Ndërlidhjet

WP: “Drama e Teheranit”


“Washington Post”


Për Shtetet e Bashkuara, revolta popullore në një shtet autoritar paraqet dilemë speciale. Amerikanët instiktivisht simpatizojnë ata që luftojnë për liri, por gjithnjë përderisa Uashingtoni nuk është i gatshëm për intervenim të drejtpërdrejtë, ai nuk ka instrument për të siguruar fitoren e tyre.

Nëse Uashingtoni denoncon represionin e tiranëve shumë zëshëm, rrezikon të akuzohet për qëndrim imperialist, ndërsa reagimi i heshtur rrezikon pozicionin moral.

Që nga revolta e vitit 1956 në Hungari, Pranvera e Pragës në vitin 1968, Tienanmeni i vitit 1989 dhe deri te Birmania e vitit 2007, politikë-bërësit amerikanë e kanë pasur të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të gjejnë një balancë të kënaqshme.

Dhe tash, kemi Teheranin 2009. Në protestën më të madhe popullore nga Revolucioni i vitit 1979, dhjetëra mijëra veta kanë dalë rrugëve për të protestuar kundër rizgjedhjes së Ahmadinexhadit president, që dyshohet të jetë bërë përmes falsifikimit të votimeve. Mjerisht, ata janë ballafaquar me zjarrin e armëve dhe rrahje.

Administrata e Obamës ka reaguar në formën që të mos flakë shpresat për bisedime kushtuar programeve bërthamore të Iranit dhe terrorizmit.

Në vend të denoncimit me plot gojë të falsifikimit dhe represionit, zoti Obama ka pritur disa ditë para se të bënte një deklarim, në të cilin ai ofroi respekt për sovranitetin e Iranit dhe tha se përgjigjja e dhunshme e regjimit “ishte shqetësuese për të dhe popullin amerikan”.

Mbase është i kuptueshëm toni hezitues, por pavarësisht se si do të përfundojë kriza, ajo mund të kërkojë riformulim të strategjisë së administratës ndaj Iranit.

Opozita iraniane është e angazhuar që të ndryshojë kursin e Republikës Islamike, por jo ta përmbysë atë. Kundërshtari i Ahmadinexhadit, Mir Hosein Musavi, është veteran i Revolucionit të vitit 1979, që kishte premtuar restaurimin e parimeve të tij të vërteta.

Në fakt, as Ahmedinexhad dhe as Musavi nuk janë aktorë të pavarur - i pari prezanton liderin suprem, Ajatollah Ali Kamnein, ndërsa i dyti rivalin e tij, ish-presidentin Ali Akbar Hashemi Rafsanxhani.

Pavarësisht nga kjo, shumë iranianë e shohin Musavin, që ka denoncuar retorikën e Ahmadinexhadit, si një alternativë për rënien ekonomike dhe izolimin ndërkombëtar që e ka sjellë pikërisht ky regjim.

Musavi është partner më i arsyeshëm për Shtetet e Bashkuara. Duke goditur Musavin dhe lëvizjen që ai e ka inspiruar, regjimi i tashëm në Teheran do të dëshmonte se është i vendosur të mbahet në pushtet dhe mbase edhe me terrorizmin dhe ambiciet bërthamore, pavarësisht se çfarë mendon populli ose kushdo qoftë tjetër.
XS
SM
MD
LG