Ndërlidhjet

Zanier: Kosova dhe Serbia po i pengojnë përpjekjet për pajtim


I dërguari i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, tha se Kosova dhe Serbia po i pengojnë përpjekjet për pajtim, për shkak të kalkulimeve lidhur me ndikimin që mund ta ketë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e pavarësisë së Kosovës.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, mbrëmë vonë, zoti Zanier, tha se aftësia e Kombeve të Bashkuara për të promovuar zgjidhje “neutrale” për probleme praktike, “për fat të keq” është ndikuar nga pozicionet e Kosovës dhe të Serbisë nga parashikimet për opinionin e kësaj gjykate.

Ai mëtutje theksoi se OKB-ja mbetet në një “situatë unike” për të qenë ndërmjetësuese ndërmjet palëve, të cilat nuk janë “të gatshme që me njëra tjetrën të merren vesh drejtëpërdrejti”.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, i tha Këshillit të Sigurimit, se “me kënaqësi të madhe” e thekson faktin se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore aktualisht e kanë miratuar anëtarësimin e Kosovës.

Lidhur me procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ai tha se beson se “vendimi do të jetë korrekt dhe i pa anshëm”, raporton AP-ja nga Kombet e Bashkuara.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, e përsëriti qëndrimin se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, nuk duhet të inkurajohen deklarata të tjera të njëanshme të pavarësisë dhe organizatat ndërkombëtare “duhet të përmbahen nga anëtarësimi i mëtejmë i autoriteteve secesioniste në Prishtinë”.
XS
SM
MD
LG