Ndërlidhjet

Integrimi i pakicave


Pamje në Mitrovicë
Pamje në Mitrovicë

Integrimi i pakicave në institucionet dhe jetën publike në Kosovë, nuk po bëhet me dinamikën e dëshiruar, por, megjithatë ka rezultate pozitive, thonë zyrtarë qeveritarë. Mirëpo, ndryshe pohon opozita.



Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se integrimi i komuniteteve pakicë në institucionet dhe jetën publike të Kosovës vazhdon të mbetet një nga prioritetet e institucioneve vendore.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se provizionet kushtetuese janë bazë e angazhimeve të Qeverisë në këtë drejtim dhe deri më tash, sipas tij, është bërë përparim i kënaqshëm me të gjitha komunitetet, përveç komunitetit serb, ndonëse, siç thotë ai, krahasuar me një vit më parë, edhe me këtë komunitet janë shënuar përparime të dukshme.

Qeveria e Kosovës
“Çdo ditë e më shumë edhe serbët e Kosovës po bëhen pjesë jo vetëm e institucioneve, por edhe e jetës publike dhe ka dëshmi që flasin për këtë, si për shembull, rritja progresive e numrit të aplikimeve për dokumentet e shtetit të Kosovës, gatishmëria për të marrë pjesë në procesin e decentralizimit, e kështu me radhë”.

“Normalisht se ne do të dëshironim që të kishte një dinamikë më të avancuar i gjithë ky proces integrues, por varet edhe nga përfaqësuesit e këtij komuniteti dhe mbi të gjitha nga manipulimi që po vazhdon nga Beogradi zyrtar”,
tha Krasniqi.

Por, ndryshe vlerësojnë përfaqësuesit opozitarë. Ahmet Iusufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për integrimin e pakicës serbe dhe këtë ai e konsideron si gabim.

“Nuk kanë krijuar një strategji, e cila do të mundësonte veprim permanent, në mënyrë që çdo ditë të jetë angazhim që qytetarët e Kosovës, të gjithë, t’i pranojnë institucionet e Kosovës dhe të jenë në koordinim, në raport në mes vete”.

“Prandaj, e konsiderojmë si gabim të qeverisjes së vendit, sepse me veprime më shumë ‘të momentit’, po ashtu duke krijuar një përshtypje në opinion, po veprojnë dhe nuk po tentojnë që të zbatohet Kushtetuta e Kosovës ashtu si duhet”,
u shpreh Isufi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Krasniqi, thekson se në progresin e integrimit të serbëve të Kosovës, në rajone të ndryshme ka pasur dhe vazhdon të ketë dallime sa i përket dinamikës së përparimit të këtij procesi.

“Ka një dallim te progresi i integrimit në pjesë tjera të Kosovës dhe në pjesën e veriut të Kosovës. Padyshim se strukturat paralele, që në Kosovë kanë funksionuar që nga përfundimi i luftës në vitin ’99, ende kanë një ndikim më të madh në veriun e vendit, sesa në pjesët tjera”.

“Por, ne besojmë se edhe gjendja tashmë e ndryshuar atje, për dallim nga një vit më herët, kur nuk kishim as dogana, as polici e as EULEX, e që tani i kemi të gjitha ato atje, po ndikon pozitivisht në integrimin edhe të pakicës serbe në veriun e vendit, por, padyshim, me një dinamikë ndoshta më pak të theksuar, sesa në pjesën qendrore ose në pjesët tjera të Kosovës”,
tha Krasniqi.

Ndërkaq, zoti Isufi thotë se institucionet e Kosovës duhet të përdorin dy forma, me të cilat do të krijonin mundësi për integrimin e pakicës serbe.

Kuvendi i Kosovës
“Njëra është ajo që qasja ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të jetë shumë e afërt, në mënyrë që qytetari të shohë te institucionet një përkujdesje. Dhe, e dyta, zbatimi i ligjit konform Kushtetutës dhe po ashtu zbatimi i normave, të cilat i krijon një shoqëri. Lënia që koha t’i rregullojë gjërat, është mënyra më e keqe që të degjenerojë procesi”,
deklaroi Isufi.


Sidoqoftë, në takimin e tetë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën është thënë se integrimi i komunitetit serb të Kosovës, si pjesë e një shoqërie shumetnike në Kosovë, mbetet objektiv kyç.

Kjo, sipas komunikatës së këtij grupi, mund të arrihet përmes pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, si dhe angazhimit të tyre në nismën e Qeverisë për decentralizimin.
XS
SM
MD
LG