Ndërlidhjet

logo-print

Beogradi pengon kthimin e policëve serbë


Policët e suspenduar serbë

Policët e suspenduar serbë

Dy javë para se të skadojë afati i kthimit të policëve serbë në punë, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se 50 prej policëve të suspenduar tashmë kanë veshur uniformat e Policisë. Kjo ministri pohon se ende vazhdon presioni i Beogradit mbi policët serbë të suspenduar.


Nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme që t’ua ndërpresë pagat rreth 300 policëve serbë të suspenduar me pagesë, 50 prej tyre u është kthyer mendja dhe tashmë kanë riveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, thotë se Ministria po vazhdon komunikimin me policët e suspenduar për t’i bindur për kthim.

”Që nga 15 maji, kur ka përfunduar edhe masa e suspendimit me pagesë, e deri më tani, në Policinë e Kosovës janë kthyer 50 policë serbë. Ndërkohë që ne, përkatësisht stafi menaxhues i Policisë së Kosovës, ka vazhduar komunikimin ditor me gjithë policët, të cilët tanimë janë në masën e suspendimit pa pagesë, për t’i inkurajuar ata që të vazhdojnë praktikën e kolegëve të tyre të kthimit në Policinë e Kosovës”, tha Rexhepi.

Policët e suspenduar vijnë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Numri më i madh i të kthyerve raportohet të jetë në Gjilan.

Ndërkohë, ka pasur të kthyer edhe në Graçanicë, vend ky i banuar me shumicë serbe. Zëvendëskomandanti i stacionit policor në këtë vend, Ramë Kryeziu, thotë se deri më tani është kthyer një numër i vogël i policëve.

“Sa i përket rikthimit të tyre në punë, e kam fjalën për stacionin policor në Graçanicë, nga ky afat i fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme, janë kthyer vetëm tre, por ata nuk janë zyrtarë policorë, janë punonjës civilë në stacionin policor të Graçanicës”, deklaroi Kryeziu.

Ai pohon se është presioni i Beogradit ai që pengon kthimin e policëve të suspenduar.

“Janë do shenja që na lënë të kuptojmë se do të kthehen, por ka shumë frikë dhe presion nga qarqet e strukturave paralele të Qeverisë së Serbisë, që ata të mos kthehen në detyrë”, theksoi Kryeziu.

Për këtë presion flet edhe Fisnik Rexhepi. Megjithatë, ai është optimist se do të ketë një numër më të madh të të kthyerve deri më 30 qershor, kur edhe këta policë të suspenduar nuk do të quhen më pjesëtarë të Policisë.
...presioni i vazhdueshëm që u behët policëve të suspenduar, ka bërë që ata edhe për një kohë të hezitojnë të kthehen në Policinë e Kosovës.

“Vetë fakti që policët, të cilët tanimë janë në suspendim, e kanë marrë një vendim kolektiv, një numër i madh prej tyre ka abstenuar nga puna në Policinë e Kosovës, lë të nënkuptohet se ky ka qenë një vendim, i cili është shtyrë nga Beogradi zyrtar, përkatësisht strukturat e tyre paralele në Kosovë”.

“Kemi marrë informata që një numër i madh prej tyre ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në Policinë e Kosovës, mirëpo, edhe kësaj radhe, presioni i vazhdueshëm që u behët policëve të suspenduar, ka bërë që ata edhe për një kohë të hezitojnë të kthehen në Policinë e Kosovës”,
tha Rexhepi.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se pas 30 qershorit do të përgatitet të shpallë konkurs për policët e rinj. Në këtë kuadër, Ramë Kryeziu, nga stacioni policor i Garaçanicës, thotë se është në rritje interesimi i qytetarëve të rëndomtë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG