Ndërlidhjet

Serbët të ndarë rreth pjesëmarrjes në zgjedhje


Ndasi mes përfaqësuesve të serbëve të Kosovës lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale. Në mesin e tyre vazhdon debati mbi pjesëmarrjen, mospjesëmarrjen apo kushtëzimin.


Serbët që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të caktuara të mbahen më 15 nëntor.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale në Kuvendin e Kosovës, Bojan Stojanoviq, thotë se motiv kryesor i pjesëmarrjes është angazhimi për kthimin dhe mbetjen e serbëve në Kosovë.

“Duhet ndërtuar një dialog serbo-serb me ndihmën e Beogradit, në mënyrë që të shohim se çka mund të bëjmë. Kemi pasur rast që të shohim para 7 ose 8 vjetësh praktikisht se çka mund të bëhet nëse marrim pjesë në proceset politike në këto hapësira. Ngjashëm kemi parë edhe me pjesëmarrjen e Partisë së Pavarur Liberale në 18 muajt e fundit, ku rezultatet kanë qenë të pakrahasueshme, d.m.th. mundet që praktikisht të luftosh për interesa të popullit tënd”,
tha Stojanoviq.
E vetmja zgjidhje është që të fillojmë të udhëheqim vetë në territoret e komunave të ardhshme, ku serbët paraqesin shumicë, dhe të vendosim mbi çështjet jetësore...

Ai thekson se duhet marrë pjesë edhe në procesin e decentralizimit apo formimit të komunave të reja serbe.

“E vetmja zgjidhje është që të fillojmë të udhëheqim vetë në territoret e komunave të ardhshme, ku serbët paraqesin shumicë, dhe të vendosim mbi çështjet jetësore, në mënyrë që të jetësojmë qëllimin tonë”, theksoi Stojanoviq.

Përfaqësuesit e serbëve në veri janë të vendosur që të mos dalin në zgjedhjet lokale. Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në veri të Mitrovicës, Nebojsha Joviq, thekson se pjesëmarrja në zgjedhjet e organizuara nga institucionet në Prishtinë, do të nënkuptonte pranim të pavarësisë.
Padyshim se qëndrim i të gjithë serbëve është që në zgjedhjet lokale të mos dalin... Nuk besoj se dikush nga serbët do të mendojë për këto zgjedhje...

“Padyshim se qëndrim i të gjithë serbëve është që në zgjedhjet lokale të mos dalin, para së gjithash, për shkak se ato zgjedhje i ka shpallur presidenti inekzistent i shtetit inekzistent. Për këtë mendojmë se mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të ishte jolegale dhe jolegjitime. Nuk besoj se dikush nga serbët do të mendojë për këto zgjedhje”, u shpreh Joviq.

Por, ka nga serbët që mendojnë për këto zgjedhje. Disa deklarojnë hapur se do të marrin pjesë, të tjerët kushtëzojnë. Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviq, thotë se duhet të jetësohet legjitimimi institucional i serbëve dhe i Kishës Ortodokse Serbe para daljes në zgjedhje. Ajo e lidh këtë edhe me decentralizimin.

Rada Trajkoviq
“Këtu më së pari mendoj në mbrojtjen e zonave rreth manastirit. Pastaj, të fitojmë hapësira të reja, që do t’u ofronin shans dhe mundësi serbëve që të qeverisin në këto komuna. Në anën tjetër, t’u krijohen shanse edhe serbëve që janë dëbuar, të votojnë për qytetet si Prishtina”,
tha Trajkoviq.

Kohë më parë, ministri i Kthimit, Sasha Rashiq, dhe kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, që nënkupton grumbullimin e të dhënave të serbëve të zhvendosur jashtë Kosovës, si votues potencialë në zgjedhjet e ardhshme komunale.

Serbët, në masë të madhe, kanë bojkotuar edhe zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, të mbajtura në nëntor të 2007-ës. Ndërsa, pak muaj më vonë, iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Beogradit zyrtar, për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Serbisë, që u mbajtën edhe në Kosovë. Ato zgjedhje u cilësuan si të paligjshme nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG