Ndërlidhjet

KS - ende i rëndësishëm


OKB
OKB

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vazhdon të shihet si organ mjaft i rëndësishëm nga ana e zyrtarëve kosovarë. Kjo rëndësi, sipas tyre, ndikohet nga vetë funksionimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë, por edhe nga synimet e Kosovës për të pasur ulësen e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.


Funksionimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë bën që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të jetë i rëndësishëm edhe më tutje për Kosovën. Kështu thonë ligjvënësit kosovarë dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti, mendon se rëndësia e Këshillit të Sigurimit do të mbetet si për çdo shtet tjetër, ashtu edhe për Kosovën.

“Ju e dini që Këshilli i Sigurimit është organi ekzekutiv i Kombeve të Bashkuara. Kosova pretendon dhe përpiqet të hyjë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Dhe, ndikimi i organeve të tij do të jetë si për çdo shtet”.

Sabri Hamiti
“Në anën tjetër, lidhja mbetet ende e sojit të veçantë në mes të Këshillit të Sigurimit dhe Kosovës, për shkak se ekziston një mision i Kombeve të Bashkuara, i cili është i implikuar në Kosovë dhe përmes të cilit implikohet në njëfarë mënyre edhe EULEX-i, që ka marrë për detyrë të monitorojë gjyqësinë dhe sigurinë”.

“Ekziston pra një rrjet ndërvarjesh të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, që edhe kështu, edhe ashtu, janë të lidhura me Këshillin e Sigurimit”,
tha Hamiti.

Këshilli i Sigurimit mban çdo tre muaj seancë për Kosovën, ku paraqitet raporti i rregullt i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, por edhe ai i shefit të UNMIK-ut.

Edhe pse analistët vlerësojnë se në muajt e fundit, situata në Kosovë nuk është ndikuar nga këto seanca, ka zëra që thonë se Këshilli i Sigurimit, megjithatë, ka një rol vendimtar në Kosovë. Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se ky organ i lartë i OKB-së vazhdon të ketë rëndësinë e vet.

“Padyshim që Këshilli i Sigurimit është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha shtetet”.

“Gjithsesi, nëse mund të flasim për reduktim të rolit të Kombeve të Bashkuara, atëherë ne mund të flasim për reduktim të rolit të UNMIK-ut, por assesi për marrëdhëniet, të cilat ne aspirojmë t’i ndërtojmë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku synojmë edhe vetë të kemi ulësen tonë”,
deklaroi Çitaku.

Zoti Hamiti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, konsideron se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në mënyrë të duhur, që Kosova të bëhet anëtare e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Padyshim që ka ndikimin e vet dhe s’ka se si t’i iket atij ndikimi. Ju e dini shumë mirë që pavarësia e Kosovës ka marrë krejt rrugë tjetër për shkak se plani i Ahtisarit nuk ka qenë votuar në Këshillin e Sigurimit”.

“Por, këto janë dy rrugë, Kosova ka pavarësinë e vet, mirëpo Kosova duhet t’i gjejë njohjet e nevojshme, në mënyrë që të kalojë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, qoftë dhe me pengesat që i bën Këshilli i Sigurimit”.

“Në anën tjetër, Këshilli i Sigurimit reflekton edhe sot e kësaj dite atë që quhet UNMIK në Kosovë, me fuqitë dhe pafuqitë institucionale që ka në Kosovë”,
u shpreh Hamiti.

Qeveria e Kosovës
Zëvendësministrja Çitaku thotë se në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për një distancim në mes të Kosovës dhe Këshillit të Sigurimit.

“Assesi nuk mund të flitet për një distancim të Kosovës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit, sepse, në fund të fundit, OKB-ja është vendi që ne e synojmë”, theksoi ajo.

Derisa Kosovës i mungon një numër i shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë, atëherë rëndësia e Këshillit të Sigurimit vazhdon të jetë e madhe, thotë analisti politik, Ylber Hysa.

“Në rastin e Kosovës, ku mungojnë 100 njohje, me siguri se kjo rendësi ka kuptim. Në raportet e fundit, duke u sugjeruar që 1244-shi nuk e ka vlerën siç e ka pasur në Kosovë, vetë UNMIK-u duhet të mendojë se si t’i lëshojë rrugën një realiteti të ri që po krijohet. Andaj, derisa nuk sigurohen 100 njohje, me siguri se do të këtë një rendësi për Kosovën”,
tha analisti Hysa.

Sido që të jetë, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nga Kosova do të ketë vlerësime të situatës nga tri institucione - UNMIK, EULEX dhe nga vetë institucionet e Kosovës. Në takim do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Kryesuese e radhës e presidencës së Këshillit të Sigurimit për muajin qershor është Turqia.
XS
SM
MD
LG