Ndërlidhjet

Kushtëzimet e serbëve të papranueshme


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Institucionet e Kosovës shprehen të gatshme për dialog dhe ftojnë serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, por kundërshtojnë disa kushtëzime të tyre për pjesëmarrje në zgjedhje, që bien ndesh me Kushtetutën.



Asnjë kërkesë që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin nuk mund të pranohet, thonë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në lidhje me kërkesat e një pjese të subjekteve politike serbe, që paraqiten në formën e kushteve për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Kushtetuta si edhe ligjet apo dispozitat e pakos së Ahtisarit u mundësojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës realizimin e të drejtave dhe lirive të plota nacionale e individuale dhe nuk ka nevojë për kushte që bien ndesh me aktet dhe normat ligjore.

“Kjo Kushtetutë është një bazë shumë e mirë për jetësimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe në këtë kuptim edhe të komuniteteve pakicë. Prandaj, konsiderojmë që Kushtetuta dhe ligjet që dalin prej saj, u mundësojnë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të drejta të plota dhe në këtë kontekst nuk duken të arsyeshme lëshimet speciale për këdo qoftë, sepse secili qytetar i Kosovës është i barabartë para ligjit”, thotë Beqiri.

Zëdhënësi Beqiri thotë se presidenti Fatmir Sejdiu i ka ftuar subjektet politike dhe qytetarët serbë të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta shfrytëzojnë këtë rast, që në mënyrë legale të afirmojnë dhe mbrojnë të drejtat dhe interesat e komunitetit.

Pjesëmarrja në zgjedhje konsiderohet si shumë e rëndësishme edhe nga deputeti serb, Sllobodan Petroviq. Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale fton serbët që të dalin të votojnë, në mënyrë që të marrin mandate nëpër kuvendet në komunat ku jetojnë.

Petroviq thotë se pjesëmarrja në zgjedhje do t’u mundësojë serbëve të bëhen faktor në komunat ku jetojnë, marrë parasysh që me decentralizimin parashihet krijimi i pesë plus një komunave të reja me shumicë serbe.

“Ky proces do të mundësojë formimin e 6 komunave të reja me shumicë serbe dhe ky është një nga faktorët kryesorë që motivon bashkësinë serbe për pjesëmarrje në zgjedhje”, thotë Petroviq, duke inkurajuar votuesit serbë, si ata të veriut, ashtu edhe të pjesëve tjera të Kosovës, që të marrin pjesë.

Ndërsa te komuniteti serb ka mendime për dhe kundër pjesëmarrjes, dje, kryeministri Hashim Thaçi, në emër të qeverisë, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të këtij komuniteti që të dalin në zgjedhje dhe të kontribuojnë kështu në shtet-ndërtimin e Kosovës.

“Dëshiroj që në emër të Qeverisë t’i ftojmë edhe një herë serbët që të jenë pjesë e këtij procesi demokratik, pjesë e participimit, sepse Kosova është shtet demokratik, është atdhe i gjithë qytetarëve të saj dhe duhet të respektohet procesi demokratik edhe i pjesëmarrjes, por edhe i marrjes së përgjegjësive në këtë proces mjaft të rëndësishëm”, tha Thaçi.

Një pjesë e serbëve të Kosovës, kryesisht ata në veri, kanë thirrur për bojkot të zgjedhjeve, kurse subjekte tjera politike të këtij komuniteti kanë parashtruar disa kushte për pjesëmarrje që ndërlidhen me vetëqeverisjen lokale, por që bien ndesh me ligjet dhe Kushtetutën, duke kërkuar një lloj autonomie lokale që nuk parashihet me aktet ligjore të Kosovës.

Duke iu përgjigjur këtyre kërkesave dhe kushteve të një pjese të partive politike serbe, deputeti Sllobodan Petroviq thotë se pjesëmarrja është në interesin e serbëve, sepse mundëson marrjen e përgjegjësive, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve, siç është kthimi i të zhvendosurve, arsimi, shëndetësia e fusha tjera.
XS
SM
MD
LG