Ndërlidhjet

DASH: Kosova burim, vend tranzit dhe destinacion për trafikim njerëzish


Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit
Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit

"Ndonëse nuk ka të dhëna specifike për përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në trafikimin e qenieve njerëzore, viktimat e trafikimit nga jashtë, në shumë raste, arrijnë në Kosovë me dokumente valide dhe kontrata punësimi, që mbajnë vulën e autoriteteve komunale”, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore.


Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore, për Kosovën është thënë se vazhdon të jetë burim, vend tranzit dhe destinacion për trafikimin e femrave dhe fëmijëve, me qëllim të shfrytëzimit seksual.

Në raportin e publikuar nga vetë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Kllinton, thuhet se organizatat joqeveritare kanë raportuar se trafikimi i fëmijëve në Kosovë, veçanërisht nga komuniteti rom, me qëllim të kërkimit të detyrueshëm të lëmoshës, është shqetësim në rritje.

“Shumica e viktimave të huaja janë gra të reja nga Evropa Lindore, të cilat pastaj i nënshtrohen prostitucionit të detyrueshëm”, thuhet në raport, ku gjithashtu potencohet se edhe viktimat nga Kosova trafikohen zakonisht për në Maqedoni, Shqipëri dhe Itali.

“Qeveria e Kosovës nuk po e përmbush në tërësi as minimumin e standardeve për të eliminuar trafikimin, edhe pse po bën hapa thelbësorë në këtë drejtim”, thuhet në raport, ku gjithashtu Qeveria kritikohet edhe se nuk ka hetuar në mënyrë adekuate dhe përndjekur penalisht trafikuesit, nuk e ka adresuar korrupsionin e ndërlidhur me trafikimin dhe nuk i ka identifikuar viktimat e trafikimit.

Rekomandimet për Kosovën janë që në mënyrë agresive të hetohen, ndiqen penalisht dhe dënohen ata që janë përgjegjës për trafikimin e njerëzve, me qëllim të punësimit apo shfrytëzimit seksual, përfshirë këtu edhe, siç thuhet në raport, zyrtarët publikë të përfshirë në trafikim.

Në këtë kuadër, është kërkuar mes tjerash edhe përmirësimi i shërbimeve për mbrojtjen e viktimave, sigurimi i strehimoreve, trajnimi i prokurorëve dhe gjykatësve, përmirësimi i mjeteve për identifikimin e viktimave, në mënyrë që ato të mos penalizohen për akte të paligjshme që mund të burojnë nga të qenit të trafikuar.

Duke rikujtuar faktin se ligjet në Kosovë e dënojnë trafikimin për qëllime seksuale dhe për punësim të detyrueshëm, raporti nënvizon se për shkak të mungesës së informacioneve, shumica e rasteve që kanë të bëjnë me trafikimin, shndërrohen në raste kontrabandimi.

“Ndonëse nuk ka të dhëna specifike për përfshirje të zyrtarëve qeveritarë në trafikimin e qenieve njerëzore, viktimat e trafikimit nga jashtë, në shumë raste, arrijnë në Kosovë me dokumente valide dhe kontrata punësimi, që mbajnë vulën e autoriteteve komunale”, thuhet në raport, ku edhe citohen disa të dhëna të policisë se këta zyrtarë lokalë mund të jenë të vetëdijshëm se mbajtësit e këtyre dokumenteve janë viktima trafikimi.

Megjithatë, në raport është cilësuar se Qeveria ka bërë përparime të rëndësishme në mbrojtjen e viktimave të trafikimit gjatë vitit 2008, duke përmendur këtu edhe procedurat në fuqi që u mundësojnë viktimave të dëshmojnë në mënyrë anonime në rastet e denoncimit.

“Viktimat e trafikimit kanë alternativë ligjore për t’u larguar nga vendet ku mund të përballen me hakmarrje, përfshirë këtu edhe mundësitë për të fituar statusin e refugjatit apo lejen e qëndrimit në një vend të caktuar”, thuhet mes tjerash në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore.

* * * * * * * * * *

Reagimet në Prishtinë

Luljeta KRASNIQI

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se janë të vetëdijshëm se trafikimi me qenie njerëzore është një dukuri, e cila ka zënë një vend mjaft të theksuar në Kosovë. Ata thonë se janë bërë përparime të dukshme në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, por, sipas tyre, ka ende punë për t’u bërë.

Duke i komentuar vërejtjet e raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e qenieve njerëzore, përfaqësuesit e Qeverisë thonë se duhet një efikasitet më i shtuar i organeve të hetuesisë dhe gjyqësisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se është hetuar një problem i tillë në Kosovë dhe marrë parasysh këtë, shton ai, është themeluar grupi që e udhëheq strategjinë për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Do t’i marrim seriozisht këto sugjerime dhe do t’i shqyrtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, që Kosova të mos jetë vend as tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore, aq më pak vend ku mund të eksportojë apo importojë një çështje të tillë”, tha Kuçi.

Ai pohoi se për luftimin e kësaj dukurie duhet një angazhim më i shtuar i Qeverisë së Kosovës, por njëkohësisht edhe i organeve të hetuesisë dhe atyre gjyqësore. Sipas zotit Kuçi, me një kombinim të të gjithë mekanizmave vendorë, efikasiteti do të jetë më i
lartë.

Ndërkohë, sa i përket asaj se a ka Kosova infrastrukturë ligjore për luftimin e kësaj dukurie, zëvendëskryeministri Kuçi u shpreh:

“Kosova nuk ka problem për ndërtimin e infrastrukturës ligjore. Ka ligje adekuate që e sanksionojnë këtë çështje. Ka strategji dhe organe kompetente, por duhet të shtohet efikasiteti i atyre që merren me luftimin e këtyre dukurive dhe në veçanti i atyre që bëjnë dënimin e këtyre, që është fjala për sistemin gjyqësor”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Departamentit për asistencë të viktimave të trafikimit, që gjendet në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Basri Kastrati, pohon të ekzistojë angazhim maksimal për krijimin e kushteve të përshtatshme për viktimat e trafikimit.

“Sa i përket rehabilitimit të viktimave, së fundi, një organizatë joqeveritare ka hapur një qendër rehabilituese. Edhe institucionet bashkëpunojnë me këto organizata, të cilat janë pjesë e strategjisë së planit nacional. Rehabilitimi është i kushtueshëm dhe ndoshta fondet nuk janë të mjaftueshme për të bërë një rehabilitim si duhet”, u shpreh Kastrati.

Sidoqoftë, shefi i sektorit kundër trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, Ramadan Ahmeti, thotë se duke marrë parasysh që Kosova është një shtet në formim e sipër, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore mund të konsiderohet, siç thotë ai, pozitiv.

“Në këtë raport janë përfshirë shumë shtete, të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat kanë një strukturë të vjetër dhe një karrierë të bujshme policore, ligjore dhe shtetërore, prandaj do të them se është një raport pozitiv për ne, edhe pse na ka lënë një hapësirë që ato mungesa t’i plotësojmë në të ardhmen dhe besoj që kjo do të ndodhë”, theksoi Ahmeti.

Sektori kundër trafikimit me qenie njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2008, ka asistuar rreth 28 viktima të trafikimit, prej të cilave 16 kosovare, 1 rome, 4 moldave, 3 të Shqipërisë, 1 bullgare, 2 serbe dhe 1 turke. Kurse, lidhur me masat kontrolluese apo preventive që janë marrë në këtë drejtim, Policia e Kosovës njofton të ketë kontrolluar 694 lokale, prej të cilave 71 lokale të ndryshme janë mbyllur.

Sipas të dhënave në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, që datojnë nga viti 1999 deri në vitin 2008, IOM ka asistuar rreth 466 viktima të huaja dhe 123 viktima vendore.

Rastet e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë trajtohen në bazë të Nenit 139 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, i cili dënon aktivitetin e secilit që merret me trafikimin e qenieve njerëzore, duke bartur mundësinë e dënimit me burgim prej dy deri në dymbëdhjetë vjet.

* * * * * * * * * *

Prezantimi i raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e qenieve njerëzore

XS
SM
MD
LG