Ndërlidhjet

“Roli i UNMIK-ut nuk zbehet”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Udhëzimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, për të zvogëluar numrin e punonjësve të UNMIK-ut në rreth 500, ose dhjetë herë më pak sesa një vit më parë, ka nxitur polemika në Këshillin e Sigurimit. Blloku i aleatëve perëndimorë e ka mbështetur planin e Sekretarit të Përgjithshëm për reduktim të pranisë së OKB-së, ndërkaq ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, sërish ka kërkuar përmbylljen e misionit dhe të mandatit të UNMIK-ut. Zëvendës-përfaqësuesi britanik, ambasadori Filip Parham, ka thënë se duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike globale “UNMIK-u nuk do të duhej të ishte më i madh sesa që nevojitet”. Përfaqësuesi i Japonisë, ambasadori Yukio Takasu, ka insistuar se “rikonfirgurimi i UNMIK-ut është në fazën përfundimtare”. Zëvendës-përfaqësuesja e SHBA-së, ambasadorja Rosemari DiKarlo, ka thënë se në dritën e zhvillimeve në Kosovë “Sekretari i Përgjithshëm duhet të vazhdojë me reduktimin e UNMIK-ut”...

ZËRI

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur dje shumë akuza mbi zyrtarët e lartë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, duke i akuzuar ata për financim të strukturave ilegale të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK-ut) dhe manipulime me tenderë të rrugëve, përderisa investimet në infrastrukturën rrugore i ka cilësuar si propagandë. Në shënjestër të Haradinajt, gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ka qenë zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Adem Grabovci, i cili, siç ka thënë ai, është tagrambledhësi i SHIK-ut. “Adem Grabovci është tagrambledhës i SHIK-ut. Ai është i ngarkuar nga Qeveria e Kosovës për t’i paguar këto grupe, në mënyrë që t’i krijojë epërsi PDK-së dhe t’u shkaktojë dëme partive tjera politike në vend”, ka potencuar Haradinaj...

BOTA SOT
Procesi i decentralizimit në Kosovë është bërë realitet dhe janë shënuar suksese të dukshme në bartjen e kompetencave në pushtetin lokal, por ky proces nuk është i lehtë, ka shumë sfida dhe si i tillë duhet të implementohet, sepse është proces i domosdoshëm, është thënë të mërkurën në takimin e radhës së Grupit Ndërministror për Decentralizim, ku morën pjesë: kryeministri Hashim Thaçi, përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Piter Feith, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, dhe përfaqësues të zyrave diplomatike ndërkombëtare dhe udhëheqës komunalë. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se reforma e pushtetit lokal, përkatësisht decentralizimi, është proces i shoqërisë së Kosovës dhe se qytetarët e saj që moti kanë parë interesin e tyre që ky proces të implementohet, ngase mundëson forcimin e shtetit të Kosovës, barazinë qytetare, dhe si i tillë i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës...

EPOKA E RE
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën ka gjuajtur akuza edhe ndaj Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit... Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendësministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Adem Grabovci, i cili akuzat e liderit opozitar, Haradinaj, i ka quajtur shpifje dhe qyqarllëk. Akuzat e Haradinajt, sipas zëvendësministrit Grabovci, vijnë si pasojë e shqetësimit dhe dëshpërimit të tij me sukseset e qeverisë Thaçi. Grabovci i ka bërë thirrje Haradinajt që të ofrojë të dhëna konkrete, të cilat do t’i shërbenin transparencës qytetare dhe institucionale. “Duke e vlerësuar shqetësimin për transparencë financiare dhe për hir të interesit publik, e ftoj Ramushin të ofrojë të dhëna, të cilat do të ishin në interes të transparencës qytetare dhe institucionale”, ka thënë ai.... “E ftoj në një debat publik”, ka thënë Grabovci...

LAJM
Të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike për regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare në Kosovë, janë bërë. Por, caktimi i datës për këtë regjistrim mbetet vendim politik, të cilin, sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Administratës Publike, Rifat Blaku, duhet ta marrë kryeministri i Republikës, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith. “Gjithçka është gati. Madje, për regjistrimin testues kemi marrë edhe komplimente nga EUROSTAT-i. Tani po presim caktimin e datës, ngase është çështje politike dhe merret nga kryeministri dhe shefi i ICO-së”, tha zëvendësministri Blaku, të mërkurën, për “Lajm”... Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, e konfirmoi se caktimin e datës për regjistrimin e popullsisë e bëjnë kryeministri Thaçi dhe shefi i ICO-së... Por, edhe sikur vendimi i Thaçit dhe Feithit të ndodhë së shpejti, prapë kjo çështje është vonuar, pasi sipas nenit 14 të Pakos së Ahtisarit, regjistrimi i popullsisë është dashur të bëhej një vit pas zgjidhjes së statusit të Kosovës...

KOHA DITORE
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit e Kombeve të Bashkuara dedikuar situatës në Kosovë nuk ka sjell asnjë risi sa u përket qëndrimeve të Prishtinës dhe Beogradit, derisa shtetet anëtare të këtij trupi të lartë, me përjashtim të Rusisë, kanë përshëndetur të arriturat në terren. Derisa ministrat e jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë janë konfrontuar në përpjekjet për mbrojtjen e deklaratave të tyre, shumica e ambasadorëve kanë cilësuar arritjet në fushën e sigurisë, duke mos e anashkaluar përmendjen e incidenteve në veri të vendit. Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, ka deklaruar se Kosova ka arritur progres të sigurt që nga seanca e fundit e KS të OKB-së, derisa ka ripërsëritur kërkesën për përmbyllje të misionit të UNMIK-ut. Homologu i tij serb ka kërkuar që KS i OKB-së të vizitojë rajonin për të parë hapat që duhet bërë akoma për përmbushjen e Rezolutës 1244...

INFOPRESS
Varësisht nga situata e sigurisë që do të mbizotërojë në Kosovë, trupat e NATO-s mund edhe të reduktohen edhe në 2,500. Këto komente i ka bërë komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald,i cili po ashtu ka konfirmuar reduktimin aktual të forcave të KFOR-it nga 14,000 sa janë aktualisht, në 10 mijë. “Reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë bëhet për shkak se gjendja e sigurisë vazhdon të përmirësohet dhe se sfidat ndaj sigurisë, me të cilat ballafaqohet Kosova, tanimë janë të natyrës ekonomike dhe kriminale”, ka thënë Ficxherald. “NATO vazhdon vlerësimin e niveleve të forcës së vet për të gjitha operacionet. Për Kosovë, vlerësimi solli konkluzionin se me përmirësimin e gjendjes së sigurisë, KFOR në mënyrë të arsyetueshme mund të bëjë reduktim gradual dhe nëpër baza të numrit të trupave”, ka sqaruar admirali...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës nuk po e përmbush në tërësi as minimumin e standardeve për të eliminuar trafikimin, edhe pse po bën hapa thelbësorë në këtë drejtim”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku gjithashtu Qeveria kritikohet edhe se nuk ka hetuar në mënyrë adekuate dhe nuk ka përndjekur penalisht trafikuesit, nuk e ka adresuar korrupsionin e ndërlidhur me trafikimin dhe nuk i ka identifikuar viktimat e trafikimit. Megjithëse raporti është thellësisht kritik dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi aftësinë e institucioneve kosovare që ta luftojnë trafikun e qenieve njerëzore, kjo nuk i ka penguar zyrtarë tanë të dalin me vlerësime pozitive. Në vend që të pranohet përgjegjësia për këtë dështim jo të vogël dhe të nxirren mësime, ashtu si në rastin e korrupsionit, “gëzohemi që nuk jemi në krye të listës”...
XS
SM
MD
LG