Ndërlidhjet

Marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me vendet e rajonit, përveç Serbisë dhe Bosnjës, janë të mira, vlerësojnë zyrtarë qeveritarë.

Igballe Rexha, zyrtare për marrëdhënie më jashtë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se raportet ekonomike me Shqipërinë janë të avancuara, por, megjithatë, thotë ajo, hapja e autostradës Durrës-Morinë-Kukës do ta rrisë më tepër bashkëpunimin dhe do ta ndihmojë Kosovën në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Kosova vazhdon të bashkëpunojë me eksport dhe import me Maqedoninë. Vendin e parë me eksporte vazhdon ta zërë Shqipëria, ndërsa sa i përket importit, kemi një import të vogël me Shqipërinë. Pastaj, kemi Serbinë në vendin e tretë, Kroacia, Bosnja. Me Malin e Zi kemi një ulje të madhe të shkëmbimeve tregtare”, thotë Rexha.

Nga shteti i Maqedonisë në Kosovë importohen mallra me vlerë mbi 100 milionë euro në vit, ndërsa eksportohen dhjetë herë më pak. Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit me Serbinë dhe Bosnjën, Kosova ka probleme, për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Juglindore, CEFTA, thotë Igballe Rexha.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, këto vende kanë bllokuar kalimin e produkteve kosovare përmes territorit të tyre, për shkak të ndërrimit të vulës së misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me atë të Republikës së Kosovës.

Por, zonja Rexha thotë se ky problem është politik dhe beson që së shpejti kjo çështje do të zgjidhet dhe se do të vazhdojë tregtia edhe më Serbinë.

“Jemi duke pritur vetëm sinjalin që edhe ata të zhvillojnë raporte apo marrëdhënie dhe ta zbatojnë marrëveshjen CEFTA, ashtu sikurse vendet tjera”, tha Rexha.

Ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme sa i përket raporteve të Kosovës me vendet e rajonit. Ibrahim Rexhepi thotë se biznesi nuk është i ndikuar nga acarimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe disa vendeve të rajonit.

Ai thotë se Kosova ka raporte të mira ekonomike me vendet me të cilat institucionet kosovare kanë probleme politike.

“Konkretisht është çështja e Serbisë, merr pjesë me 10 deri në 15 për qind të importit që bën Kosova. E njëjtë është edhe çështja e Maqedonisë, përsëri ajo ka një pjesëmarrje shumë të madhe të importit. Ndërsa, sa i përket Shqipërisë, importet janë minimale, për shkak se nuk ka mundësi dhe Shqipëria nuk ka ofertë për tregun e Kosovës”, deklaroi Rexhepi.

Por, Shpend Ahmeti, nga Institutit për Studime të Avancuara GAP, konsideron se përkundër asaj që tani ka përfunduar periudha e konflikteve, të cilat kanë qenë në mes të popujve të Ballkanit, ende paraqiten probleme politike, të cilat po ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

“Natyrisht se këto probleme politike kanë pasoja edhe ekonomike për shtetin e Kosovës, jo aq shumë për shkak të bllokadës ekonomike që i kanë bërë, por edhe për shkak të imazhit, si një vend që ka probleme me fqinjët e vet. Prandaj, do të ishte mirë që sa më shpejt të zgjidhet ky problem”, tha Ahmeti.

Ndryshe, zyrtarë qeveritarë kanë thënë se investitorët ndërkombëtarë duhet ta shohin Kosovën si një vend rajonal me 25 deri në 30 milionë konsumatorë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG