Ndërlidhjet

logo-print

Senatori Liberman inkurajon protestuesit

  • RFE /RL

Xhozef Liberman

Xhozef Liberman

Derisa iranianët vazhdojnë të protestojnë kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit, nga të cilat, sipas autoriteteve, fitues ka dalë Mahmud Ahmedinexhad, të shumta janë edhe reagimet që vijnë nga e mbarë bota. Është senatori i SHBA-ve, Xhozef Liberman, i cili, në një bisedë me korrespondenten e Radios Evropa e Lirë, Heather Maher, thotë se iranianët nuk do të duhej të zmbrapseshin nga protestat.

* * * * * * * * * *

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Liberman, cili është reagimi juaj ndaj ngjarjeve në Iran? A jeni befasuar nga shkalla dhe energjia e protestave?

XHOZEF LIBERMAN

Jam befasuar me të dyja, si dhe inkurajuar me masën e protestave. Ishte vërtet rrëqethëse për mua dhe do të thosha rrëqethëse për njerëzit kudo në Amerikë, kudo në botë, sepse ne e kuptojmë sa shumë guxim duhet të kesh, për t’u përballur me një regjim shtypës, që e ka fuqinë në anën e vet.

Kjo që po shohim sot në Iran, më kujton shumë në atë që kemi parë, kohë më parë, në Budapest, Pragë dhe në vendet tjera, ku njerëzit janë ngritur dhe përmes fuqisë së numrit të tyre, së bashku kanë ndryshuar drejtimin e së ardhmes dhe të historisë së tyre, madje kundër regjimeve shumë të forta.

RADIO EVROPA E LIRË

Protestat në Teheran dhe në qytetet tjera iraniane konsiderohen më të mëdhatë që nga Revolucioni i 1979-ës, që pati rrëzuar Shahun. Por, këtë herë, shënjestër e protestuesve nuk janë Shtetet e Bashkuara, por vetë Qeveria iraniane. Çka do të duhej të bënin SHBA-të, përderisa drama po zhvillohet?

XHOZEF LIBERMAN

Unë gjithmonë kam besuar se Amerika qëndron më lart në botë, kur bëhet fjalë për vlerat tona themelore.

Vlera më e madhe, vlera qendrore për Amerikën është liria, të drejtat e njeriut, Deklarata e Pavarësisë, e vërteta që secili është krijuar të jetë i barabartë, vlera këto të dhuruara nga krijuesi ynë, nga Zoti.

Për mua, kjo do të thotë që ne do të duhej ta zgjerojmë përkrahjen tonë për popullin e Iranit.

Regjimi në Teheran, për të cilin kemi qenë të shqetësuar për shkak të politikës së tij të jashtme, përkrahjes së terrorizmit, zhvillimit të armëve bërthamore, tash, me zgjedhjet e falsifikuara, i përkujtoi botës se ai edhe brenda është një regjim i tmerrshëm shtypës, ku njerëzit nuk kanë liri të shprehjes, ku gratë dhe grupet minoritare janë të shtypura, gazetarët ngacmohen, puna e organizatave has në vështirësi.

Për mua është imperative që SHBA-të e kanë bërë të qartë dhe pa hamendje se ne përkrahim popullin e Iranit. Apo, thënë ndryshe: Ne mbështesim lirinë e popullit të Iranit.
Zgjedhjet e 12 qershorit nuk ishin të lira, nuk ishin korrekte, u falsifikuan dhe duhet të përsëriten.

RADIO EVROPA E LIRË
Senatori republikan, Riçard Lugar, anëtar i lartë i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, i ka tërhequr vëmendjen administratës Obama që të mos përfshihet më tutje në zgjedhjet e kontestuara. Ai ka thënë se kjo mund të gjenerojë edhe më tutje “armiqësi” mes Iranit dhe SHBA-ve. Çfarë është mendimi juaj?

XHOZEF LIBERMAN
Kam konsideratë të lartë për senatorin Lugar, e respektoj, por nuk pajtohem me të. Mendoj se këto janë momente kur popujt dhe udhëheqësit po vihen në sprovë.

Dhe natyrisht, si liderët e Iranit që po vihen në sprovë, ngjashëm vihen edhe liderët e shteteve të botës.

Unë e kuptoj se ky regjim në Teheran ka besimin e vet, ideologjinë e vet etj., por nuk është i vetëdijshëm rreth opinionit botëror. Ata duhet të bashkëveprojnë me botën në mënyra të ndryshme. Kjo është e rëndësishme për popullin e Iranit.

Ne duhet ta bëjmë të qartë se së paku SHBA, si lider i botës së lirë, i qëndron pranë popullit të Iranit për liri dhe zgjedhje të lira. Dhe, nëse edhe kombet tjera thonë të njëjtën gjë në këto çaste kritike, kush e di se çfarë ndikimi do të mund të kishte kjo edhe te vetë liderët e këtij regjimi në Teheran.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse protestuesit dështojnë në përpjekjet e tyre për t’i anuluar rezultatet e zgjedhjeve dhe Mahmud Ahmadinexhad i merr dhe katër vjet të tjera si president i Iranit, a duhet Shtëpia e Bardhë të vazhdojë të angazhohet me Qeverinë iraniane, ashtu edhe siç ka thënë?

XHOZEF LIBERMAN
Kjo është një thirrje e vështirë. Por, në fund, mendoj se angazhimi duhet të vazhdojë. SHBA-të duhet ta vazhdojnë angazhimin syhapur dhe, siç kam thënë edhe më parë, për armët bërthamore ose çështjet tjera duhet të ketë afat kohor.

Duhet bërë e qartë iranianëve se ata duhet të japin shenja të hershme se janë të gatshëm për të negociuar mbi armët bërthamore dhe çështjet tjera, përndryshe angazhimi nuk do të lëvizë përpara.

Por, duhet të jetë një angazhim i sinqertë. Dhe, sipas mendimit tim, si pjesë e këtij angazhimi të sinqertë do të duhej të përfshihej fillimi i një raporti mes SHBA-ve dhe Iranit, ku liderët amerikanë do t’i thoshin lidershipit të Iranit: “Duhet të ndaloni së shtypuri popullin tuaj”.
XS
SM
MD
LG