Ndërlidhjet

20 përqindëshi i vonuar


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Punëtorët e ish-ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” kanë protestuar të martën, duke kërkuar nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme shqyrtimin e ankesave dhe shpërndarjen e 20 përqindëshit për të gjithë punëtorët. Vonesën e shpërndarjes së këtyre mjeteve, ekspertët për çështje ekonomike e konsiderojnë të paarsyeshme.


Menjëherë pas vendimit përfundimtar nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se do të fillojë shpërndarja e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkumbin Bicaj, thotë se procedurat për shpërndarjen e 20 përqindëshit janë proceduara që diktohen me ligj.

Ai pohon se janë kryer të gjitha procedurat për ndarjen e 20 përqindëshit për ndërmarrjet, për të cilat merr vendim Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Agjencia menjëherë procedon me shpërndarjen e 20 përqindëshit në përputhshmëri me listën përfundimtare të Gjykatës. AKP-ja do të bëjë shpërndarjen e radhës në momentin që e merr vendimin e radhës të Odës së Veçantë”, thotë zoti Bicaj.

Numri i tërësishëm i punëtorëve, të cilët kanë përfituar nga 20 përqindëshi, gjer më tani, sipas zotit Bicaj, është mbi 10 mijë, ndërsa shuma e shpërndarë është rreth 20 milionë euro.

Vonesat në ndarjen e 20 përqindëshit kanë tensionuar punëtorët e ish-ndërmarrjes ndërtimore “Ramiz Sadiku”, të cilët kërkonin nga Oda e Gjykatës së Veçantë shqyrtimin e ankesave.

Përfaqësuesi i Këshillit të protestës, Avni Hajdini, thotë se qëllimi i protestës ka të bëjë me 20 përqindëshin e punëtorëve që nuk u është dhënë. Ai thotë se janë bërë tre 3 vjet që nga shitja e ndërmarrjes.

“Jemi tubuar këtu që të bëjmë një protestë të qetë sociale, që të ngremë vetëdijen e Odës së Veçantë, pasi që deri më tani nuk ka bërë asnjë hap pune për këta punëtorë. Ne kërkojmë që 20 përqindëshi të dorëzohet sa më shpejt që është e mundur”, tha zoti Hajdini.

Eksperti për çështje ekonomike, Xhumshit Duriqi, thotë se si pasojë e këtyre vonesave janë shfaqur edhe pakënaqësitë e shumta lidhur me shpërndarjen e këtyre mjeteve. Ai thotë se sikur të ishin plotësuar kriteret ekonomike dhe sikur punëtorët të ishin kompensuar në mënyrë reale, askush nuk do të ishte kundër privatizimit.

“20 përqindëshi i vlerës së shitur të objekteve të ashtuquajtura të sektorit publik nuk është ndonjë vlerë që i kompenson punëtorët, as minimumin e djersës së derdhur për ngritjen dhe ruajtjen e atyre objekteve”, shprehet zoti Duriqi.

Sidoqoftë, profesor Duriqi thotë se pagesa e 20 përqindëshit ka qenë e domosdoshme dhe do të ishte dashur të paguhet me kohë.

Duke kërkuar lëshimin e parave të 20 përqindëshit si dhe kompensimin e pagave të papaguara, kohë më parë, kanë protestuar edhe ish-punëtorët e ndërmarrjes “Trasing” nga Prishtina dhe ata të Fabrikës së Letrës nga Lipjani.
XS
SM
MD
LG