Ndërlidhjet

Zgjedhjet e 15 nëntorit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Opozita në Prishtinë ndihet e anashkaluar me vendimin e presidentit Sejdiu që zgjedhjet lokale të mbahen më 15 nëntor. Ndërkaq, te serbët shtohen përkrahësit e daljes së këtij komuniteti në zgjedhje.



Shpallja e datës së zgjedhjeve lokale nga presidenti Fatmir Sejdiu, për përfaqësuesit e opozitës konsiderohet si injorim i kërkesave të tyre.

Ndonëse fton qytetarët që t’i përgjigjen procesit të zgjedhjeve, opozita vlerëson se caktimi i zgjedhjeve për datën 15 nëntor dhe balotazhit për një muaj më vonë, ka rrezikuar si pjesëmarrjen e votuesve, ashtu edhe monitorimin ndërkombëtar.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se me këtë vendim, Sejdiu ka anashkaluar vullnetin e partive opozitare, si atyre në Kuvend, ashtu edhe atyre jashtë Kuvendit.
Kemi anashkalim të vullnetit të shumicës së subjekteve politike opozitare...

“Kemi anashkalim të vullnetit të shumicës së subjekteve politike opozitare, të tria partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, por edhe të shumë partive politike që nuk janë parti parlamentare”, tha Makolli.

Në anën tjetër, edhe zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, rikujton një marrëveshje të gjashtë partive opozitare, me të cilën i kërkohej Sejdiut që data e zgjedhjeve të shpallej në pjesën e dytë të tetorit. Shtyrja e kësaj date për një muaj, sipas Tahirit, nënkupton injorimin e opozitës.

“Ju jeni në dijeni se ne e kemi bërë një kërkesë të shkruar si parti opozitare... Megjithatë, ne ftojmë qytetarët e Kosovës që të dalin sa më shumë në zgjedhje, në një masë sa më të madhe”, thotë Tahiri.

Në anën tjetër, edhe një pjesë e serbëve të Kosovës, të cilët bojkotuan zgjedhjet e fundit, shpresojnë që kësaj radhe do të arrijnë një konsensus si brenda komunitetit, ashtu edhe me Beogradin, që të dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Dragisha Kërstoviq, një përfaqësues politik serb, thotë se dalja në zgjedhje u shkon më shumë përshtati interesave të serbëve, sesa bojkoti.
“Unë shpresoj se me këtë rast serbët do të dalin në zgjedhje, ngase kjo është në interesin e tyre politik.

Unë shpresoj se me këtë rast serbët do të dalin në zgjedhje, ngase kjo është në interesin e tyre politik”, thotë Kërstoviq.

Nëse edhe kësaj radhe serbët i bojkotojnë zgjedhjet, atëherë do të bëhet një gabim i madh, i cili vështirë se do të mund të përmirësohet në të ardhmen, deklaron ai.

Një qëndrim më refuzues ndaj institucioneve dhe zgjedhjeve të Kosovës kanë serbët e veriut, por Kërstoviq beson se deri më 15 nëntor ka mjaft kohë që të bisedohet me të gjithë për një vendim në interes të këtij komuniteti.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është zotuar për organizimin e një procesi zgjedhor konform Kushtetutës, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike.

“KQZ zotohet se me profesionalizëm do t’i përkushtohet organizimit të këtyre zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, që ato të jenë të lira, të drejta e demokratike, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji dhe zgjedhjet komunale”, theksoi Lushta.

Presidenti Fatmir Sejdiu, në bazë të autorizimeve kushtetuese, pas konsultimeve me partitë politike, ka shpallur datën 15 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Duke i komentuar reagimet dhe deklaratat e opozitës, se në nëntor mund të mbajë moti i ftohtë dhe kjo mund të ndikojë në daljen votuesve në zgjedhje, Sejdiu ka pohuar se moti nuk mund të jetë kriter për caktimin e datës së zgjedhjeve. Vendimi i Sejdiut është përshëndetur nga partitë e koalicionit qeverisës.
XS
SM
MD
LG