Ndërlidhjet

Decentralizimi (s') rrezikohet


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal shprehin bindjen se mospjesëmarrja eventuale e serbëve në zgjedhjet lokale, nuk rrezikon procesin e decentralizimit. Por, përfaqësues të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale pohojnë të kundërtën.


Procesi i decentralizimit për formimin e komunave të reja, që parashihet me Pakon e Ahtisarit, nuk do të rrezikohet nëse serbët lokalë nuk marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Kështu deklarojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Vetë ministri Sadri Ferati thotë:

Sadri Ferati
“Jo, nuk rrezikohet, ngase ne, nga muaji mars, kemi filluar me bartjen e kompetencave, që është pjesë e decentralizimit, ndërsa kjo do të vazhdojë për të gjitha komunat. Eventualisht, nëse në ndonjë lokalitet, ku është paraparë instalimi i punës dhe qytetarët nuk dalin në zgjedhje, ne do të shprehim keqardhjen tonë që ata do të humbin kohë dhe do të presim se si do të rrjedhë puna”.


Nga ana tjetër, drejtori i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, thotë se formimi i komunave me shumicë serbe mund të rrezikohet, pasi që serbët lokalë në Kosovë nuk po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.
Ka rrezik, pasi që Beogradi zyrtar drejtpërdrejt është duke inkurajuar serbët e Kosovës që të bojkotojnë sistemin e Kosovës...

“Ka rrezik, pasi që Beogradi zyrtar drejtpërdrejt është duke inkurajuar serbët e Kosovës që të bojkotojnë sistemin e Kosovës; këtë e bëjnë përmes financave të tyre dhe resurseve. Mirëpo, duhet të bëhet shumë punë nga institucionet e vendit”, tha Tahiri

Është thënë se para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të caktuara për vjeshtën e këtij viti, mund të formohet Komuna e Kllokotit. Por, zoti Tahiri mendon formimi i asaj komune mund të ketë vështirësi.

“Është marrë vendim që Kllokoti të formohet si komunë, megjithatë ende nuk ka asnjë veprim. Nuk duhet të ketë ndërlidhje në mes të procesit zgjedhor dhe procesit të themelimit të komunave, pasi që kjo do të mund ta politizojë këtë proces shumë të ndërlikuar”,
tha Tahiri.

Ndryshe nga zoti Tahiri, eksperti për decentralizim, Arben Gashi, konsideron se institucionet e Kosovës nuk janë duke punuar sa duhet në formimin e komunave të reja. Ai madje thotë se mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e nëntorit nuk mund ta pengojë formimin komunave të reja.
Procesi nuk mund të rrezikohet, mirëpo mund të rrezikohet në vetvete një shkallë e demokracisë e institucioneve kosovare, ku një pjesë e shoqërisë nuk merr pjesë në zgjedhje...

“Procesi nuk mund të rrezikohet, mirëpo mund të rrezikohet në vetvete një shkallë e demokracisë e institucioneve kosovare, ku një pjesë e shoqërisë nuk merr pjesë në zgjedhje. Kjo pjesë e shoqërisë është shumë e keqpërdorur nga institucionet në Serbi dhe mund të them, në aspektin e përgjithshëm, institucionet e Kosovës nuk po tregojnë qëndrueshmëri”,
u shpreh Gashi.

Me Planin e Ahtisarit parashihet formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe, si dhe zgjerimi territorial i komunës së sotme të Novobërdës. Ministri Ferati shprehet optimist që bashkëpunimi në të ardhmen me banorët serbë të Kosovës, do të rritet - gjë kjo që do të mundësojë jetësimin e planit të decentralizimit.
XS
SM
MD
LG