Ndërlidhjet

Mekejn: Duhet të jemi simbol shprese për iranianët


Xhon Mek Kejn
Xhon Mek Kejn

Senatori amerikan, Xhon Mekejn, thotë se presidenti Obama duhet të kërkojë që në Iran të respektohet e drejta themelore për zgjedhje të lira e të drejta.




I pyetur për seriozitetin e ofertës së Qeverisë iraniane rreth rinumërimit të votave, senatori Xhon Mekejn thotë se propozimit i mungon sinqeriteti.

“Mendoj se deklarata e Qeverisë së Iranit për gatishmërinë në rinumërimin e votave, i ngjan vendosjes së dhelprës para kotecit të pulave. Qeveria është ajo që ka shkaktuar këto mashtrime në zgjedhje dhe Qeveria është e fundit që do të ishte e sinqertë dhe e drejtë për të rinumëruar”, thotë ai.

Mirëpo, cilat do të ishin, sipas Mekejnit, opsionet me të cilat opozita iraniane do të mund të shprehte pakënaqësitë në lidhje me rezultatet zgjedhore, pas demonstratave të përgjakshme në Teheran?

“Do të këshilloja opozitën në Iran të demonstrojë në mënyrë paqësore. Kam parë disa pamje në internet dhe në televizion, të cilat tregojnë forcat policore duke rrahur brutalisht gra dhe burra, gjë që e karakterizon diktaturën dhe sjelljen e Qeverisë së atij vendi në të kaluarën”, u shpreh ai.

Por, si i sheh Mekejn mundësitë për bashkëpunim ndërmjet administratës Obama dhe Qeverisë në Iran, ku, sipas të gjitha gjasave, president për katër vjetët e ardhshëm do të mbetet Mahmud Ahmedinexhad?

Një nga protestat në Teheran...
“Pajtohem plotësisht se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me Iranin, por parimi themelor i diplomacisë amerikane është respektimi i së drejtës për zgjedhje të lira e të drejta në të gjithë botën. Ngjarjet e periudhës pas-zgjedhore në Iran treguan se kemi të bëjmë me një shtet, i cili jo vetëm se paraqet kërcënim për fqinjët e vet për shkak të armëve bërthamore, por është një shtet, i cili shtyp popullin e vet".

"Pra, presidenti Obama fillimisht duhet të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta në këtë vend, që të respektohen të drejtat themelore të popullit iranian”,
thekson Mekejn.

Demonstratat në Iran përshkruhen si më të mëdhatë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, me një dallim esencial, që tani nuk po protestohet kundër SHBA-së, por kundër Qeverisë së Iranit.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse tash është koha e duhur që Uashingtoni të intensifikojë diplomacinë në drejtim të mbrojtjes së demokracisë në Iran, senatori Mekejn thotë se parimet themelore duhet të mbrohen.

“Roli i Shteteve të Bashkuara është që të ritheksojë fuqishëm se duam të shohim që, jo vetëm në Iran, por në të gjithë botën, njerëzve t’u respektohet e drejta për zgjedhje të lira e të drejta. Këtë do ta mbështesim si parim themelor. Marrëdhëniet tona me Teheranin, qoftë për armët bërthamore apo eksportin e armëve në Afganistan, janë çështje të rëndësishme".

"Prandaj, është mënyrë e duhur që të zgjohemi dhe të kërkojmë që popullit në Iran t’i respektohet e drejta për të zhvilluar zgjedhje të lira”,
tha Xhon Mekejn për Radion Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG