin 15, pika 1, të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe duke u bazuar në kërkesën për promovim të Ministritë për FSK-në, Nr. 0255/09, të datës 25.05.2009. Me këtë rast, presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, ka dekretuar promovimin e këtyre eprorëve të FKS-së: Gjeneralmajor Rrahman Rama, Zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandant i Komandës së Forcave Tokësore; Gjeneralmajor Kadri Kastrati, Drejtor i Operacioneve; Gjeneral brigade Bashkim Jashari, Inspektor i Forcës së Sigurisë së Kosovës; Gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, Komandant i Brigadës për Reagim të Shpejtë; Gjeneral brigade Zymer Halimi, Udhëheqës i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit; Gjeneral brigade Imri Ilazi, Komandant i Brigadës për Mbështetje të Operacioneve dhe Gjeneral brigade Enver Cikaqi, Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës...

EPOKA E RE
Kryetari i Bordit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, nuk e ka parë të arsyeshme që të jetë pjesë e festës për nder të përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Surroi ka refuzuar ftesën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi që të jetë i pranishëm në seancën solemne të Kuvendit, që është mbajtur me rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës... Në letrën dërguar kryeparlamentarit Krasniqi, ndonëse jo e protokolluar, Surroi ka shkruar: “Ju faleminderit për konsideratën e ftesës për mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës. Më duhet t’ju informoj që përkundër vullnetit të mirë, nuk mund të marr pjesë në një kremtim të tillë. Kushtetuta e Kosovës është shkelur që në ditën e parë të hyrjes së saj në fuqi, e Kuvendi i Kosovës gjatë 12 muajve të fundit ka qenë institucion, i cili ka përcjellë shumë herë, pa bëzajtur, këto shkelje, që nga cenimi i unitetit të vendit, shkelja e funksionit të presidentit të Republikës e deri te cenimi i dinjitetit të qytetarëve të Kosovës nga ana e abuzimeve të pushtetit”...

LAJM
Megjithëse e kanë dëgjuar nga vetë presidenti i Republikës premtimin se data e zgjedhjeve lokale do të caktohej të martën (sot), përfaqësuesit e opozitës druhen se kjo çështje mund të zvarritet edhe më tutje. Të mësua me zvarritjen e çdo vendimi nga koalicion aktual, opozita vlerëson se zgjatja e kësaj çështjeje po e rrezikon seriozisht kredibilitetin e institucioneve të Kosovës për të organizuar zgjedhje demokratike në mënyrë të pavarur. Opozitarët paralajmërojnë hapa të përbashkët në rast se presidenti Fatmir Sejdiu së shpejti nuk do ta caktojë datën e zgjedhjeve lokale. Arbër Geci, zëdhënës i AKR-së, tha të hënën se partia e tij pret që presidenti të mos e vazhdojë zvarritjen e vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas tij, ky është obligim kushtetues që Sejdiu duhet ta kryejë sa më parë që të jetë e mundur...

KOHA DITORE
Integrimi i komunitetit serb si pjesë e një shoqërie shumetnike në Kosovë mbetet objektiv kyç, ka konstatuar Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, në takimin e rregullt të mbajtur të hënën në Prishtinë, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Në këtë takim, i teti me radhë, kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë mbajtur nga një fjalim, si dhe ish-ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin, Marti Ahtisari, dhe ish-zëvendësi i tij, Albert Rohan. Gjatë takimit është vlerësuar se në vitin e kaluar populli i Kosovës ka bërë progres domethënës në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik, mbi parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut...
XS
SM
MD
LG